UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 shtator 1993-1998

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Ilustrim: Sulmi serb kundër Tususit dhe disa fshatrave të Prizrenit (në foto) ka vazhduar gjatë natës dhe sot

2 shtator 1993

Policia serbe pengoi hyrjen në objektet shkollore në Kosovë

Në ditën e parë të vitit shkollor mbi 350 mijë nxënës e 18.500 arsimtarë të shkollave fillore e të mesme në Kosovë tentuan të hynë në objektet e tyre shkollore.

Fatkeqësisht, në të gjitha shkollat e mesme dhe fillore, të cilat kanë qenë të penguara vitin e kaluar, nxënësve e arsimtarëve shqiptarë i ndalua me forcë hyrja në objektet e tyre shkollore. Pothuaj se para dhe brenda secilit objekt shkollor ishin stacionuar policia dhe pjesëtarët e sigurimit serb.

Sipas informatave që kemi, gjendja më e rëndë është në Klinë, Mitrovicë, Lipjan, Kijevë, Istog etj.

Në Klinë, gjatë arrestimit të arsimtarëve dhe nxënësve, një i ri iku, ndërsa policia shtiu me automatikë në drejtim të tij. Policia arrestoi 15 mësimdhënës, kurse brutalisht u rrahën Ramadan Krasniqi, Muhamet Maloku, Xhafer Bashota, Bajram Desku, Gani Doçi, Lekë Lekaj, Ganimet Mrasori, Ferik Raci dhe Ramiz Raci.

Në Mitrovicë u arrestuan drejtorët Shemsedin Koshi e Nusret Ibishi, kryetari i LASH-it Ali Topalli, pedagogu Latif Hajrizi dhe profesori Besim Xërxa. Gjatë intervenimit policia rrahu një nxënës të Gjimnazit.

Në Lipjan u arrestua drejtori i shkollës së mesme Ruzhdi Hajdini, ndihmës drejtori Adil Rashiti, kurse në bisedë informative u morën mësimdhënësit Fatmir Sopa, Bahri Pllana, Ali Sopa, Sabit Haliti, Shaban Krasniqi, Shefki Gashi, Sejdullah Morina dhe Shaban Abazi e u legjitimuan mbi 30 mësimdhënës të shkollës së mesme.

Gjatë ndjekjes së nxënësve dhe arsimtarëve të shkollës së mesme në Kijevë policia serbe rrahu dhe arrestoi mësimdhënësin Sejdi Racin.

Në Vushtrri policia legjitimoi të gjithë mësimdhënësit e shkollës fillore “Dituria” dhe i kërcënoi ata fizikisht.

Në Istog policia serbe pengoi hyrjen e nxënësve shqiptarë në objektin e tyre shkollorë dhe arrestoi drejtorin e shkollës së mesme “Haxhi Zeka”, Ahmet Rugovën.

Në ditën e dytë në Suharekë, rreth orës 8,00, para objektit të shkollës së mesme policia serbe arrestoi profesorin Sulejman Gashin dhe dy nxënës.

Gjatë kontakteve që kanë pasur komisionet e caktuara të shkollave përkatëse me drejtoritë e dhunshme, hyrja në objektet shkollore iu është kushtëzuar me pranimin e shtetit serb dhe plan-programeve serbe. Ka raste kur komisioneve të caktuara, si në Podujevë, Fushë Kosovë, Prishtinë etj, u është thënë se pranohen apo s’pranohen plan-programet serbe, për shqiptarët nuk ka dhe

as që do të ketë objekte shkollore, sepse këtu është Serbi.

Merret vesh se mësimi u pengua në 56 shkolla të mesme dhe në këto shkolla fillore: “Lidhja e Prizrenit – Deçan, “Nazim Berati” – Dragash, “Haki Stërmilli” – Zoçishtë – Rahovec; “Shaban SHala” -Podujevë; “Asdreni” – Jabllan; “V.Bashkimi” – Jasenovik (Novo Bërdë); “7 Shtatori” – Vitomiricë – Pejë; “Dituria” – Vushtrri, “Shtjefën Gjeçovi” – Janjevë; “Vëlezërit Frashëri” – Lipjan; “Martin Camaj” – Gjurakoc; “Bajram Curri” – Istog; “Faik Konica” – Prishtinë; “Mihal Grameno” dhe “Selman Riza” – Fushë Kosovë; “Konstantin Kristoforidhi” – Nerodime; “Abetarja” – Softaj; “Dituria” – Tankosiq dhe “Jeronim De Rada” – Ferizaj, “Faik Konica” dhe “Gjon Serreqi” në Viti.

