Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Rexhep Mejdani – President i ri i Shqipërisë
25 korrik 1995
Dhuna e përditshme në Kosovë
Gllogovc: – Më 17 korrik, rreth orës 15:00, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve keqtrajtoi Aziz Bytyçin (1938) nga fshati Orllat, i cili pësoi lëndime të rënda trupore dhe njëkohësisht keqtraktoi edhe dy djemt e tij, Azem e Jonuz Bytyçin.
Më 23 korrik, në fshatin Negroc të Gllogovcit, tre policë serb keqtrajtuan fizikish Bedri dhe Avdi Krasniqin, të cilët me qerren e mbushur me dru po ktheheshin mga mali. Pasi i keqtrajtoi fizikisht, policia i urdhëroi ata që t’i shfryjnë gomat e çerres dhe të presin aty deri sa të kthehen sërish policia, ndërsa më vonë, pasi pritën rreth 40 minuta, policia i urdhëroi ata që të nisen në shtëpi me goma të shfryra!
Ferizaj: – Më 21 korrik, me pretekst të kërkimit të armëve, në polici u morën Nexhat Ademi, Ramush Murtezi dhe Adem Ademi nga fshati Koshare. Pasi u pyetën për armë, ata u liruan me kusht që të paraqiten sërish në polici më 25 korrik. Bëhet me dije se Nexhat Ademi u keqtrajtua fizikisht.
Nga i njëjti fshat dhe me të njëjtin pretekst, u urdhërua që të paraqitet më 25 korrik edhe Abdullah Krasniqi.
Prej 19 deri 21 korrik, në polici për armë u mor edhe Sadik Haliti nga Dremnjaku i Ferizajt.
Nga i njëjti fshat, në postkomandën e policisë në Nerodime, më 21 korrik u morën edhe vëllezërit Ilmi, Sefer dhe Rexhep Muhadini. Njoftohet se Ilmi Muhadini ishte për herë të tretë në polici.
Viti: – Dje, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, ishte në shtëpinë e Izet Fetahut në Sadovinë të Jerlive dhe kërkuan djalin e tij Sabri Fetahun, i cili nuk gjendej në shtëpi. Policia ia la thirrjen për t’u paraqitur në polici. Ai u mor sot në pyetje.
Prizren: – Dje rreth orës 11:00, u mor në pyetje Bedri Çejku, kryetar i Shoqatës “Motrat Çiriazi” në Prizren. Ai u pyet kryesisht për veprimtarinë e kësaj shoqate, si dhe për veprimtaritë dhe aktivitetet tjera në këtë komunë.
Në stacionin e policisë në Prizren, Bedri Çejku u mbajt rreth dy orë.
25 korrik 1997
Rexhep Mejdani – President i ri i Shqipërisë
Rexhep Mejdani, sekretar i deritashëm i përgjithshëm i Partisë Socialiste, u zgjodh dje me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, President i Republikës.
Në votim morën pjesë 122 deputetë, nga të cilët 110 votuan për Rexhep Mejdanin, tre ishin kundër dhe dy abstenuan, ndërsa 7 fletëvotime ishin të pavlefshme.
Në fjalën e tij inauguruese, z. Mejdani tha se vendi dhe populli kanë nevojë për paqe, për frymën e tolerancës, të dashurisë dhe të mirëkuptimit.
“Ne duhet të aspirojmë dhe të luftojmë së bashku që ta ringjallim Shqipërinë, të mënjanojmë dhe të minimizojmë papunësinë, krimin e korrupsionin, të synojmë që sa më shpejt t’u garantojmë njerëzve gëzimin e jetës, qetësinë e sigurinë e saj, mundësinë e gjithanshme dhe shans të mirë për t’i zhvilluar iniciativën e gjerë private dhe emancipimin ekonomik, social e qytetar. Të garantojmë në rrugë ligjore, në mënyrë të shëndetshme investimet e vendit e të huaja aq të domosdoshme, integrimin më të plotë në strukturat bashkëkohore evroatlantike dhe institucionet financiare botërore”, tha Mejdani, duke iu drejtuar deputetëve të parlamentit të ri shqiptar, të dominuar nga socialistët.
“Duke u mbështetur në angazhimin tuaj serioz me detyrën që më ngarkon do të shtoj përpjekjet për konkretizimin real e të vazhduar të politikës së pajtimit kombëtar, për ndërtimin e një politike të re integruese të bashkëpunimit, të bashkëjetesës të gjithë shqiptarëve vëllezër, të të gjitha forcave politike pozitare dhe opozitare, kundër politikës së konfrontimit, të bunkerizimit, të barrikadave, të intolerancës dhe përçarjes. Dhe për këtë të ndërtojmë shtetin real ligjor, të vëmë mbi gjithçka ligjin dhe ta respektojmë atë. Para tij të jemi të gjithë të barabartë që nga kryetari i shtetit e deri te njeriu i thjeshtë. Po ashtu ftoj intelektualët e specialistët shqiptarë të emigruar anembanë botës të punojnë për Shqipërinë e re, duke mundësuar maksimalisht me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në teknokracinë e re, për të cilën ka aq shumë nevojë vendi dhe rimëkëmbja e tij”, shtoi ai.
