UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 23 tetor 1993-1998

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

23 tetor 1993

U zgjodh Prokurori i Gjyqit të Kriminelëve të luftës për Ballkan

Gazeta “The New York Times”, bënë të ditur se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara caktoi më 21 tetor, Ramon Eskovar -Salomanin nga Venezuela, Prokuror të Gjyqit të Kriminelëve të Luftës për Ballkan.

  1. Eskovar-Salom, 67-vjeçar, është Prokuror i Përgjithshëm i Venezuelës, i cili luajti një rol të rëndësishëm për ta detyruar kryetarin e Venezuelës, Karlos Andres Perezin që të jap dorëheqje në maj të këtij viti.

Siç dihet, Këshilli i Sigurimit kohë më parë nuk ua dha besimin dy kandidatëve të tjerë për këtë post, në mesin e të cilëve ishte edhe Sherif Basiuni, profesor i jurispodencës me origjinë egjiptase, i cili gjithashtu është kryetar i Komisionit special katëranëtarësh për grumbullimin e të dhënave të krimeve të luftës në Ballkan.

Ky komision, këtë javë publikoi raportin e dytë rreth krimeve të luftës në Ballkan, në të cilin thuhet se ata kanë dëshmi se serbët i kanë përdorur sistematikisht dhunimet si formë e terrorizimit të femrave myslimane gjatë fushatës së spastrimeve etnike në Bosnjë e Hercegovinë, thekson gazeta “The New York Times”.

23 tetor 1995

Fadil Sulejmani: Universiteti i Tetovës është legal

Rektori i Universitetit të Tetovës, prof.dr. Fadil Sulejmani, në një intervistë që i dha gazetës “Flaka” të Shkupit, në mes tjerash tha se Universiteti i Tetovës është legal dhe se punon haptas.

Ai tha se me këtë punë nuk i bëhet askujt asgjë të keqe dhe se UT është një e mirë për shqiptarët dhe për maqedonasit.

Ai tha se është optimist për legalizimin e shpejtë të UT-së nga qeveria e Republikës së Maqedonisë, e cila duhet ta financojë këtë universitet si edhe universitetet në gjuhën maqedonase.

Ai vlerësoi se u dëshmuan si të pafrytshme përcaktimet e deritashme të Qeverisë së Maqedonisë kundër UT – së.

Ai tha se shikuar realisht UT është në sistem shtetëror, sepse aktin e themelimit e nënshkruan të gjitha partitë politike shqiptare që marrin pjesë në sistem dhe përfaqësuesit e komunave të Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës.

U pëlqen ose jo zyrtarëve, për ne kjo nuk është shumë e rëndësishme. Ne dëshirojmë të shkollohemi dhe nuk ka kthim prapa atë e do populli dhe do ta përkrahë deri në fund… Në kushtet e tilla të vetëfinancimit, ne jemi përcaktuar të marrim të ardhurat minimale prej 300 markave gjermane, të cilat janë të njëjta, si për rektorin ashtu edhe për punëtorët e higjienës. Askush nuk ankohet për këtë. Ka disa mësimdhënës që punojnë edhe pa pagesë, tha rektori Sulejmani.

Ai tha se në UT studiojnë 1254 studentë dhe dhënë mësim 150 arsimtarë.

23 tetor 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Shtime: – Më 15 tetor, në stacionin e policisë serbe në Ferizaj, u mor në të ashtuquajturën bisedë informative, Shaban Halili, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Shtime. Ai nga inspektorët e sigurimit serb u mbajt rreth gjashtë orë dhe u pyet për aktivitetin e LDK-së, por edhe për funksionin e tij si inspektor i arsimit shqip në komunën e Shtimes.

Gjilan: – Më 17 tetor, dy policë serbë kërkuan në shtëpinë e tij Mujadin Zylfiun (1967), i cili tash një kohë gjendet përkohësisht në Zvicër. Mujadin Zylfiu nga policia serbe është kërkuar tri herë.

Më 20 tetor rreth orës 17:00, një grup të rinjësh serbë në Gjilan sulmuan Hafiz Bajramin (1975) nga Gjilan. Pasi ai i përballon përleshjes me të rinjtë serbë, në vend të ngjarjes arrin policia serbe dhe e arreston atë. Njoftohet se Hafiz Bajrami është mbajtur tërë natën në stacionin e policisë serbe në Gjilan dhe është keqtrajtuar rëndë deri në alivanosje. Ai është liruar të nesërmen në orët e mëngjesit, ndërsa njoftohet se po këtë ditë, Hafizi është marrë sërish në polici.

23 tetor 1998

Malishevë: Përqendrime të forcave serbe – gjendje e rëndë e të zhvendosurve

Gjatë natës së shkuar, nga pozicioni i forcave serbe në afërsi të minierës së boksitit në Volljakë janë shkrepur raketa ndriçuese si dhe ka pasur të shtëna sporadike në drejtim të fshatrave Panorc, Rud e Llapçevë.

KI i Degës së LDK-së në Malishevë njofton se banorët e këtyre fshatrave, në të cilat ka edhe shumë të strehuar nga fshatrat e tjera, natën e kaluan nën qiellin e hapur dhe në pritje të sulmit të forcave serbe.

Sot forcat serbe janë përqendruar në afërsi të ujëvarës së Mirushës dhe te Pishat e Volljakës.

I njëjti burim bën me dije se gjendja e popullatës së zhvendosur është shumë e rëndë. Ajo po përballet me mungesa të theksuara të ushqimit, e sidomos të barnave e ndihmës mjekësore. Si pasojë e kushteve të rënda të jetës dhe mungesës së ndihmës mjekësore, pas një sëmundje të shkurtër sot vdiq Elmi Hasan Mazreku (35) nga Malisheva.

Foto: Rektori i Universitetit të Tetovës, prof.dr. Fadil Sulejmani

Exit mobile version