UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 28 maj – 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

(Foto: Greva e urisë)

28 maj 1993

Adem Demaçi hyri në ditën e pestë të grevës së urisë

Adem Demaçi, hyri në ditën e pestë të grevës së urisë, në mbrojtje të lirisë së fjalës e të mendimit të lirë në Kosovë dhe në shenjë proteste kundër vendimit të regjimit serb për të shkatërruar institucionin e vetëm informativo-botues në gjuhën shqipe në Kosovë “Rilindja”.

Shkrimitari 57 vjeçar, Adem Demaçi mbi 28 vjet i kaloi në burgjet serbe në mbrojtje të lirive njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë.

Adem Demaçi edhe pas daljes nga burgu i tij i fundit më 1991, nuk e ndëpreu punën e tij prej intelektuali e veprimtari në mbrojtje të të drejtave dhe lirive njerëzore e kombëtare shqiptare. Ai është kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë.

Parlamenti Evropian më 1991 e nderoi me çmimin “Saharov” për paqe.

Në një deklaratë dhënë gazetës “Borba” të Beogradit Adem Demaçi shpjegoi arsyen pse ishte hedhur në grevë urie. “Unë kam vendosur të vdes. Në fakt, mua nuk më mbete asgjë tjetër përveç të vdes për fjalën e lirë të shkruar shqipe. Grevën e urisë do ta ndërpresë vetëm nëse publikisht thuhet se “Panorama” nuk ka lidhje me ne dhe nëse nuk do të na merren lokalet për punë”.

Gjestin e Adem Demaçit e përkahi edhe kryetari i Republikës së Kosovës dr.Ibrahim Rugova. Në një deklaratë dhënë gazetës “Bujku” të Prishtinës, Rugova theksoi: “Kërkojmë nga opinioni ndërkombëtar që të përkrah këtë gjest të këtij shkrimtari dhe desidenti shqiptar e po ashtu të përkrah edhe grevën e gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të “Rilindjes”, të cilët, së bashku me Adem Demaçin, këto ditë po e thonë JO-në e tyre kundër dhunës mbi identitetin dhe mendimin e lirë”.

Akademik Rexhep Qosja po kësaj gazete i deklaroi: “Adem Demaçi ka hyr në grevë urie duke kërkuar që të jenë të lira gazetat shqipe në Kosovë. Për shkak se iu ka trembur fjalës së lirë shqipe, ndërgjegjës së shqiptarëve, moralit shqiptar të shqiptarëve, lirisë dhe pavarësisë së popullit shqiptar, pushteti serb e ka mbajtur 28 vjet në burg Adem Demaçin. Në burgje ky pushtet ka mbajtur edhe shumë të rinjë shqiptarë”.

 

 

28 maj 1994

Klinton: Aksionet serbe kërcënim ndaj interesave të SHBA-ve

Kryetari i SHBA, Bill Klinton, siç dihet, parmbrëmë ia paraqiti Kongresit qëndrimin se sanksionet e vendosura kundër Serbisë dhe Malit të Zi do të mbesin në fuqi ende.

Agjencia serbe Tanjug vlerëson se arsyetimi me të cilin e përcolli këtë qëndrim kryetari amerikan është i rëndësishëm për shkak se me këtë vërtetohen qëllimet e administratës amerikane ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Për të arsyetuar zgjatjen e sanksioneve, kryetari amerikan i shpalli “aksionet dhe politikën e Jugosllavisë si kërcënim të vazhdueshëm ndaj sigurisë nacionale dhe interesave vitale ekonomike dhe të politikës së jashtme të SHBA-ve”.

Tanjugu vlerëson se pas këtij kualifikimi, i cili në zhargonin amerikan do të thotë bazë edhe për intervenim ushtarak, Klintoni e njofton Kongresin se është e domosdoshme që të mbahen në fuqi të gjitha dispozitat “e gjëra” të sanksioneve, me qëllim “të zvogëlohen mundësitë e qeverisë jugosllave për të përkrahur konfliktet civile në ish-Jugosllavi”.

