Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
18 tetor 1993
Në Universitetin e Prishtinës ende ka vende të lira
Edhe pas përfundimit të afatit të dytë të regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës, ende ka vende të lira në Fakultetin Filozofik, Fakultetin Filologjik, Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakultetin e Bujqësisë, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës, Fakultetin e Makinerisë, Fakultetin Xehetaro-Metalurgjik në Mitrovicë dhe në të gjitha shkollat e larta.
Në njoftimin e gazetës “Bujku” thuhet se ka mundësi që të regjistrohen edhe ata maturantë që nuk ishin regjistruar në dy vitet e mëparme.
Kandidatët e interesuar për regjistrim mund të paraqiten brenda kësaj jave në fakultetet dhe shkollat e larta, ku ende kanë mbetur vende të lira.
18 tetor 1994
Në Skënderaj të rinjve po u shpërndahen thirrje për ushtri
Në komunën e Skënderajt ditëve të fundit, ashtu si në komunat tjera të Kosovës, autoritetet ushtarake serbe po u shpërndajnë thirrje për ushtrinë serbe të rinjëve shqiptarë, të lindur më 1977.
Mirëpo thirrje për të shkuar në ushtrinë serbe këto ditë mori edhe Shkëlzen Muçaj (1972) nga Skënderaj, i cili ka dezertuar nga radhët e ushtrisë ish-jugosllave.
18 tetor 1995
Mbi 700 kolonë serbë në Mitrovicë
Në nja dhjetë punkte të Mitrovicës tashmë janë vendosur më se 700 kolonë serbë nga Kroacia.
I ashtuquajturi shtab komunal për strehimin e kolonëve thuhet se po bën “përpjekje për t’u siguruar atyre kushtet më të domosdoshme për jetë”.
Në Mitrovicë tashmë janë punësuar 230 kolonë, shumica e tyre në repartet e “Trepçës”, prej nga para disa vjetësh u dëbuan punëtorët shqiptarë. Sipas shtypit serb në shkollat e Mitrovicës janë regjistruar 90 fëmijë të kolonëve serbë, kurse në katër shkollat e mesme të saj mësimet i ndjekin 45 nxënës të kolonëve.
18 tetor 1997
Në burgun e Beogradit vdiq Jonuz Zeneli nga Ballabani i Prishtinës
Jonuz Zeneli (55) nga Ballabani i Prishtinës, baba i gjashtë fëmijëve, vdiq dje në spitalin e burgut të Beogradit, ku ishte dërguar për shërim për shkak të gjendjes tepër të rëndë shëndetësore, si pasojë e torturave të ushtruara ndaj tij në organet hetimore serbe në Prishtinë.
Për vdekjen e tij familja ishte njoftuar nga policia serbe. Pas marrjes së lejes nga organet serbe, pjesëtarë të kësaj familje kanë shkuar për ta marrë kufomën e të ndjerit në Beograd.
Jonuz Zeneli ishte burgosur më 30 prill të këtij viti në Prishtinë, nën akuzën për kryerjen e veprave të “terrorizmit” dhe gjatë procedurës hetimore ishte keqtrajtuar rëndë me qëllim të nxjerrjes së dëshmive vetakuzuese.
Në një gjendje të rëndë shëndetësore, ai u dërgua dhe u mbajt tri javë në burgun e Lipjanit, ku gjendja e tij shëndetësore nuk u përmirësua fare. Pas kërkesës së familjes që të lejohej mjekimi i tij në ndonjë spital, para një muaji, organet e këtij burgu e dërguan z. Zeneli në spitalin e burgut të Beogradit, ku vdiq dje.
Një i afërm i familjes, që e kishte vizituar para tri ditësh në këtë burg, tha se gjendja shëndetësore e Jonuzit ishte mjaft e rëndë. Ai tha se Jonuzi nuk kishte pasur asnjëherë probleme shëndetësore.
Më 27 korrik të këtij viti gjykata e instaluar serbe në Prishtinë ngriti aktakuzën kundër 21 shqiptarëve të akuzuar për kryerjen e veprave terroriste, në mesin e të cilëve ishte edhe Jonuz Zeneli.
Prej janarit të këtij viti kur filloi aksioni i arrestimeve e hetimeve kundër shqiptarëve me pretekst se kanë bërë vepra terroriste, Jonuz Zeneli është viktima e tretë e dhunës policore. Më parë, në procedurën hetimore në Prishtinë, më 23 shkurt qe mbytur me torturë Besnik Restelica (30) nga Podujeva. Ndërsa pardje, në rrethana të pasqaruara, policia serbe vrau në Kliçinë Adrian Krasniqin (25) nga Vranoci i Pejës, i cili në këtë aktakuzë llogaritej si i arratisur dhe atij do t’i bëhej gjyq në mungesë.
Mbytja me torturë e B. Restelicës ishte një element presioni ndaj të akuzuarve të tjerë gjatë procedurës hetimore. Ndërsa vrasja e A. Krasniqit dhe mbytja e J. Zenelit janë një element i ri presioni ndaj të akuzuarve që do të nxirren së shpejti para gjyqit.
Procesi i paralajmëruar kundër këtij grupi për 27 tetor të këtij muaji është procesi i tretë i montuar gjyqësor që do të organizohet këtë vit kundër shqiptarëve. Në dy procese të tilla, për 35 shqiptarë, gjykata e instaluar serbe në Prishtinë ka shqiptuar 371 vjet burg.
18 tetor 1998
Në morgun e spitalit të Gjakovës gjendet trupi i një të riu
Njoftohet se mbrëmë policia serbe solli në morgun e spitalit të Gjakovës, trupin e pajetë të një të riu shqiptar, (rreth moshës 22 vjeçare), që supozohet të jetë nga fshati Krelan i Gjakovës. Tash për tash identiteti i tij nuk dihet. Supozohet se ka edhe të plagosur të cilët nuk janë nën mbikëqyrjen mjekësore.
KI i LDK në Gjakovë njofton se ushtria dhe policia serbe po ua vë flakën edhe atyre pak shtëpive që kanë mbetur pa u shkatërruar në trevën e Rekës së Keqe, si në Ponoshec, Molliq, Brovinë, Smolicë etj.
Përndryshe në komunën e Gjakovës vazhdon të përkeqësohet gjendja e të zhvendosurve për shkak të mungesës së ushqimeve, veshmbathjeve e ilaçeve. Ato pak ndihma që kanë arritur deri më tash nuk i përmbushin as për së afërmi nevojat e mëdha të afro 60 mijë banorëve të zhvendosur në këtë komunë.
Foto: Universiteti i Prishtinës