“Duke pranuar detyrën e presidentit unë shpreh besimin se duke punuar të gjithë së bashku në kooperim të ngushtë planesh me shtetet evropiane e SHBA, me institucionet më prestigjioze ndërkombëtare ne do ta rimëkëmbim Shqipërinë. Ne situatën tejet kritike shqiptare do ta shohim si një ëndërr tepër të dhimbshme, tepër të mbrapshtë, që nuk do të rishfaqet më kurrë. Që Shqipëria sot me kokë të ulur të ringrejë shumë shpejt sytë e saj drejt së ardhmes evropiane për të qenë gjithmonë një faktor pozitiv, një faktor paqeje e mirëkuptimi në rajon e më tej, por në të njëjtën kohë të shërbejë si faktor politik integrues i çështjes shqiptare”, tha mes tjerash në fjalën e tij inauguruese në Parlamentin e ri shqiptar presidenti i ri i Shqipërisë, Rexhep Mejdani.
25 korrik 1998
Forcat serbe sulmojnë vendbanimet në mes Carralevës, Grykës së Llapushnikut e Kijevës
Forcat serbe kanë sulmuar prej mëngjesi fshatrat Belincë, Zborc, Carralevë e Reçak (Shtimje), Komaran e Potërk (Gllogoc), Gremnik, Jashanicë, Gllarevë, Cerovik, Stapanicë, Rigjevë, Zabërgjë (Klinë)
Forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe kanë filluar sot në orën 04 të mengjesit një sulm masiv kundër fshatrave të Grykës së Carralevës, Grykës së Llapushnikut dhe fshatrave përreth Kijevës.
Kryetari i Degës së LDK-së në Shtimje, Ali Sadria, i deklaroi QIK-ut se forcat serbe sulmuan sot në mëngjes fshatrat e Grykës së Carralevës: Belincën, Zborcin, Carralevën e Reçakun.
Këto fshatra të komunës së Shtimjes lidhen me fshatrat e Grykës së Llapushnikut e Komoranin në komunën e Gllogocit dhe me fshatrat e komunës së Malishevës.
Njoftohet se dje në orën 17. 30 në Shtime kanë ardhur forca speciale, pjesëtarët e të cilave ishin me fytyra të ngjyrosura.
Nga Shtimja në orën 10. 30 u njoftua se forcat e ushtrisë serbe kanë arritur deri në lagjen e Badragjive në Zborc, ku janë djegur dy shtëpi, ndërsa dy shtëpi të tjera janë djegur në lagjen në qendër të fshatit. Theksohet se granatimet janë të një intensiteti më të ulët, ndërkohë që forcave serbe u janë kundërvënë forcat mbrojtëse shqiptare në mbrojtje të fshatit e të shtëpive.
Veprimtari i NKMLDNJ-së në Gllogoc, Shaban Neziri, i tha QIK-ut sot herët në mëngjes se gjatë natës forcat të mëdha ushtarake e policore serbe ishin përqendruar në Komoran.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogoc njoftoi se sot në orën 02:40 të mëngjesit, nga baza e “Ferronikelit” kishin dalë forca të mëdha të ushtrisë dhe të policisë serbe, të cilat kanë shkuar në drejtim të Komoranit. Këtyre forcave u janë bashkangjitur edhe forca të mëdha ushtarako-policore nga Magura e Lipjanit e nga Prishtina, të cilat po ashtu kanë shkuar sot në orët e mengjesit në Komoran. Ato janë vendosur në vendin e quajtur “Çuka e Zabelit” dhe gjatë tërë kohës po granatojnë drejt Grykës së Llapushnikut. Nga kjo pjesë shihen shtëpitë e lagjeve Mulaku e Vilaku të Komaranit, të cilat po digjen flakë nga granatimet e forcave serbe.
Dëshmitarët thonë se shihet të dalë tym nga shtëpitë e fshatit Potërk të Llapushnikut.
Popullsia e Gllogocit dhe e Çikatovës së Re, nga frika e ndonjë masakre të forcave serbe, ka filluar të largohet nga kjo pjesë e Kosovës në drejtim të viseve të tjera të Drenicës.
Një veprimtar i LDK-së në fshatin Likofc i tha QIK-ut se forcat serbe filluan në orën 04. OO një sulm të egër në drejtim të Grykës së Llapushnikut.
