Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Riçard Holbruk
26 korrik 1993
Dhunë e policisë serbe në komunën e Podujevës
Forca të mëdha të policisë serbe rrethuan sot në orët e hershme të mëngjesit disa lagje të fshatrave Gllamnik e Polanicë, 3 – 4 km larg Podujevës. Ndaj banorëve të lagjeve Breznicë e Lushak të Polanicës dhe të lagjes Sekiraqë të Gllamnikut policia ka ndërmarrë një fushatë të egër dhune.
Nga Podujeva njoftohet për shumë të arrestuar dhe të rrahur.
Në lagjen e Lushakëve u arrestuan: Rrahim, Bedri, Bujar, Shaip dhe Ilmi Lushaku; në lagjen Breznicë u arrestuan Raif, Izet, Gani dhe Idriz Breznica; në lagjen Sekiraqë janë arrestuar Nezir, Gazmend dhe Sami Ejupi. Janë arrestuar edhe Artan Topanica, Hasim Tërnava dhe Faton Boshnjaku, që të tretë ishin mysafirë në një familje të Lushakëve.
Në mesin e shumë familjeve të bastisura e të keqtrajtuara ishte edhe familja e Maliq Ejupit, baba i Mehmet Ejupit, të vrarë në demonstratat e vitit 1989 në Podujevë.
Nga Podujeva bëhet me dije se reth orës 11 policia serbe u tërhoq nga këto fshatra, por vazhduan bastisjet dhe keqtrajtimet e shqiptarëve në Podujevë.
Rruga Prishtinë-Podujevë është nën kontroll të rreptë të policisë. Nga orët e hershme të mëngjesit janë rrahur shumë udhëtarë, sidomos ata që udhëtonin prej Podujevës për në Prishtinë. Hasan Bahtiri, Hilmi Bahtiri dhe Lulzim Mahmuti, që po udhëtonin nga Podujeva për në Prishtinë, u rrahën nga policët serbë në orën 6,30 min.
Në bazë të dëshmive të të rrahurve, nuk përjashtohet mundësia që në këtë ekspeditë ndëshkuese, të jenë inkuadruar edhe policë nga Leskovci.
Policia po arreston qytetarë dhe veprimtarë politikë edhe në brendësi të qytetit të Podujevës. Njoftohet për arrestimin e disa veprimtarëve të UNIKOMB-it në Podujevë.
Kjo fushatë e egër represive po bëhet nën pretekst se pak pas mesnate nga persona të paidentifikuar u shti me armë në një patrollë të policisë serbe, në rrugën Prishtinë-Podujevë, në lagjen Sekiraqë të Gllamnikut.
Ndërkohë forca të mëdha të policisë serbe rrethuan fshatin Batllavë. Bëhet me dije se kjo ekspeditë e policisë vazhdoi me arrestime e ketrajtime të shqiptarëve. Sipas njoftimeve nede të paverifikuiara, dhuna serbe ka mundësi të ketë shkatuar edhe viktima ndër civilët shqiptarë.
…
Ngjarja në afërsi të Podujevës është incidenti i katërt i pa ndriçuar ende gjatë dy mujëve të fundit në Kosovë, të cilin policia serbe e shfrytëzon për fushatë të ashpër të represionit dhe dhunës kundër shqiptarëve, siç i shfrytëzoi ato më parë në Gllogovc, Pejë e Prizren.
Më 23 maj 1993, në afërsi të Gllogovcit, dy policë serb u vranë, kurse pesë të tjerë u plagosën – sipas policisë serbe në një pusi të organizuar nga një grup i armatosur. Sipas autoriteteve serbe dhe mjeteve serbe të informimit, ky incident u cilësua si akt terrorist, kurse kryesit e këtij akti ishin “terroristët shqiptarë.” Pasuan ekspedita të ashpra të policisë serbe, ku qindra shqiptarë të këtyre rajoneve u burgosën, u rrahën, ndërsa dhjetra prej tyre iu shkaktuan lëndime të rënda trupore.