Në esencë paraqitja e kryetarit amerikan Klinton në Kapitoll Hill do të thotë vazhdim i riafirmimit të linjes se sanksionet ndaj Jugosllavisë duhet të mbahen deri në kohë të pacaktuar, si njëri prej mjeteve me të cilën SHBA-të mund të realizojnë interesat e tyre në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

Tanjugu konstaton se Entoni Lejk, këshilltar për siguri nacionale i kryetarit amerikan, i cili e redaktoi paraqitjen e kryetarit në Kongres dhe Uoren Kristofer, sekretar, ia arritën që ta bindin Klintonin për konstantën e politikës së Shtëpisë së Bardhë ndaj Bosnjës dhe të fusin në të dy teza: e para – se në Bosnjë është në vepër agresioni i serbëve dhe i Serbisë, dhe së dyti – se zgjidhja e situatës në Bosnjë nuk mund të ndikojë në regjimin e sanksioneve (për këtë posaçërisht insiston Kristoferi).

Uoren Kristofer, përkujton Tanjugu, disa herë në mbledhjet e Këshillit për Siguri Nacionale ka theksuar se nëse hiqen sanksionet, kjo do t’i bënte të pamundur administratës për të ndikuar në zhvillimet e mëtutjeshme në Kroaci, në Kosovë, në Sanxhak, Maqedoni…

Vëzhguesit në Uashington theksojnë se paraqitja e Klintonit në Kongres u bë mu në momentin kur në Francë tri palët ndërluftuese po bëjnë përpjekje, përmes Grupit të Kontaktit, për të arritur një marrëveshje paqësore, ku një prej pikave është edhe heqja e pjesërishme e sanksioneve ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Porosia e Klintonit për Kongresin është njëkohësisht porosi edhe për ndërmjetësuesit amerikanë lidhur me sanksionet.

 

 

28 maj 1997

Polici serb shkeli disa nxënës shqiptarë në rrethinë të Istogut

Dje, më 26 maj, rreth orës 14, në rrugën Gurrakoc – Klinë, në dalje të qendrës së Gurrakocit, ndodhi një aksident i rëndë komunikacioni, me ç’rast humbi jetën nxënësi i klasës së pestë i SHF “Martin Camaj” Rexhë Beqir Kabashi nga Gurrakoci. Me këtë rast lëndime të rënda mori edhe nxënësi Nezir Rexhë Kabashi dhe dy nxënës të tjerë të po këtij lokaliteti.

Sipas dëshmitarëve, fatkeqësinë e shkaktoi një polic serb që ishte duke e ngarë automjetin me një shpejtësi shumë të madhe, me ç’rast shkeli nxënësit që po ktheheshin nga shkolla në anën e kunëdrt të rrugës, në trotuar.

Varrimi i nxënësit të ndjerë bëhet sot.

 

Gurrakoc: Nxënësi dhe prindi i tij u morën sigurimin serb

Më 23 maj në oborrin e SHF “Martin Camaj” të Gurrakocit, komuna e Istogut, një nxënës shqiptar u fjalos me një nxënës serb, por ndërhyrja e arsimtarit të edukatës fizike, Malush Kabashi, bëri që zënka të mos bëhet më e madhe.

Me të marrë vesh për këtë zënkë drejtori serb thirri policët, të cilët mori arsimtarin, Malush Kabashi, nxënësin, Petrit Kajtazi dhe prindin e tij, Haki Kajtazi dhe i dërgoi në Gjykatën Komunale për kundërvajtje në Istog. Gjykatësi, pasi që i dëgjoi dëshmitë e të dy palëve dhe të dëshmitarëve, i liroi të akuzuarit, mirëpo, Nxënësi Petrit Kajtazi dhe prindi i tij Hakiu dje u morën disa orë në pyetje në sigurimin serb.

Exit mobile version