Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
21 nëntor 1994
Gazeta suedeze “Folket”: Republika e Kosovës duhet të njihet si shtet sovran
Më 17 nëntor e përdithmja suedeze “Folket” nga qyteti Eskilstuna botoi një artikull me titull “Republika e Kosovës duhet të njihet si shtet sovran”.
Artikulli bën fjalë për historinë, traditat, kulturën dhe gjuhën shqipe dhe vazhdon me një pasqyrë të okupimit të Kosovës në vitin 1989 nga ana e Serbisë.
Shqiptarët, thuhet më tej në artikull, u përjashtuan nga puna për shkak të përkatësisë kombëtare, ata po vriten, burgosen, ndiqen, keqtrajtohen, helmohen; kundër tyre po aplikohet politikë e hapët e aparteidit dhe si pasojë e të gjitha këtyre po bëhet pastrimi etnik i shqiptarëve nga trojet e tyre.
Më tej në artikull bëhet fjalë për mençurinë e shqiptarëve në organizimin e partive politike, arsimit, shëndetësisë, ekonomisë së vogël, sistemit të shpërndarjes së ndihmave, sportit, kulturës etj., në kushte tejet të vështira.
Shqiptarët e Kosovës kanë shpallë Kushtetutën e vet në vitin 1990, kanë mbajtur Referendumin gjithëpopullor ku janë deklaruar për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, kanë mbajtur zgjedhjet e lira dhe shumëpartiake si dhe kanë zgjedhë presidentin e Republikës së Kosovës.
Në vitet e fundit shqiptarët e Kosovës, të prirë nga presidenti i Republikës së Kosovës dr.Ibrahim Rugova, kanë bërë mjaft për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke shtruar para bashkësisë ndërkombëtare kërkesat legjitime të popullit shqiptar. Shqiptarëve të Kosovës duhet t’u njihet e drejta për vetëvendosje. Republika e Kosovës duhet të njihet si shtet sovran dhe i pavarur.
Prandaj të mos harrohet Kosova! Përndryshe do të jetë burim i përhershëm i konflikteve dhe njollë e zezë e bashkësisë evropiane dhe botërore, thuhet në fund të artikullit të gazetës suedeze “Folket”, të cilin e hartoi Dega e LDK-së në Suedi.
21 nëntor 1995
Ngritet akuza e dytë për gjenocid kundër Fatos Nanos
Pas akuzës për gjenocid ndaj disa personave të vrarë në periudhën shkurt-mars 1992, Fatos Nano, lider i Partisë Socialiste, dhe ish-kryeministër para dhe pas zgjedhjeve të vitit 1991, i burgosur për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, tash akuzohet edhe për ngjarjet e 2 prillit të vitit 1991, në Shkodër, njofton ATSH.
Sipas këtij njoftimi të plagosurit e masakrës së Shkodrës, po përgatisin një aktakuzë që së shpejti do t’i kalojë prokurorisë. Në këtë akuzë kërkohet që së bashku me të dënuarit e tjerë për këtë ngjarje të ulen në bankën e të akuzuarve edhe urdhërdhënësit për gjenocidin e ushtruar ndaj popullit të kësaj zone.
Përkujtohet se më 2 prill të vitit 1991 në Shkodër u vranë 4 persona dhe u plagosën 57 të tjerë, shumica e të cilëve edhe sot vuajnë pasojat e plagëve të marra. Gjykata e rrethit për ngjarjet e atëhershme tashmë ka dhënë dënimin për 5 persona të akuzuar për vrasje, por ky vendim ka lënë të pakënaqur njerëzit të cilët duan që përpara drejtësisë të dalin autorët e vërtetë të krimit dhe urdhërdhënësit e tyre.
21 nëntor 1996
Në fatkeqësi komunikacioni humbi jetën prof.dr. Xhavit Ahmeti
Nga plagët e marra në një aksident komunikacioni në afërsi të Smederevës, sot në orën 11,30 vdiq prof.dr. Xhavit Ahmeti, këshilltar për arsim i kryetarit të Republikës së Kosovës.
Në aksidentin që ndodhi sot rreth orës 8 në autostradën Nish-Beograd, afër Smederevës, u lënduan rëndë edhe Mr. Fatmir Sejdiu, sekretar i përgjithshëm i LDK-së e Agim Spanca, vozitës në Kryesinë e LDK-së, ndërsa nënkryetari i LDK-së Hydajet Hyseni mori lëndime të lehta.
- Hyseni i tha QIK-ut se dr. Xhavit Ahmeti u dërgua me plagë të rënda në spitalin e Neurokirurgjisë në Beograd. Përgjegjësit e këtij spitali thanë se plagët ishin vdekjeprurërse.
Një përgjegjës i spitalit të Smederevës tha se me plagë të rënda në këtë spital gjenden mr. Fatmir Sejdiu dhe Agim Spanca.
Ndërsa Hydajet Hyseni ka marrë lëndime të lehta.
Funksionarët e lartë të LDK-së dhe këshilltari për arsim i kryetarit të Kosovës udhëtonin për në Beograd për të kryer punë në disa ambasada të vendeve perëndimore.
Me vdekjen e prof. dr. Xhavit Ahmetit, shkenca, arsimi dhe lëvizja për pavarësi e Kosovës humbën një prej personaliteteve më të shquara.