“Borba” e 25 majit të këtij viti, shkruante se lideri i partisë opozitare serbe, Lëvizja e Ripërtritjes Serbe, Vuk Drashkoviq ka deklaruar se “Shesheli me muaj të tërë është duke bërë përgatitjet për luftë në Kosovë. Njerëzve të tij u janë dhënë urdhëra të kidnapojnë njerëz, të ndërmarrin akte terroriste dhe të ndërmarrin aksione kundër vetë serbve, policisë dhe ushtrisë serbe në mënyrë që ta ndezin barotin”.
Në fillim të këtij muaji, në natën mes tre e katër korrikut, në Vitomiricë afër Pejës, u plagosën dy policë serbë në rrethana që ende nuk janë ndriçuar. Mirëpo, sërish ky rast u përdorë si shkas që policia të ndërmarrë një aksion të ashpër kundër shqiptarëve të kësaj ane. Policia serbe bastisi dhjetëra shtëpi, shumë banorë u rrahën dhe u maltretuan. Posaçërisht në shënjestër të policisë serbe ishin ish-punëtorët shqiptarë të policisë.
Javën e kaluar, më 23 korrik, në rrethana ende të pandriçuara u plagosën tre policë serbë në Prizren. Autoritete serbe dhe mjetet e informimit nxituan që këtë rast ta cilësojnë si “akt terrorist”. “Jednstvo” (24 korrik) citon hetuesin e Gjykatës së Qarkut në Prizren, Jugosllav Skënderin, i cili thotë, se “akti terrorist” është kryer nga afërsia dhe policia shtiu me zjarrë në sulmues, të cilët arritën të ikin.
Me këtë rast dhjetëra shqiptarë u rrahën dhe u keqtrajtuan.
26 korrik 1994
KMDLNJ (Ferizaj): Për gjashtë muaj – 257 “testime” policore
Sipas një analize të KMDLNJ-së, Dega në Ferizaj, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti në qendrën e sigurimit të këtij qyteti në “biseda informative” ishin 257 qytetarë, policia ka arrestuar 229 veta, fizikisht janë keqtrajtuar 217 prej tyre, janë bastisur 132 shtëpi të pjesëtarëve të këtij kombi, për kundërvajtje janë dënuar gjashtë veta, kurse pesë edhe për vepër penale. Penalisht me 8 vjet burg është dënuar edhe Bajrush Xhemaili, kryetar i Nënkëshillit të KMDLNJ-së në Ferizaj e deputet, kurse me 6 vjet burg është dënuar Adem Salihaj, kryetar i Degës së LDK-së e deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës. Ismet Mehmeti e Sylejman Hasani janë dënuar me nga 5 vjet burg, thuhet në këtë analizë.
Në shënjestër të policisë ishin veçanërisht veprimtarët partiakë, sidomos ata të LDK-së. Në “testim policor”, u morën edhe afër 70 aktivistë të tjerë, të cilët, pos për aktivitetin partiak, inspektorët i pyetën edhe për opcionet personale të tyre për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ndaj disave janë kërkuar edhe armë, e mdje 90 për qind të bsatisjeve të shtëpive janë bërë me po këtë pretekst. Në shumicën e rasteve policia nuk ka gjetur armë, e megjithatë i ka keqtrajtuar kryefamiljarët. Ndaj disa qytetarëve të keqtrajtuar është përdorur edhe elektroshkopi, kurse Ajvaz Feratin e rrahën në SPB edhe pas plagosjes policore në qytet.
Nga banesa janë dëbuar katër familje shqiptare.
26 korrik 1995
R.Holbruk e çmoi të rëndësishëm parandalimin e konfliktit në Kosovë
Ndihmëssekretari i Shtetit, Riçard Holbruk tha se pas rreshtimit më të ri të aleatëve perëndimorë nuk beson që serbët do të vazhdojnë fushatën e tyre në përpjekje për t’i marrë zonat nën mbrojtje.
