Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Disa shqiptarë të vrarë në përpjekje për të kaluar kufirin me Malin e Zi (Kallugjerski llaz, vendi ku u ekzekutuan civilët)
19 gusht 1993
Refugjatët shqiptarë janë refugjatë të dhunës
Në Ministrinë zvicerane të Punëve të Jashtme në Bernë, siç shkruan gazeta e sotme “Bujku”, u mbajt një takim pune me Velti Filin, i ngarkuar në Ministrinë zvicerane të Punëve të Jashtme për çështje të Evropës Lindore dhe përfaqësueses të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Edita Tahiri. Me këtë rast, zyrtari zviceran u njoh me situatën e rëndë dhe shpërthyese në Kosovë, veçmas pas përzënies së vëzhguesve të KSBE-së. Pastaj u kërkua nga qeveria zvicerane që të japë kontributin e saj për parandalimin e mundshëm të konfliktit, konflikt ky që do të godiste tërë rajonin e Ballkanit. Po ashtu u kërkua angazhimi i Zvicrës që në Kosovë të vendosen forcat e NATO-s ose të OKB-së si dhe vënia e Kosovës nën kontrollin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Gjatë këtij takimi u përmend fakti se 90 për qind e popullit shumicë, pra shqiptarët, është e rrezikuar nga pakica serbe, e cila është armatosur me armët më moderne dhe po ndihmohet nga regjimi serb i Beogradit, ndërsa njësitë e Arkanit dhe të Sheshelit po shëtisin për të provokuar shqiptarët. Prandaj, u kërkua nga pala zvicerane që të ketë mirëkuptim ndaj refugjatëve shqiptarë dhe ata t’i konsiderojë refugjatë të dhunës, pasi popullit shqiptar i është rrezikuar siguria kolektive. U kërkua gjithashtu që Kosova të ndihmohet në planin humanitar, si dhe të bëhen përpjekje për hapjen e një korridori ajror për dërgimin e këtyre ndihmave.
Gjatë kësaj bisede pala zvicerane theksoi se gjendja në Kosovë ndiqet për së afërmi dhe ajo insistoi për bashkëpunim të dyanshëm si dhe vazhdimin e opsionit paqësor.
19 gusht 1994
Në Suharekë edhe dy familje shqiptare u nxorën me dhunë nga banesa
Më 13 gusht, pushteti serb me vendim gjyqësor theu banesën e Hafir Gashit në Suharekë, në të cilën u vendos familja serbe Stanisavleviq, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Suharekë.
Hafir Gashi ka disa muaj që ka shkuar në Holandë për të siguruar bukën e gojës.
Ndërkaq, pardje, po ashtu me vendim gjyqësor, policia serbe urdhëroi edhe Sinan Hajdarin që ta lirojë banesën. Të nesërmen në banesën e tij u vendos po ashtu një familje serbe.
Sinan Hajdarit banesa i qe ndarë para 12 vitesh nga Kuvendi komunal i Suharekës, ku edhe punonte.
19 gusht 1995
Në Kosovë janë vendosur 2.350 refugjatë serbë
Në Kosovë deri më tash, sipas Kryqit të Kuq të kontrolluar nga serbët, kanë arritur 2.350 refugjatë nga Kroacia, njofton agjencia beogradase “Beta”.
Mirëpo, shtypi serb shkruan se në Kosovë gjenden 3.000 refugjatë. Shumica e këtyre refugjatëve është vendosur nëpër hallat sportive, konviktet e nxënësve e studentëve dhe një numër i vogël nëpër hotele e nëpër shtëpi private.
19 gusht 1997
Vriten 6 vetë afër Kuçovës
Gjashtë vetë anëtarë të një bande kanë vdekur dje nga përleshja me një bandë tjetër në qendër të komunës së Perondisë, 3 kilometra larg nga qyteti i Kuçovës.
Burime të komisariatit të policisë të Kuçovës, bëjnë të ditur për ATSH-në se 6 persona, shumë të kërkuar nga policia për krimet e tyre të njëpasnjëshme, kanë mbetur të vrarë dje nga një mori e madhe plumbash.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 5. 00 të mëngjesit, të 6 banditët kishin dalë nga Kuçova me automjetin e tyre dhe në Perondi u ndodhen nën zjarrin e papritur të automatikëve, mitrolozëve dhe granathedhësve.
Prita, thekson burimi, duhet të ketë qenë tepër e organizuar, e si pasojë, personat në autoveturë, nuk kanë arritur të reagojnë”.
Sipas të dhënave të deritanishme, rezulton se janë vrarë vëllezërit Ilir dhe Vladimir Spahiu, 33 dhe 35 vjeç, të dy të dënuar më parë për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë. Gjithashtu, është vrarë Ilir Tahiri, 29 vjeç, i dënuar më parë për vrasje me dashje dhe i larguar nga burgu, vëllai i tij, Edmond Tahiri, 26 vjeç i dënuar për vjedhje. Bashkë me ta janë gjetur të vrarë edhe Gentian Kosova, 27 vjeç dhe Klodian Rizaj, 21 vjeç.
Vrasja e tyre mendohet të jetë bërë për hakmarrje, ose larje hesapesh midis bandave rivale që veprojnë në këtë qytet. Me emrin e kësaj bande mendohet të jetë e lidhur edhe vrasja e para 3 ditëve e shtetasit Flamur Mielli dhe plagosja dje e shtestasti Edmond Lezo.
Policia ka nisur menjëherë hetimet. Në automjetin ku ishin viktimat u gjendën arëm automatikë dhe pistoleta, njofton “Bujku”.
19 gusht 1998
Deçan: Disa shqiptarë të vrarë në përpjekje për të kaluar kufirin me Malin e Zi
Forcat serbe vranë gjatë ditëve të fundit mbi dhjetë shqiptarë, që u përpoqën të ikin nga zonat e luftës dhe të shkojnë në drejtim të Malit të Zi, njofton KI i Degës së LDK-së në Deçan.
Njoftohet se në drejtim të Malit të Zi edhe sot është nisur një numër i madh i shqiptarëve.
Gjendja humanitare në komunën e Deçanit është shumë e rëndë dhe banorët rrezikohen seriozisht nga katastrofa humanitare. Bëhet e ditur se aktualisht në Bjeshkët e Strellcit po qëndrojnë mbi 10 mijë civilë shqiptarë pa ushqime, ilaçe e gjësende më elementare për jetë.
