UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 19 qershor 1993-1998?  

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Hani i Elezit

 19 qershor 1995

Ushtarët serbë vranë një fëmijë në Han të Elezit

Mbrëmë (18 qershor) në orën 19:40 minuta, një ushtar serb vrau fëmijën 10 vjeçar Isa (Muhamet) Berisha (1985) nga Hani i Elezit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit.

Fëmija u vra brenda në oborrin e kazermës që gjendet skaj hekurudhës në Han të Elezit.

Supozohet se fëmija i ndjerë hyri në oborrin e kazermës që është larg shtëpisë së tij rreth 70 metra për ta marrë dhinë, pasi deri tash vetë ushtarët serbë i lejonin banorët të hynin në oborr të saj për t’i nxjerr kafshët e tyre.

Në një njoftim të mëvonshëm nga Hani i Elezit bëhej me dije se vogëlushi diku rreth orës 19:00 kishte kërkuar një enë me ujë nga nëna e tij. I pyetur nga nëna e tij se ku po e dërgonte ujin, ai kishte thënë se po ia dërgonte një ushtari.

Familja e mori lajmin për vrasjen e Isait pas mesnatës.

Sot herët në mëngjes eprorë të ushtrisë serbe i thanë familjes se mund ta marrë kufomën sot në orën 11:00 në spitalin e Prishtinës.

Në hapësirën e Hanit të Elezit, në zonën kufitare të Kosovës me Maqedoninë, forcat okupuese serbe kanë ushtruar terror kundër shqiptarëve, duke vrarë e plagosur banorë të zonës dhe kalimtarë të rastit.

Vogëlushi Isa Mustafa është viktima e shtatë shqiptare në Kosovë që e pëson drejtpërdrejtë prej forcave serbe apo presionit të tyre gjatë këtij viti.

 

19 qershor 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Pejë: – Më 17 qershor, në stacionin e policisë serbe në Pejë, inspektorët e sigurimit serbë për herë të dytë morën në pyetje Kimete S. Haxhiaj, studente e Fakultetit Ekonomik të UP-së nga Llabjani. Ajo u pyet për motrën e saj Nysrete Haxhiaj, e cila tash një kohë gjendet në botën e jashtme, ndërsa njoftohet se deri tash për këtë shkak është disa herë u mor në pyetje edhe babai i saj Sylejman Haxhiaj.

Ditëve të fundit, policia serbe kërkoi në shtëpinë e tij edhe Agim B. Gashin (1971) nga fshati Qyshk. Shkaku i kërkimit të tij nga policia serbe nuk dihet, ndërsa njoftohet se ai tash një kohë gjendet në botën e jashtme.

Prizren: – Nuhi Bytyçi, këshilltar në Këshillin Komunal të Arsimit të Prizrenit u mor dje në pyetje në sigurimin serb në këtë qytet.

Ai u pyet për punën e tij, për punën e shkollës fillore të Mushnikollës e veçanërisht për vendosjen e kompjuterëve të fondacionit “Shoqëria e Hapur”. Më pas nga ai u kërkua edhe një revole.

Nga z. Bytyçi u kërkua të dorëzojë në sigurimin serb planprogramet e punës së këshilltarëve, raportet e tyre për secilën shkollë, për rregulloren e KKA të Prizrenit dhe librezat e qarkullimit të dy veturave, pronë e këtij këshilli. Edhe pse dorëzoi të gjitha këto, ai u urdhërua që të paraqitet nesër në orën 8 në polici.

Istog: – Më 17 qershor, policia mori në shtëpinë e tyre vëllezërit Ramiz dhe Hasan Dreshajn nga fshati Vrellë dhe i keqtrajtoi rëndë fizikisht. Prej tyre policët kërkuan një revole, të cilën gjoja e poseduakan pa leje. Ata janë urdhëruar që në polici të paraqiten sërish më 1 korrik dhe të dorëzojnë armën që u kërkohet. Me të njëjtin pretekst ata janë keqtrajtuar edhe katër herë të tjera.

Sot, në pyetje në polici u mor Malush Shatri nga fshati Tomoc. Ai u pyet për Xhafer Shatrin, Ministër i Informatave i Republikës së Kosovës, për adresën e tij, etj.

 

19 qershor 1998

Deçan: Njoftohet edhe për tre të vrarë

Nga komuna e Deçanit njoftohet edhe për katër shqiptarë të vrarë gjatë ditëve të fundit.

Në Drenoc janë vrarë Arben Kukleci (24) nga Isniqi dhe Blerim Lokaj (23) nga Prejlepi.

Është bërë e ditur se është vrarë edhe Beqë Imer Lokaj (82) nga Deçani, ndërsa në mungesë të kujdesit mjekësor ka vdekur Nezir Adem Cacaj (93) nga Deçani. Të dy kishin mbetur të mbyllur në Deçan që nga 29 maji.

Numri i të vrarëve gjatë javëve të fundit në komunën e Deçanit arrin në 66.

Exit mobile version