Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
23 gusht 1993
Në ndeshjen e trenit me autobus në Pomozotin të Fushë-Kosovës humbën jetën 19 udhëtarë
Sot, rreth orës 6.30 të mëngjesit, treni i udhëtarëve që qarkullonte në drejtimin Fushë-Kosovë – Pejë, në vendkalimin Pomozotin të Fushë Kosovës, u përplas në autobusin e Eektroekonomisë së Kosovës, që po i dërgonte punëtorët në ndërresën e parë.
Sipas njoftimeve të para jozytare, të cilat i dha gjykatësi hetues, deri tani është konstatuar se në vendin e ngjarjes kanë vdekur 19 veta, kurse 17 të tjerë janë gjendje të rëndë shëndetësore.
Udhëtarët që morën lëndime të këtë ndeshje u vendosën në Klinikat e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.
23 gusht 1994
Represioni në Kosovë
Podujevë: – Dje në Dobërdol të Podujevës, me pretekst të kërkimit të amërve, u bastis shtëpia e Selman Hashim Gashit, i cili dorëzoi një pushkë të vjetër.
Dje policia serbe ishte edhe në shtëpinë e Abdullah Hakiqit në Podujevë. Pasi Abdullahu gjendet në botën e jashtme, policia kërkoi nga anëtarët e familjes që të paraqiten në polici dhe të dorëzojnë një pushkë dhe një revole.
Prishtinë: – Dje në fshatin Vranidoll të Prishtinës, në orën 9,15, u bastisën shtëpitë e Hajdin dhe Rrahim Bekollit. Nga nëna e këtyre dy vëllezërve u morën dy revole, pronë e bashkëshortit të saj që ka vdekur para katër vjetësh.
Në këtë fshat para katër ditësh ka qarkulluar shumë herë policia. Pardje, në orën 14,30, policët serbë të stacionit të Lluzhanit, me pretekst të kërkimit të armëve, morën Ruzhdi dhe Ilmi Statovcin nga lagja Kodra e Trimave. Nga Ruzhdiu policët kërkonin një automatik dhe një mitraloz. Ai u rrah nga policia dhe mori urdhër që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Lluzhan. Pejë: – Më 19 gusht, me pretekst të kërkimit të armëve, policia thirri për t’u paraqitur në stacionin e policisë Sherif Kastratin, Ahmet Tafilajn, Jakup Shalën dhe Adem Shalën nga fshati Dobërdol i Pejës.
Mitrovicë: – Policia serbe arrestoi në Gazivodë Fadil Hamitin (23) nga Mitrovica, i cili ishte nisur me autobus të “Kosovatransit” të Mitrovicës për në Ulqin. Policia zbriti Fadilin nga autobusi dhe ia dorëzoi pastaj policisë ushtarake serbe, e cilai e dërgoi në një kazermë të ushtrisë në Mitrovicë. Njoftohet se Fadili është marrë në ushtrinë serbe më 18 mars të vitit 1991, por ka dezertuar nga ushtria serbe në janar të vitit 1992.
Dje në fshatin Koshtovë të Gashit, komuna e Mitrovicës, policia kërkoi armë nga Xhavit Hajredini. Policia ka kërkuar nga ai që sërish të paraqitet në stacionin e policisë në Mitrovicë.
24 gusht 1994
Nga Greqia u kthyen 4 shqiptarë të vrarë
Ministria e Rendit Publik të Shqipërisë njoftoi dje se që nga 15 gushti i këtij viti, kur edhe filloi gjykimi i pesë shtetasve shqiptarë me përkatëse greke, nga Greqia u dëbuan 12.830 persona, prej të cilëve edhe 180 me dokumente të rregullta.
I njëjti burim po ashtu përmes RTSH njoftoi se nga kjo datë u kthyen edhe katër kufoma të të rinjëve që u vranë nga policia greke, më 19 gusht u kufoma e Hysen Gjokos (23), më 20 gusht e Ali Reçit (24), më 22 gusht e Driton Elez Muços (19) dhe më 23 gusht e Renato Selatin Muços (19).
23 gusht 1995
Në Kosovë janë vendosur 5 mijë e planifikohet të sillen edhe 7 mijë refugjatë serbë nga Kroacia
Ndonëse tashmë është e ditur se refugjatët serbë nga Kroacia nuk duan të vijnë në Kosovë, regjimi i Beogradit këmbëngul që Kosovën ta kolonizojë dhe serbizojë sa më shumë, duke i sjellë refugjatët nga Kroacia me dhunë.
