UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 23 korrik 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Parlamenti i Maqedonisë

 23 korrik 1993

 Dr.Ibrahim Rugova: Shqiptarët në të ardhmen do të kërkojnë ndërrimin e kufijve

Mjetet serbe të informimit, dje dhe sot, transmetuan gjatë tërë ditës një deklaratë të kryetarit të Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, dhënë agjencisë shtetërore austriake APA.

Gazeta e sotme “Borba”, transmeton raportin e agjencisë “Tanjug” nga Vjena, në të cilin thuhet: “Lideri i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, i deklaroi dje në një intervistë agjencisë austriake APA, se shqiptarët e Kosovës në të ardhmen do të kërkojnë ndërrimin e kufijëve ose bashkimin me Shqipërinë”.

“Deri tash kemi qenë realist… Mirëpo, nëse Perëndimi do të pranojë parimin etnik për Bosnjën dhe ndryshimin e kufijëve të kësaj Republike, atëherë edhe ne do të ndërmarrim masa të reja”, deklaroi Rugova, i cili sipas agjencisë “Tanjug”, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare, të ushtrojë presion mbi Serbinë që të pranoi vazhdimin e mandatit të Misionit të KSBE-së në Kosovë.

 

23 korrik 1994

Represioni në Kosovë

Podujevë: – Më 20 korrik, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Xhemail Musës dhe Qerim Sylës në Gllamnik të Podujevës. Të lartëshënuarve iu lanë thirrjet që të paraqiten në stacionin e policisë në Podujevë.

Dje, rret orës 11:00, policia mori në rrugë të fshatit Pollatë, Muhamet Latifin, kryetar i Nëndegës së LDK-së së fshatit Pollatë, i cili në postkomandën e policisë në Kërpimeh u mbajt rreth një orë. Muhamet Latifi u lirua me kusht që të paraqitet të nesërmen sërish në polici.

Vlenë të theksohet se Muhamet Latifin, policia deri tash e thirri gjashtë herë.

Po këtë ditë rreth orës 11:00, policia serbe kërkoi armë nga vëllezërit Mehmet, Faik dhe Isuf Mehmeti.

Gjakovë: – Më 18 korrik, në orët e hershme të mëngjesit, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, arrestoi plakun 61 vjeçar Halil Veselin nga fshati Smolicë. Njoftohet se Halil Veseli u dërgua në stacionin e policisë në Gjakovë dhe nga torturat pësoi lëndime të rënda trupore. Halil Veseli u urdhërua që të paraqitet sërish në polici.

Më 21 korrik, policia nën pretekst të kërkimit të armëve thirri për herë të shtatë që të paraqitet në stacionin e policisë, Fatmir Dolin nga Gjakova.

Ferizaj: – Më 19 korrik, policia ishte në shtëpinë e Muharrem Halitit në fshatin Komogllavë. Nga Muharrem Haliti policia kërkoi që të dorëzojë një revole, si dhe e pyetën për vëllezërit e tij, të cilët punojnë përkohësisht në Gjermani. Meqë Muharrem Haliti nuk pranoi se disponon me armë, policia e dërgoi atë në pyjet e fshatit Komogllavë dhe u keqtrajtua fizikisht.

Një ditë më vonë, policia ishte sërish në shtëpinë e Muharrem Halitit, por që tashti kërkonin vëllain e tij Sadri Halitin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Policia në prani të anëtarëve të familjes e keqtrajtoi Bashkim Halitin.

Më 20 korrik, duke u kthyer me tren nga Hani i Elezit për në Ferizaj, në afërsi të fshatit Gërlicë, dy policë pa kurrfarë shkaku keqtrajtuan fizikisht Skënder Feratin.

Gjilan: – Më 18 korrik rreth orës 9:00, kuislingu shqiptar Ramadan Sermaxhaj dhe njëfar Sërxhani, ishin në shtëpinë e Abdullah Bajrës në Gjilan, i cili punon përkohësisht në Zvicër. Inspektorët e lartëshënuar kërkuan nga Ramadan Bajra që të marr pasaportën, të cilin e morën me vete dhe e dërguan në stacionin e policisë në Gjilan. Njoftohet se inspektorët serbë kërkonin nga Ramadan Bajra që të dorëzojë një revole.

Bëhet me dije se policia Ramadan Hajrës ia morën pasaportën, në mënyrë që të pengojë shkyuarjen e tij në Zvicër, pasi që ai momentalisht gjendet në pushim vjetor.

Më 20 korrik, policia ia la thirjen që të paraqitet në stacionin e policisë në Gjilan, Halim Huruglicës nënkryetar i Nëndegës së LDK-së në fshatin Dobërçan të Gjilanit. Inspektorët serbë nga Halim Huruglica u interesuan të dinë rreth aktivitetit të LDK-së dhe mbajtjes së Kuvendit të II të LDK-së, etj.

