UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 26 qershor 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Takimi Rugova-Hollbruk

 26 qershor 1993

Policia serbe vazhdon me arrestimin e arsimtarëve shqiptarë

Edhe gjatë ditës së djeshme, policia serbe vazhdoi me bastisjet dhe arrestimet e disa drejtorëve dhe arsimtarëve shqiptarë në Kosovë. Kështu dje, rreth orës 5 të mëngjesit, një ekspeditë e policisë serbe e përbërë prej 15 vetash, me qëllim të kërkimit të vulave të shkollës dhe dëftesave të nxënësve, bastisën shtëpinë e Kadrush Nezirit në Viti. Policët serbë gjatë bastisjes, thyen dhe demoluan të gjitha orenditë e shtëpisë. Gjatë bastisjes, policët serbë konfiskuan dy ditarë pune për nxënës të arsimtares Hana Neziri, bashkëshorte e Kadrushit, si dhe disa numra të revistave që botohen në Kosovë. Policia serbe e mori me vete Kadrushin në organet e sigurimit, me ç’rast u interesuan për vulat e shkollës dhe dëftesat e nxënësve.

Pas qëndrimit katër orësh në organet e policisë, Kadrush Neziri u lirua.

Po ashtu dje, rreth orës 8 të mëngjesit, organet e policisë serbe në Prizren, ftuan në të ashtuquajturën bisedë informative, Ridvan Hoxhajn, drejtor i Shkollës fillore “Dëshmorët e Zhurit” në Zhur. Inspektorët serbë u interesuan lidhur me shpërndarjen e dëftesave, aktivitetin e të drejtorëve të shkollave shqipe në këtë komunë, pastaj rreth Këshillit pë finacim në Zhur, për LASH “Naim Frashëri” në Prizren etj.

Pas “bisedës informative”, Ridvan Hoxhaj u lirua.

Dje po ashtu në orët e hershme të mëngjesit, policia serbe arrestoi edhe Shaban Myrtajn, drejtor i Shkollës së mesme “Arbëria” në Gjilan. Merret vesh se gjatë kohës së arrestimit të Shaban Myrtajt, policia konfiskoi vulën e shkollës, librat amzë të nxënësve, 241 ditarë pune, 232 dëftesa, 15 libra, si dhe një dëftesë të të ardhurave personale të profesorëve.

Ndaj Shaban Myrtajt, policia serbe përdori edhe dhunën.

 

26 qershor 1995

Fushatë e gjerë e dhunës me pretekst të kërkimit të armëve në Mitrovicë e rrethinë

Njoftimet e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Mitrovicë, bëjnë me dije se, sipas urdhërit, në stacionin e policisë në Stantërg, më 19 qershor, u paraqit Musli B. Ibishi nga Tërstena e Mitrovicës. Me këtë rast, me pretekst se duhet të dorëzojë një revole, ai u keqtrajtua rëndë fizikisht, ndërsa më 21 qershor, kur sipas urdhërit, në polici u paraqitën edhe djemtë e tij, Rrahmani e Nimani, policët rrahën deri në alivanosje Nimanin. Pas dy orësh ata u liruan, por me kusht që në polici të paraqiten sot dhe gjithsesi me vete të sjellin revolen e cila kërkohet prej tyre.

Me pretekst se duhet të dorëzojnë armët që i kërkohen, më 20 qershor, policët bastisën shtëpinë e Beqir L. Mehajt në lagjen “Ura e gjakut” në Mitrovicë, me ç’rast me vete morën dy djemtë e tij Rrahmanin dhe Sabriun. Policia i keqtrajtoi ata rëndë fizikisht gjatë rrugës deri në stacionin e policisë dhe në stacion, ku Rrahmani u mbajt disa orë lidhur për një kalorifer.

Më shumë se 20 policë, rrethuan dhe bastisën shtëpinë e Bashkim J. Hazirit, në lagjen “Ura e gjakut” në Mitrovicë, më 22 qershor, me preteskt të kërkimit të një pushkëmitralozi. Meqë nuk gjetën armën që kërkonin e as armë tjerët, policët me vete morën Bashkimin, vëllaun e tij Naimin dhe djalin e axhës së tij Muratin, të cilët në polici u mbajtën më shumë se tetë orë. Me këtë rast, Bashkim Haziri u keqtrajtua fizikisht dhe u urdhërua që në polici të paraqitet sot në orën 8:00.