Një delegacion i pushtetit të instaluar serb të Kosovës me në krye Millosh Neshoviqin dhe me disa zyrtarë të tjerë të Serbisë qëndroi dje në Apatin, ku siç thuhet, biseduan për zhvendosjen e refugjatëve serbë nga atje në Kosovë. Neshoviqi, i cili është një lloj gjysmëguvernatori për Kosovën, i deklaroi gazetës “Politika ekspres”: “Në rajonin e Kosovës aktualisht gjenden rreth 5.000 refugjatë nga Kraina dhe pa kurrfarë problemi mund t’i strehojmë menjëherë edhe 7.000 njerëz. Në Kosovë sot mund të ofrojmë shumë më tepër se në çdo pjesë të Serbisë. Në të gjitha 29 komunat po përshpejtohet parcelizimi i tokës, e cila së shpejti do t’u jipet refugjatëve për ta punuar. Çdo familjeje do t’i ofrojmë nga 2 hektarë toke të klasit të parë ose nga 3 hektarë të klasit të dytë e të tretë. Fjala është për tokën cilësore, me vreshta, kopshte dhe ara. Punë ka edhe për ata që duan të punojnë në ndërmarrje. Se cili është ky numër nuk e di, por pas disa ditëve edhe kjo do të dihet, pasi janë duke u evidentuar vendet e lira të punës”.
Siç shihet ky administrator serb fare nuk fsheh qëllimet e regjimit serb për kolonizimin e Kosovës me refugjatë serbë nga Kroacia.
Po kjo gazetë shkruan se përfaqësuesit e refugjatëve serbë shkuan në Kosovë, “për t’u bindur” se çfarë u ofrohet.
Me qëllim të shprishjes së strukturës homogjene etnike shqiptare, regjimi serb ka paraparë që në Skënderaj të dërgojë 400 refugjatë, por deri më tash nuk është sjellë asnjë refugjat serb. Kryetari i instaluar serb i Skënderajt Sima Simiq i deklaroi shtypit serb se komuna do t’ia falë nga tre hektarë tokë pune çdo familjeje serbe.
Kryetari i Kryqit të Kuq të Jagodinës i deklaroi agjencisë Tanjug se janë duke u evidentuar refugjatët serbë që do të dërgohen në Kosovë. Tashmë është evidentuar grupi prej 500 refugjatësh që do të dërgohet sot në Gjakovë.
Në komunën e Prizrenit regjimi ka sjellë 700 refugjatë, kurse këto ditë pritet të sjellë edhe 700 të tjerë. Për refugjatët komunarët serbë të Prizrenit ofrojnë nga tre hektarë tokë pune ose nga tre hektarë vreshta të klasit të parë dhe punësimin e nja 100 refugjatëve.
Shtypi serb vazhdon të shkruajë për gjoja ndihmën e “madhe” humanitare që po japin (apo më mirë të thuhet që po u merret) organizatat e individët për refugjatët. Një shoqatë e romëve të Gjakovës paska grumbulluar ndihma për refugjatët serbë, kurse romët e Gjilanit gjoja paskan kërkuar vendosjen e refugjatëve serbë në Kosovë!
23 gusht 1998
Sulme masive të forcave serbe në Suharekë
Sot në orën 5:30, forcat serbe kanë urdhëruar familjet e lagjes Bajraktari në Suharekë që të largohen nga shtëpitë e veta, ndërsa pak vonë, forca të mëdha serbe janë vendosur me tankse afër kësaj lagjeje dhe kanë filluar granaitmin e fshatrave Peçan, Reshan, Studeçan e Samadraxhë dhe nga ana e Biraçit, fshatin Sllapuzhan.
Banorët e këtyre fshatrave janë larguar në panik nga shtëpitë e veta, pasi sulmi ishte i rrufeshëm.
Në orën 7:30, një burim i LDK-së në Suharekë tha se sulmi po vazhdonte ende.
Sulm i ashpër i forcave serbe në Reçak të Shtimes
Sot, në orët e pasditës forcat serbe kanë sulmuar fshatrat Reçak e Belincë të Shtimes. Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Shtime njofton se këto dy fshatra janë në flakë, pasi shtëpive të këtyre dy fshatrave këmbësoria serbe ua ka vënë zjarrin.
Deri tash nuk dihet për të vrarë apo të plagosur.
Gjendja në këtë komunë është shumë e rëndë. Në orët e hershme të mëngjesit forcat serbe kanë filluar një sulm masiv kundër shumë fshatrave. Në mbrëmje, të gjitha rrugët po mbahen të bllokuara nga forcat serbe.
Foto: Suhareka
