Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
20 tetor 1993
Policia serbe sërish pengoi mësimin në Mitrovicë
Sot, në Mitrovicë, policia serbe katër herë ndërpreu mësimin në punktet 1 dhe 2 të gjimnazit “Frang bardhi”. Inspektorët serbë, të cilët më vonë kërkuan përforcime të policisë, fyen nxënësit dhe mësimdhënësit në baza kombëtare, si dhe i detyruan që menjëherë të ndërprejnë procesin mësimor.
Merret vesh se policët gjenden ende në lokalet e këtyre punkteve, si dhe rrahën nxënësin, Shenoll Muharremin.
20 tetor 1994
Ushtria serbe u vendos në afërsi të Gllogovcit
Më 17 tetor rreth orës 15:00, një njësit i ushtrisë serbe i përbërë prej 3 tanksash, 4 kamionësh dhe 3 llandroverësh, u vendos në malin afër lagjes së Berishajve në Duhanoll të Gllogovcit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogovc.
20 tetor 1995
Nëna u mor në polici në vend të djalit
Në shtëpinë e Bekim Ilazit nga Gjilani, me pretekst të kërkimit të armëve, më 13 tetor shkoi policia serbe dhe pasi ai nuk gjendej në shtëpi, mori nënën e tij, Salihen (52).
Kjo nënë u dërgua në stacionin e policisë dhe u mor në pyetje
për një revole të cilën policët e kërkojnë prej djalit të saj, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjilan.
Ajo pas disa orësh u lirua nga policia me kusht që të nesërmen në polici të paraqitet Bekimi.
Bekim Ilazi u paraqit të nesërmen në polici dhe u keqtrajtua për rreth një orë.
20 tetor 1998
Në Lybeqevë të Prizrenit, nga 220 shtëpi, vetëm 12 nuk janë rrënuar
Gjatë ofensivës së fundit të forcave të ushtrisë dhe policisë serbe në rajonin e Vërrinit, këto forca kanë vrarë 48 shqiptarë, si dhe kanë shkatërruar disa fshatra të kësaj ane.
Rami Shala, mësimdhënës nga fshati Lybeqevë i tha KI të Degës së LDK-së në Prizren se nga 500 nxënësit e dikurshëm shqiptarë në SHF “Mic Sokoli” të këtij fshati kanë mbetur vetëm 45 sish, të cilët janë kthyer në 12 shtëpi të parrënuara nga forcat serbe, të vetmet nga gjithsej 220 sosh. Për 45 nxënësit shqiptarë, që janë kryesisht të ciklit të ulët, është improvizuar një dhomë mësimi.
Foto: Drenasi (ish-Gllogoci)