Duke pamundësuar mbajtjen e mësimit shqip në objektet shkollore, regjimi serb i detyroi nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore që mësimet t’i ndjekin nëpër objekte private.

Fillimin e vitit të ri shkollor në Kosovë e përcollën edhe mjetet serbe të informimit, të cilat e heshtin fare represionin serb mbi nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë. Për më tepër, gazetat si “Jedinstvo”, “Borba”, etj., shkruajnë se nxënësit shqiptarë nuk deshën të hyjnë nëpër objektet shkollore, me arsyetim se ata nuk duan të mësojnë sipas planprogrameve të Serbisë”.

 

 

2 shtator 1995

Së paku 51 familje të bastisura në fshatrat Glloxhan, Baballoq, Shaptej dhe Gramaqel të Deçanit

Pa incidentit të pasqaruar në stacionin e policisë serbe në fshatin Irzniq të Deçanit, me pretekst të kërkimit të përgjegjësve, policia serbe bastisi shumë familje në fshatrat Shaptaj e Glloxhan të Deçanit. Bastisja filloi në orën 16:00 dhe zgjati deri në orët e vona të natës.

Sipas njoftimeve të deritashme të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në fshatin Shaptaj policia rrahu, maltretoi dhe shkaktoi dëme gjatë bastisjes së 24 familjeve.

Njoftohet se janë bastisur këto familjet e Beqir, Ali, Sali, Fetah, Daut, Curr dhe të Qaush Lushajt, Isuf, Demë e Rrustem Ramajt, Ukë, Selim e të Murat Beqirajt, Shemsi Muslijajt, Kadri Delijajt, Sadri Mahmutajt, Azem, Tahir, Adem, Zeqir dhe Miftar Hajdarajt, Zenel, Dush, Jahë dhe Agush Beqirajt.

Pas fshatit Shaptaj, kjo ekspeditë e policisë u kthye në fshatin Gllogjan dhe bastisi familjet e Nexhat Derivshajt, Besim Haradinajt, Smajl Mehmetit, Daut dhe Sylejman Zeqirajt, Demë, Magjun dhe Muharrem Sejfijajt, Mehmet Arifajt, Sefë Zeqirajt, Adem, Mustafë dhe Misin Keqajt dhe Jonuz Dervishajt. Policët me këtë rast thyen dyert dhe rrahën kalimtarët e rastit.

Gjatë kësaj ekspedite policët serbë shtinin edhe me armë zjarri, por për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz.

Një familjeje iu vra qeni.

Aksion rifilloi edhe sot. Në orën 7,30 forca të mëdha të policisë bastisën fshatrat Baballoq dhe Gramoqel.

Sipas njoftimeve, në fshatin Baballoq deri tani janë bastisur familjet e Rexhe Gjopcajt, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Deçan, Ukë Humajt, Sali Batushës, Misin Metajt dhe Xhavit Qallakut.

Ndërsa në fshatin Gramoqel bastisja filloi në orën 9,30. Njoftohet se janë bastisur familjet e Kadri Mushkolajt, Haxhi dhe Daut Rexhajt, Demë, Hasan dhe Tahir Malokajt dhe Ukë Sejfijajt. Edhe kjo ekspeditë e policisë serbe ishte brutale.

Policia vazhdimisht u kërcënohej familjeve: “Ose gjeni ‘atentatorët’ ose do t’u shpërngulim të gjithëve në Shqipëri!” – njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan.

Situatën e vështirë në Deçan e analizoi edhe Kryesia e Degës së LDK-së në Deçan.

Në mbledhjen e saj të zgjeruar me kryetarët e nëndegëve, situata u cilësua se mjaft të rëndë dhe me tendenca të ashpërsimit të mëtejmë të saj.