Viti: – Më 18 korrik, policia mori në shtëpinë e tij, Berat Nezirin (1948) në fshatin Ballancë të Vitisë, i cili u dërgua në postkomandën e policisë në Kllokot. Policia nga Berat Neziri kërkoi që të dorëzojë tri revole dhe dy bomba dore. Gjatë rrugës për në postkomandën e Kllokotit, policia keqtrajtoi fizikisht Berat Nezirin. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish të nesërmen në polici.

Njoftohet se Berat Neziri dhe familja e tij 16 anëtarëshe u keqtrajtua katër ditë rresht.

Më 18 korrik, rreth orës 12:00, policia kërkoi në shtëpinë e tij, Hasan Bajramin në fshatin Smirë të Vitisë, i cili gjatë dy viteve të fundit ishte si refugjat në Suedi. Meqë Hasan Bajrami nuk gjendej në shtëpi, policia ia la thirrjen që të paraqitet në stacionin e policisë në Gjilan.

Dje, policia mori në shtëpinë e tij, Halim Ismailin në fshatin Beguncë të Vitisë. Nga Halim Ismaili policia kërkoi që të dorëzojë një pushkë dhe një revole.

Deçan: – Dje, sipas thirrjes nën pretekst të kërkimit të armëve u paraqit në Qendrën e sigurimit serb në Pejë, Rexhep Berisha, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Lumbardh të Deçanit. Njoftohet se Rexhep Berisha është keqtrajtuar psikikisht. Nga Rexhep Berisha inspektorët serbë kërkuan që deri të hënën patjetër të dorëzojë një revole.

 

 

23 korrik 1997

Deputetët shqiptarë nuk marrin pjesë në mbledhjen e Parlamentit të Maqedonisë

Parlamenti i Maqedonisë mban sot mbledhjen e vet të 72-të dhe siç ka bërë me dije Shërbimi për Informim i tij, ndër pikat e rendit të ditës do të jetë edhe ajo të cilën e ka miratuar Komisioni për imunitet e mandate – që deputetit Arbër Xhaferi, për shkak të mospjesëmarrjes në seanca, t’i merret mandati. Ky propozim deri më tash dy herë nuk ka kaluar në këtë komision dhe më në fund kaloi në këto momente të krizës së re shqiptaro-maqedonase, veçmas pas ngjarjeve të fundit jo vetëm në Gostivar e në Tetovë, por edhe në pjesën më të madhe të Maqedonisë.

Arbër Xhaferi, në njoftimin që ia pat dërguar Stojan Andovit, atëherë kryetar i Parlamentit, mospjesëmarrjen e vet në seanca e pat vlerësuar, por edhe tani e vlerëson si qëndrim politik, me të cilin shpreh mospajtime politike.

 

23 korrik 1998

Prishtinë: Serbëve iu shpërndanë armë

Policia serbe u shpërndau sot armë serbëve. KI i Degës III të LDK-së në Prishtinë njofton se nga ora 9 deri në orën 13 serbëve lokalë iu shpërndanë armë në objektin e stacionit të policisë në Lagjen e Muhaxherëve.

Rahovec: Ende nuk dihet numri i ta vrarëve, të plagosurve, të kidnapuarve dhe i të zhdukurve

Luftimet ndërmjet forcave serbe dhe njësiteve të UÇK-së në Rahovec kanë pushuar, mirëpo numri i të vrarëve e të masakruarve si dhe i të vrarëve, të kidnapuarve e të zhdukurve ende nuk mund të saktësohet, sepse ky qytet vazhdon të mbahet nën bllokadën e plotë të forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe.

Nga Malisheva, ku është strehuar një numër i madh i banorëve të Rahovecit e të fshatrave përreth, njoftohet se një delegacion i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq është takuar me përfaqësuesit e Degës së LDK-së e të KMDLNJ-së në Rahovec për të mësuar për numrin e të vrarëve, të plagosurve, të kidnapuarve dhe të zhdukurve. Përfaqësuesit e këtij komiteti kanë deklaruar se të premten do ta vizitojnë edhe Rahovecin.

Merret vesh se forcat serbe ka filluar ndërkohë në Rahovec një aksion për fshehjen e gjurmëve të krimeve që kanë ushtruar ndaj popullsisë së pambrojtur. Ato kanë hequr trupat e të vrarëve e të masakruarve dhe po pastrojnë rrugët e përgjakura të qytetit.

Dje, prej orës 13:00 deri në orën 15:00, në varrezat e qytetit në Prizren janë hapur dy varreza masive, njofton Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dje Lirive të Njeriut në Prizren.

Në njoftim thuhet se mbi to ishin vënë mbishkrime me emrat: Bekim Bugari, Sadik Shala, Destan Sharki, Muharrem Kadiri, Mehmed Kadiri dhe Halit Hoxha. Mbi këto varreza janë vënë edhe shofrat: 1, 4, 8 dhe 10.

Drohet se në këto varreza masive janë varrosur më shumë viktima. Dëshmitarët okularë kanë pohuar se kufomat janë sjellë me dy traktorë. Ata tregojnë se kufomat e paidentifikuara kanë qenë të mbështjella me najlon, ndërsa 6 kufomat e identifikuara kanë qenë në arkivole.

 

 

Exit mobile version