21 nëntor 1997
AFP: Franca dhe Gjermania kërkojnë palë të tretë në bisedimet për Kosovën
Prishtinë, 21 nëntor (QIK)
Në një mesazh të përbashkët të enjtën Franca dhe Gjermania kanë ftuar presidentin e Jugosllavisë që të fillojë bisedimet për një status special për Kosovën, ku 9 nga 10 banorët e saj janë shqiptarë etnikë, thuhet në një njoftim të agjencisë frenge AFP, në versionin anglisht.
Në një letër të dërguar, që mbanë datën e të mërkurës (19 nëntor -QIK), e cila i është dërguar presidentit Sllobodan Millosheviq, Ministrat e Punëve të Jashtme të Francës dhe Gjermanisë, Yber Vedren dhe Klaus Kinkel theksojnë se janë të gatshëm të diskutojnë me Millosheviqin për një numër zotimesh të favor të Jugosllavisë.
“As pavarësia për Kosovën e as status quo-ja nuk mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje paqësore dhe afatgjate për Kosovën”, thuhet në letër. Në versionin frengjisht të lajmit citohet pos kësaj fjalie edhe formulimi: “Një zgjidhje e qëndrueshme në nivelin evropian duhet të parashikojë një status të veçantë për Kosovën”.
Parisi dhe Boni kanë kërkuar nga autoritetet jugosllave të fillojnë bisedimet me shumicën shqiptare në Kosovë nën mbikëqyrje të palës së tretë.
“Vetëm një zgjidhje me negociata në mes përfaqësuesve të Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi), Republikës së Serbisë dhe komunitetit shqiptar të Kosovës mund të krijojë themelet për paqë stabile dhe të qëndrueshme në rajon, ndërsa një palë e tretë e pranuar nga palët negociuese do të duhej të mirrte pjesë në bisedime”, theksojnë liderët frengë dhe gjermanë.
Vedren dhe Kinkel do të udhëtojnë për në Bosnje më 4 dhjetor për të diskutuar përgatitjet për një konferencë, e cila to të analizojë rezultatet e marrëveshjes paqësore për Bosnjë të vitit 1995. Ata poashtu kishin planifikuar një vizitë në Serbi për të diskutuar gjendjen në Kosovë, por kjo vizitë është shtyer, thanë ata. Vizita ende qëndron në “orarin e tyre edhe pse është shtyrë për një kohë”, i kanë thënë ata Millosheviqit.
“Franca dhe Gjermania do të ndërmarrin nisma që Unioni Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare do të reagojnë pozitivisht ndaj çdo progresi drejt zgjidhjes paqësore të problemit të Kosovës”, thanë ata.
Në mesin e masave të parapara Vedren dhe Kinkel përmendin hapjen e misionit të UE-së në Prishtinë, kryeqytet i Kosovës, rivendosjen e marrëdhënieve normale diplomatike në mes të UE-së dhe Jugosllavisë, përkrahje përpjekjeve të Jugosllavisë për t’iu bashkuar Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, vazhdimin e marrëveshjes tregtare në mes të UE-së dhe Jugosllavisë dhe përparimin drejt qëllimit afatgjatë të riintegrimit të Jugosllavisë në institucionet ndërkombëtare si dhe ripërtrirjen e bashkëpunimit me UE.
21 nëntor 1998
Forcat serbe mbajtën dje në shtetrrethim fshatin Prejlep të Deçanit
Forca të shumta të ushtrisë dhe të policisë serbe gjatë tërë ditës së djeshme kanë mbajtur nën rrethim fshatin Prejlep të Deçanit për shkak të vrasjes së dy dhe plagosjes së katër policëve serbë në këtë fshat në rrethana ende të pasqaruara, njofton KI i Degës së LDK-së për Deçan.
Me këtë preteskt forca të mëdha serbe rrethuan në fillim tri shtëpitë e familjes Latifaj, të vetmet shtëpi të fshatit Prejlep që kanë mbetur pa u djegur, dhe në prani të anëtarëve të familjes në mënyrë barbare rrahën e torturuan vellezërit Azem dhe Hazir Latifaj që të dy pleq dhe djalin e Azemit, Musliun, 50 vjeçar. Më vonë këta tre persona forcat policore serbe i morën dhe i dërguan në drejtim të panjohur.
Forcat serbe në këto shtëpi kanë rrahur dhe kanë maltretuar edhe gratë dhe vajzat e këtyre familjeve, Zade dhe Gale Latifaj, pastaj vajzat e Azemit Ajmane e Zylfie si dhe dy vogëlushet e tij Shqipen dhe Gentianën.
Mbrëmë në orët e vona, me ndihmën e verifikuesve të Misionit të OSBE-së, janë liruar të gjithë këta persona. Mirëpo për shkak të dhunës së ushtruar nga forcat serbe, gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë.
Gjatë ditës së djeshme edhe në disa fshatra janë dëgjuar të shtëna nga automatikët.
Situatën në komunën e Deçanit e ka rënduar tepër edhe bora e cila tash dy ditë po bie pandërprerë, sidomos për ato familje të cilat ishin të zhvendosura në vende të tjera dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre të djegura e të rrënuara, thuhet në njoftim.
Foto: Xhavit Ahmeti