Pasi edhe më parë kishin shkuar në shtëpitë e Shaban e Sahit Xhemajlit në fshatin Vërnicë për të kërkuar armë, policët shkuan në shtëpinë e Shabanit edhe më 23 qershor dhe e urdhëruan atë që ta paraqitet në polici më 24 qershor.

Pasi më 22 qershor, policët ia bastisën shëpinë dhe e rrahën brutalisht, më 24 qershor sipas thirrjes së lënë, në polici u paraqit Muharrem R. Hajdini (58) nga lagja “Tavnik” e Mitrovicës. Edhe pse është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe më parë mjekët nuk e kishin pranuar në spitalin e Mitrovicës dhe po mjekohej në shtëpi, ai u detyrua të paraqitet në polici, ku prej tij kërkojnë të dorëzojë një revole, një autotmobil të tipit “Golf”, të cilin gjoja e paska sjell djali i tij nga Gjermania dhe kasetën e dasmës së djalit të tij nga viti 1989. Pasi u tregoi policëve plagët e pashëruara, ai u lirua më kusht që në polici të paraqitet më 28 qershor dhe të dorëzojë gjithsesi gjërat që nga ai kërkohen.

Në shtëpinë e Xhevat Jusufit, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Bare, më 23 qershor policët e kërkuan, për arsye tash për tash të panjohura, vëllaun e tij Abdyl Jusufin.

Iliaz Rexhës, mësimdhënës në SHME “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, i cili për shkak të mbajtjes së mësimit në punktin privat, në tetor të vitit të kaluar, qe dënuar më 10 ditë burg, dënim ky të cilin shkalla e dytë ia kishte kthyer në dënim në të holla, me lartësi prej 200 dinarësh, pas ankesës së shtruar në këtë vendim, këtyre ditëve mori vendimin, sipas të cilit rtefuzohet ankesa e tij dhe ai detyrohet të paguaj 200 dinarë gjobë.

 

26 qershor 1997

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë ndaloi përdorimin e flamurit shqiptar edhe në Tetovë

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë dje vendosi për heqjen e përkohshme nga përdorimi të flamujve të nacionaliteteve, përkatësisht atij shqiptar nga Kuvendi i Komunës së Tetovës.

Në arsyetim thuhet se kjo iniciativë e kësaj gjykate është ngritë nga Partia Demokratike Maqedonase dhe Qeveria e Maqedonisë. Kjo gjykatë për vendimin e Komunës së Tetovës për përdorimin e flamurit shqiptar thotë se është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë. Pritet që ky vendim sot t’u dërgohet kompetentëve të Komunës së Tetovës.

Qeveria maqedonase kohë më parë ka hartuar dy ligje për përdorimin e flamujve. Fjala është për Ligjin për përdorimin e flamurit shtetëror dhe ligjin për përdorimin e flamujve të nacionaliteteve për të cilët do të debatojë Parlamenti i Maqedonisë në mbledhjen e ardhshme.

 

 

26 qershor 1998

Kryetari Rugova bisedoi me ambasadorin Hollbruk

Kryetari i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova bisedoi sot në Prishtinë me ambasadorin e SHBA-ve pranë OKB-së, Riçard Hollbruk dhe bashëpunëtorët.

Në takim ishin të pranishëm edhe Kristofer Hill, ambasadori i SHBA-ve në Shkup dhe ndërmjetësues në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, si dhe shefi i Misionit të SHBA-ve në Beograd, Riçard Majls.

Në takimin u bisedua për zhvillimet më të reja në Kosovë dhe për mundësitë e ndërmarrjes së hapave konkretë për krijimin e klimës së përshatatshme për vendosjen sa më të shpejt të negociatave mes Prishtinës e Beogradit. Situata në Kosovë u vlerësua tepër e rëndë dhe u kërkuan veprime të menjëhershme e konkrete me qëllim të shtendosjes së gjendjes e të evitimit të shkallëzimit të mëtejshëm të dhunës e të konflikteve dhe të parandalimit të spastrimit etnik të Kosovës.

Në këtë takim merrnin pjesë edhe anëtarët e ekipit negociator me Beogradin, dr. Fehmi Agani, Veton Surroi dhe Blerim Shala.

Exit mobile version