Pas ngjarjes në Irzniq para katër ditësh, kur në një incident të pasqaruar thuhet se u plagosën dy policë, në emër të kërkimit të përgjegjësve të incidentit u bastis lagjja e Mushkolajve, ndërsa mbrëmë dhe sot në mëngjes u bastistën fshatrat Gllogjan, Baballoq, Shaptej dhe Gramoqel. Sipas njoftimeve të deritashme janë bastisur 51 shtëpi dhe janë keqtrajtuar shumë qytetarë.

Kryesia e Degës së LDK-së reagon ashpër kundër këtyre akteve brutale e represive që kanë për qëllim tensionimin maksimal të situatës në Kosovë deri në shkallë shpërthimit.

Kryesia e Degës së LDK-së shfaq bindjen se qytetarët e kësaj komune do t’ia dalin edhe në këtë situate të rëndë, duke përballuar terrorin me bindje të plotë se perspektiva është në anën e atyre që çmojnë deri në viktimizim dhe që kërkojnë lirinë që u takon, pa cenuar lirinë e të tjerëve, thuhet në mes të tjerash, në reagimin e Kryesisë së Degës së LDK-së në Deçan, njofton Komisioni për Informim.

 

2 shtator 1997

Policia serbe shqetëson nxënësit para shkollave

Forcat e policisë serbe janë stacionuar në hyrje të disa shkollave të Prishtinës ku mësojnë nxënësit shqiptarë e serbë. Kështu, dje e sot policia po qëndron para hyrjes në oborrin e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Kodër të Diellit, duke frikësuar nxënësit shqiptarë.

Ka njoftime se policia serbe po mban nën mbikëqyrje edhe disa shkolla të tjera.

 

Policët kërkuan heqjen e shqiponjës nga gazeta e murit!

Më 31 gusht, policët ndaluan në rrugë Naser Osmanajn, drejtor i shkollës fillore “M. Camaj” në Gurrakoc dhe e pyetën atë rreth fillimit të vitit të ri shkollor.

Po këtë ditë, policët shkuan në lokalet e kësaj shkolle dhe drejtorin e punëtorin ndihmës i urdhëruan që nga gazetat e murit të shkollës të heqin një shqiponjë, njofton KI i Degës së LDK-së në Istog.

Po ky komision bën me dije se më 27 gusht, rreth orës 23. 30, përgjatë rrugës së fshatit Dreje, katër policë të stacionit të policisë në Gurrakoc shtinë disa rafale me armë zjarri, duke shkaktuar shqetësim tek banorët shqiptarë të kësaj ane.

 

 2 shtator 1998

Sulmi serb kundër Tususit dhe disa fshatrave të Prizrenit ka vazhduar gjatë natës dhe sot

Thuhet se mbrëmë janë dërguar në spital 7 të vrarë. Ka shumë të plagosur. Rreth 20 mijë njerëz janë dëbuar e larguar nga shtëpitë e veta

Gjatë gjithë natës dhe sot po vazhdojnë sulmet serbe kundër lagjes Tusus të Prizrenit dhe fshatrave Lubiçevc, Leskovec, Lez, Kushnin, Jeshkovë, Hoçë e Qytetit, Billushë e Poslish, që gjenden bri rrugës Prizren – Zhur. Gjatë sulmeve të djeshme janë vrarë dhe plagosur shumë shqiptarë. Thuhet se mbrëmë në orën 19:00 në spitalin e Prizrenit janë dërguar shtatë të vrarë.

Aktivistët e Degës së LDK-së në Prizren i thanë sot QIK-ut se gjatë gjithë natës janë dëgjuar granatimet dhe janë parë flakët e shtëpive që po digeshin në fshatrat që gjenden rreth 7 km. larg Prizrenit.

Sulmi po vazhdon edhe sot sulmet, ndërsa në drejtim të fshatrave të sulmuara shkojnë vazhdimisht forca serbe.

Nga zona e sulmuar dje është larguar popullsia. Nga lagjet Tusus dhe Bajram Curri të Prizrenit janë larguar dje rreth 10 mijë vetë, të cilët kanë gjetur strehim në pjesët tjera të qytetit. Aktivistët e LDK-së në Prizren thanë se gjatë natës në një familje janë vendosur edhe deri 50 të larguar. Mirëpo numri i atyre që kërkojnë strehim është i madh edhe sot.