Nga fshatrat e Klinës njoftohet se forcat ushtarake e policore kanë ndërmarr sot një sulm përmasash të mëdha edhe kundër fshatrave Gremnik, Jashanicë, Gllarevë dhe fshatrave të tjera përreth Kijevës.
Forcat serbe po shtijnë kundër këtyre fshatrave me armë të ndryshme nga postblloku i Dollcit, nga Dresniku e nga Pogragja, si dhe nga kodrina e quajtur “Tikvesh”, e cila gjendet në vetë qytezën e Klinës.
Nga postblloku i Kijevës forcat serbe po granatojnë fshatrat Cerovik, Stapanicë, Rigjevë, Zabërgjë etj.
Te moteli “Nora” në Klinë dhe në postbllokun e Dollcit janë përqendruar forca të mëdha serbe, me një arsenal të madh armësh të të gjitha kalibrave, thuhet në një njoftim të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Klinë.
Katër trupa të pajetë në morgun e spitalit të Pejës
NMDLNJ në Pejë njofton se në morgun e spitalit të Pejës gjenden katër trupa të pajetë, identiteti i të cilëve nuk dihet.
Organet serbe ia komunikuan këtë lajm kryetarit të Bashkësisë Islame në Pejë Nexhmedin Hoxhës, prej të cilit u kërkua që me ndërmjetësimin e BI të bëhet varrimi i tyre.
Gjendjen edhe ashtu të rënduar në Pejë po e bëjnë edhe më të rëndë lëvizjet e shumta gjatë natës të civilëve të armatosur serbë dhe të policëve. Gjithashtu po vazhdojnë tash disa ditë ndërhyrjet e policisë nëpër shtëpitë e shqiptarëve, bastisjet, demolimet, marrjet në polici, kërcënimet e keqtrajtimet e shumta.
Edhe më tutje forcat serbe vazhdojnë të qëndrojnë në kodrën e quajtur Tabe, ku janë edhe disa bunkerë të vendosur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, në rrokaqiellin e Pejës dhe në disa ndërtesa të tjera në orët e mëngjesit janë vërejtur snajperistët serbë.
Luftime të ashpra në disa fshatra të Deçanit
Në disa fshatra të komunës së Deçanit kanë filluar mbrëmë luftime, të cilat po zgjasin edhe më tutje, njofton Nënkëshilli Për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Deçan.
Forcat serbe, të pozicionuara në Sukën e Biteshit, kanë filluar mbrëmë të qëllojnë me artileri të rëndë fshatrat Shaptej e Gramoqel. Shumë shtëpive të këtyre fshatrave iu shkaktuan dëme të mëdha materiale, ndërsa ambulanca e Gramoqelit u shkatërrua pothuaj në tërësi. Deri tash nuk ka të dhëna për viktima eventuale në njerëz.
Po ky burim njofton se edhe sot janë zhvilluar luftime të ashpra në disa fshatra të komunës së Deçanit, sidomos rreth fshatrave Junik e Voksh.
Forcat ushtarako- policore dhe paramilitare serbe që mbrëmë kanë sulmuar Junikun në përpjekje që të depërtojnë në këtë fshat. Mirëpo, mbrojtësit e Junikut dhe forcat e UÇK-së i kanë zbrapsur forcat serbe.
Nga Deçani njoftohet se forcat serbe kanë vrarë mbrëmë në fshatin Lybeniq plakun Dervish Aliçkaj (78), i cili është varrosur mbrëmë vonë në varrezat e këtij fshati.
Burimet e Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Deçan kanë njoftuar edhe për luftimet e rrepta që janë zhvilluar në fshatrat e komunës së Klinës, të cilat shtrihen afër fshatrave të Lugut të Baranit. Në sulmet kundër këtyre fshatrave forcat serbe kanë përdorur edhe armët e rënda artilerike.
Forcat serbe nga Rahoveci kanë sulmuar fshatrat e Malishevës – të paktën dhjetë policë të vrarë
Njoftohet se sot forca të mëdha policore-ushtarake serbe të këmbësorisë, të ndihmuara nga tanket, nga Rahoveci sulmuan dhe provuan të depërtojnë drejt Malishevës. Atyre u dolën përballë forcat e UÇK-së duke i zmbrapsur me sukses ato sulme. Në luftimet e ashpra u vra një pjesëtar i UÇK-së, kurse një tjetër u plagos.
Ndërkaq në radhët e forcave agresore serbe ka pasur të paktën dhjetë policë të vrarë dhe dy tanke të shkatërruara. Njoftohet se nga policët e vrarë është konfiskuar një sasi armatimi dhe pajisjet kuftarake.
Në drejtim të forcave çlirimtare të Kosovë dhe fshatrave shqiptare të Malishevës gjatë sulmeve të sotme janë hedhur me dhjetra granata.