“Nuk besoj se serbët janë aq të marrë”, tha Holbruk duke nënvizuar se po vazhduan agresionin, mbi ta do të sulmonte e gjithë forca ajrore e NATO-s.
I pyetur nga udhëheqësi i kanalit televizv CBS, se cilat ishin deri tash sukseset e kësaj administrate në konfliktin ballkanik, nënsekretari Holbruk tha se SHBA-të kanë arritur me sukses ta pengojnë zgjerimin e mëtejmë të konfliktit në Ballkan.
Mendoj se sukses ka qenë parandalimi i shtrirjes së luftës në Shqipëri, në Kosovë dhe në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë”, tha mes tjerash ndihmësskretari Holburk, njofton bashkëpunëtori i “Bujkut” nga Nju Jorku Sylejman Gashi.
26 korrik 1997
U shpall përbërja e qeverisë së re të Shqipërisë
Qeveria e re e Shqipërisë, e përbërë nga 21 ministra, në krye të të cilëve është Fatos Nano, kryetar i Partisë Socialiste, dha dje betimin.
Në qeverinë e re, të përbërë nga përfaqësues të subjekteve të koalicionit të majtë, që doi fitues në zgjedhjet e parakohshme të 29 qershorit, Partia Socialiste do të ketë 13 ministra, Aleanca Demokratike 3, Socialdemokratët 2,, Partia për të Drejtat e Njeriut 1 dhe ajo agrare 1, ndërsa në radhën e ministrave njëri është kandidat i pavarur.
Zëvendës i kryeministrit do të jetë ish-kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Komëtar, Bashkim Fino, i cili parmbrëmë dha dorëheqjen në postin e tij të deritashëm. Nga postet e rëndësishme vlen të përmendet se arkeologu Neritan Ceka është ministër i Punëve të Brendshme, i Mbrojtjes Sabit Brojka, i Punëve të Jashtme Paskal Milo, i Drejtësisë Thimo Kondi, ndërsa i Transporteve Gaço Apostoli.
Ministër i Ekonomisë u emërua Ylli Bufi, që ishte kryeministër i Qeverisë së Unitetit Kombëtar më 1991-1992.
Ministër i Shtetit është Kastriot Islami, ndërsa ministër për Reforma dhe Marrëdhënie me Kuvendin Popullor Arben Imami.
Në Qeveri gjenden dy femra socialiste: Arta Dade, ministreshë e Kulturës, dhe Emelinda Meksi, ministreshë për Zhvillim e Bashkëpunim Ekonomik.
Ministër për Arsim e Shkencë u caktua Etem Ruka, për Tregti e Turizëm Shaqir Vuka, për Shëndetësi Leonard Sudis, për Bujqësi Lufter Gjuveli, për Pushtetin Lokal Lush Përpali, Sekretar Shteti për Mbrojtje Perikli Teta etj.
Të hënën qeveria e re shqiptare pritet të marrë votëbesimin nga parlamenti.
26 korrik 1998
Së pakut tre të vrarë dhe pesë të plagosur gjatë sulmit të djeshëm në fshatrat e Klinës
Në Klinë e rrethinë sot situata është diç më e qetë se dje, ndërkohë që nga drejtimi i Kijevës vazhdojnë të dëgjohen granatime.
KI i Degës së LDK-së në Klinë njofton se nga granatimet e djeshme në fshatin Cerovik u vranë Azem Daut Bashota (55), gruaja e tij Zelfije Bashota (50) dhe e reja e tij, emrin e së cilës nuk mundëm ta mësojmë, ndërsa u plagos rëndë djali i tij 20 vjeç.
Në Çabiç është plagosur në oborrin e shtëpisë së tij Sokol Jupë Gashi (52), si dhe fëmijët Fortesa Musë Gashi (8) dhe Puhie Musë Gashi (6), ndërsa në Gllarevë është plagosur Hajdin Musli Morina.
