UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 24 tetor 1993-1998

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

24 tetor 1994 

Përfundoi manifestimi “Takimet e Gjeçovit ’94”

Të shtunën në Zym të Hasit përfundoi manifestimi letrar tradicional “Takimet e Gjeçovit ’94”.

Siç dihet manifestimi i sivjetmë u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës dhe klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” i Zymit. Gjatë javës, në shumë qendra të Kosovës u organizuan një varg manifestimesh.

Ndërsa të shtunën, në lokalin e shkollës fillore të Zymit, u mbajt tribuna tradicionale e manifestimit, e cila kësaj radhe i kushtohej shkrimtarit Anton Pashku. Të shtunën u mbajt edhe ora letrare për fëmijë dhe “Ora e Gjeçovit”, ndërsa në një takim rasti u përkujtua edhe aktorja e njohur nga Hasi, Katarina Josipi.

Gazeta e sotme “Bujku” njofton se në manifestim merrnin pjesë disa qindra zymjanë, si dhe anëtarë të shumtë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Në tribunën e manifestimit, të cilën e udhëhoqi shkrimtari Basri Çapriqi, u lexua kumtesa e dr.Sabri Hamitit.

Kurse në orën letrare lexuan shumë poetë. Çmimi për poezinë më të mirë për fëmijë iu dha Arif Demollit, ndërsa për poezinë më të mirë të lexuar në orën qendrore letrare iu dha Milazim Krasniqit.

Manifestimin e përshëndeti kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova.

Në telegram, mes të tjerash, thuhej se edhe ky manifestim kulturor dëshmon qëndresën, aftësinë e organizimit, të besimit dhe të afirmimit e respektimit të popullit tonë në botë, ashtu siç na tregon jeta dhe vepra e Gjeçovit.

24 tetor 1997

Gjendje më e qetë në vendbanimet shqiptare në Mal të Zi

Natën e 22 tetorit, njëherë në orën 20. 30 e pastaj edhe në orën 0. 30, grupe ekstremistësh, që në Podgoricë protestojnë kundër fitores së Gjukanoviqit në zgjedhjet e së dieles për president të Malit të Zi, në të cilat faji kryesor për këtë fitore u hidhet shqiptarëve, shkuan në vendbanimet shqiptare të Malësisë, Tuzit e Dinoshës dhe i provokuan ata.

Ekstremistët me mbi 20 automobila dhe një kombibus shkuan në Tuz duke shtirë me armë dhe duke fyer e sharë shqiptarët.

Mehmet Bardhi, kryetar i LD në Mal të Zi, i deklaroi sot QIK-ut se këta ekstremistë, të pajisur me flamuj e ikonografi të ndryshme, duke shtirë me armë, duke ngritur tre gishtërinjë dhe duke fyer e sharë shqiptarët parakaluan nëpër Tuz, në përpjekje për të inicuar ndonjë konflikt qaë do të kishte pasoja tragjike.

Ndërkohë, ministri malazez i punëve të brendshme i është drejtuar me një letër Bullatoviqit, kryetar aktual që pësoi humbje të dielen, por që mandatin do ta mbajë deri më 15 janar të vitit të ardhshëm, duke e bërë atë fajtorë për mitingjet në Podgoricë dhe për eskalimin e veprimeve antishqiptare të përkrahësve të tij.

Korrespondenti i “Bujkut” njofton se në fshatin Dinoshë policia nga një numër ekstremistësh ka konfiskuar një sasi armësh, si dhe ka bllokuar rrugën Podgoricë-Tuz për të penguar vërshimën e mëtejshme të ekstremistëve. Njëkohësisht kjo ministri ka tërhequr vërejtjen se provokimet e mëtejshme kundër shqiptarëve mund të shkaktojnë konflikte me pasoja tragjike, siç do të kishte pasoja tragjike edhe përpjekja për kapërcimin e bllokadës policore.

Ndërkohë shqiptarët e Malësisë janë deklaruar se do të vetëmbrohen nëse vazhdojnë ehe më tutje provokimet ndaj tyre.

Lajmi i fundit i “Bujkut” bën të ditur se pushteti malazez ka garantuar mbrojtjen e plotë për shqiptarët, ndërkohë që është hequr bllokada e rrugës, por vërehen patrulla të shtuara policore, të cilat kontrollojnë të gjitha veturat që shkojnë në drejtim të Tuzit.

Po kjo gazetë thekson se ka njoftime nga policia rrugore që të mos merret rrugë në drejtim të Podgoricës me vetura me regjistrim të Ulqinit dhe të qyeteteve të Kosovës, sepse nuk mund t’u garantojnë siguri. Një rekomandim i njëjtë u është dhënë edhe studentëve shqiptarë nga Mali i Zi që studiojnë në Universitetin e Prishtinës.

Me një deklaratë lidhur me gjendjen e krijuar është paraqitur LD në Mal të Zi, e cila e dënon parakalimin e ekstremistëve nëpër Tuz, duke kënduar këngë çetnike e duke provokuar shqiptarët. Kjo parti gjithashtu u bëri thirrje të gjitha banorëve të Malësisë që të maksimalisht të përmbahen dhe njëkohësisht u bëri thirrje autoriteteve që të sigurojnë rendin dhe qetësinë publike.

  1. Bardhi, në deklaratën e tij për QIK-un thekson se gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmë gjendja në vendbanimet shqiptare ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur provokacione të tjera.

Lista vazhdon në numrin e nesërm.

24 tetor 1998

KMDLNJ: Në Tërdec të Gllogocit policia serbe plagosi një të ri shqiptar

Sot rreth orës 12:00 në fshatin Tërdec të Gllogocit, forcat e policisë serbe e kanë plagosur rëndë me armë zjarri të riun Zymber Buzaku (18) nga i njëjti fshat, njofton Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së.

Njoftohet se i riu Zymber Buzaku është plagosur gjatë kohës derisa po prente dru në malin Kosmaq, përkatësisht në pronën e tij.

Zymber Zubaku nga tre plumba ka pësuar plagë të rënda në kokë dhe në kraharor, ndërsa gjendja e tij është shumë e rëndë.

Aktivistët e komunës së Gllogocit apelojnë te Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që t’i vijnë në ndihmë të plagosurit, gjendja e të cilit vazhdimisht po rëndohet.

Foto: Tuzi

 

 

Exit mobile version