Gjendja më e rëndë është për mbi 10 mijë banorë të fshatrave Lubiçevc, Leskovec, Lez, Kushnin, Jeshkovë, Hoçë e Qytetit (fshati më i madh i komunës), Billushë dhe Poslish, të cilët nuk kanë mundur të arrijën në qytet. Këta banorë janë strehuar në male dhe mbahen të rrethuar nga forcat serbe të përqendruara në Opojë, në anën e Cvilenit dhe përgjatë rrugës Prizren-Zhur-Dragash.

Nga Prizreni mirret vesh se vëzhguesit ndërkombëtarë kanë bërë përpjekje të depërtojnë drejt zonës së sulmuar, por nuk kanë pasur mundësi.

 

Arrin në pesë numri i të vrarëve në Rusinoc

Nga Gllogoci njoftohet se ka vdekur Fatime Sinani (60), e cila u plagos të martën gjatë granatimeve serbe në fshatin Rusinoc. Të martën u bë me dije se gjatë këitj granatimi ishin vrarë katër shqiptarë dhe ishin plagosur shtatë të tjerë. Aktivistët e Degës së LDK-së në Gllogoc njoftojnë se në mesin e këtyre të plagosurve janë edhe Fehmi Neziri (52) e Xhemë Meha (40) që të dy nga Fushtica e Ulët në Gllogoc dhe Blerim Sinani nga Rusinoci.

Njoftohet se në Kleçkë të Malishevës u plagos Halil Thaçi (35) nga lagjja Pocërk e Llapushnikut të Gllogocit.

 

Në Kosovë janë zhvendosur 417.483 shqiptarë

Sektori për Emigracion dhe Refugjatë i LDK-së njofton se prej fillimit të agresionit policor e ushtarak serb në Kosovë e deri më tash janë zhvendosur së paku 417.483 njerëz.

Agresioni serb ka qenë veçanërisht i përqëndruar kundër komunës së Klinës, Gjakovës, Gllogocit, Deçanit, Skënderajt, Malishevës, Rahovecit, Pejës, Suharekës, Shtimes, Mitrovicës, Vushtrrisë, Fushë-Kosovës, Obiliqit, Ferizajit e Prizrenit.

Në njoftimin e këtij sektori thuhet se janë sulmuar gjithsej 391 fshatra, ndërsa 266 prej tyre janë granatuar. Nga 257 fshatra popullsia është larguar në tërësi.

Të larguarit nga shtëpitë e vendet e veta janë vendosur në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në shtetet perëndimore.

Në Shqipëri janë vendosur rreth 20 mijë refugjatë. Në Mal të Zi shqiptarët janë vendosur në Ulqin: 16.403, në Plavë e Guci: 7.837, në Rozhajë: 8.740 dhe në Tuz: 2.204.

Në Kosovë më së shumti refugjatë kanë gjetur strehim në komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë, Ferizajt, Prizrenit e Prishtinës.

Në disa komuna zhvendosja ka përfshirë mbi 50 për qind të popullsisë. Kështu për shembull, Klina i kishte 52.000 banorë para fillimit të agresionit serb, ndërsa numri i të zhvendosurve nga kjo komunë është 35.700. Deçani kishte 55.000 banorë, ndërsa numri i të shpërngulurve është 25.000. Skënderaj kishte 65.000 banorë, ndërsa janë larguar 40.000 vetë. Nga Malisheva me 55.000 banorë janë larguar 40.800. Rahoveci kishte 60.000 banorë, ndërsa janë larguar 34.600 vetë. Nga Suhareka me 70.000 banorë janë larguar 45.000. Shtimja kishte 34.000, ndërsa janë larguar 14.200 vetë.

Një numër shumë i madh i shqiptarëve është zhvendosur edhe nga komunat e Pejës: 36.650, nga Gjakova 50.000, nga Fushë-Kosova 9.000, nga Obiliqi 6.000, etj.

Më së shumti refugjatë janë vendosur në Mitrovicë 31.628, në Vushtrri 25.000, në Prizren 32.000, në Prishtinë 18.636 etj.

 

Exit mobile version