UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 17 nëntor 1992-1998? 

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

17 nëntor 1992 

Maqedonia njënacionale rrezik për Ballkanin

Kryetari i Partisë Demokratike Popullore me seli në Tetovë, Nijazi Halimi, i dërgoi letër kryeministrit grek Konstatin Micotakis. Të brengosur thellë për fatin e popullit shqiptar në Maqedoni, thuhet veç tjerash në këtë letër, por edhe të grupeve të tjera nacionale e etnike josllave, propozojmë që si argument plotësues dhe mjaft relevant para bashkësisë ndërkombëtare përkitazi me pranimin ndërkombëtar të Maqedonisë, t’iu shërbejë edhe përbërja multinacionale dhe multikulturore e saj. Para pranimit ndërkombëtar të Maqedonisë bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë që kjo republikë t’i bëjë ndryshimet kushtetuese e të definohet si shtet i qytetarëve dhe i popujve të barabartë, të sllavomaqedonasve, shqiptarëve dhe grupeve nacionale e etnike që jetojnë në këtë territor, thuhet në këtë letër.

Definimi i këtillë shtetëror shqiptarët dhe popujt e tjerë josllavë në këtë republikë do t’i avanconte në faktorë që do t’i amortizonin tendencat hegjemoniste pushtuese e propaganduese dhe në këtë mënyrë sllavomaqedonasve do t’u tretej ëndërra për Maqedoninë e madhe. Definimi i Maqedonisë si shtet njënacional sllavomaqedonas paraqet përmanent për shtetin grek, për shtetet tjera fqinje si dhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan e më gjerë, thuhet veç të tjerash në letrën e Nijazi Halimit, e cila pati jehonë të madhe në mjetet e informacionit publik në Greqi.

 

17 nëntor 1994

Në Britani të Madhe për shkollën shqipe u grumbulluan mbi 25 mijë DM

Në kuadër të aksionit “Të ndihmojmë shkollën shqipe”, në Britani të Madhe deri tash u grumbulluan mbi 25 775 DM, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Britani të Madhe.

Njoftohet se vetëm anëtarësia e këtushme e Degës së LDK-së për shkollën shqipe tuboi deri tash 10 mijë funta.

Në kuadër të aksionit “Të ndihmojmë shkollën shqipe”, Shoqata Humanitare “Kosova AID”, orfoi 3 mijë funta, përkatësisht 7.500 DM.

Ndër familjet që u dalluan në këtë aksion janë ato të Isa Ibishit, Sejfullah Sejfisë, Elmaz Idrizit, Naim Kelmendit, Raif Salihiut, Fehmi Veselit, familja Nishevci etj.

Bëhet me dije se këto shënime ende nuk janë definitive, njoftoi Komisioni i 3% në Britani të Madhe.

 

17 nëntor 1995

“The New York Times”: Shqiptarët e Kosovës duhet të ftohen në bisedime

Allis Mid, një lexuese e rregulltë e gazetës “The New York Times” dhe aktisite për të drejtat e shqiptarëve, që para do kohësh vizitoi Kosovën, i drejtoi një letër redaktorit të kësaj gazete të njohur. Në letër ajo shkruan:

Më 1906, albanologja e famshme Edit Durham tha: “Pretendimet e grekëve, serbëve dhe bullgarëve në Ballkan janë të njohura. Të njëjta janë edhe dëshirat e Rusisë, Austrisë dhe Italisë. Mirëpo, gjithherë ka qenë si modë që të injorohen të drejtat dhe kërkesat e shqiptarëve dhe çdo plan për të reformuar Lindjen e Afërt në këtë mënyrë ka dështuar”.

Me mospërfshirjen e Ibrahim Rugovës, udhëheqësi i zgjedhur i shqiptarëve, por që nuk njihet nga serbët, në bisedimet paqësore për Bosnjën që filluan më 31 tetor, ne po vazhdojmë rrugës së njohur të dështimit dhe të shkatërrimit të mëtejmë. Unë isha në Kosovë, në tetor të vitit të kaluar që të shihja me sytë e mi gjendjen e një milion fëmijëve shqiptarë atje. Këta fëmijë janë aq të mospërfillur nga bashkësia ndërkombëtare sa që ata as që janë evidentuar në raportin e sivjetshëm të UNICEF-it.

Sidoqoftë, kushtet në të cilat jetojnë këta fëmijë janë të tmerrshme. Për një kohë shumë të gjatë 2.2 milionë shqiptarë etnikë të Kosovës kanë qenë të injoruar në mediumet informative, diplomaci dhe në bisedat për paqe dhe ndihma humanitare dhe nga ana e Konferencës evropiane për siguri dhe bashkëpunim, vëzhguesve dhe gjyqeve përkrime të luftës.

Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, vetëm një grup etnik ka arritur të mbajë paqen. Përkundër faktit se ky grup i është ekspozuar vazhdimisht dhunës, urrejtjes dhe urisë, shqiptarët etnikë kanë ruajtur unitetin, krenarinë, përmes rezistencës paqësore.

Z.Rugova është i vetmi personalitet që e aplikon paqen në Ballkan. Pse atëherë ai të mos marr pjesë në bisedime ? Një veprim i tillë i jep mbështetje S. Millosheviqit, parlamentit të tij, armatës dhe cubave paramilitarë, thuhet në fund të kësaj letre.

 

 17 nëntor 1996

Të shtëna armësh në Irzniq të Deçanit

Parmbrëmë rreth orës 20 në oborrin e stacionit të policisë në Irzniq të Deçanit, u dëgjuan të shtëna armësh dhe rafale të automatikësh, njofton KI i Degës së LDK-së në Deçan.

Sipas dëshmitarëve nga terreni, këto të shtëna u dëgjuan edhe në afërsi të stacioni të policisë dhe zgjatën rreth një orë e gjysmë.

Gjatë kësaj kohe u vërejtën përforcime të mëdha policore, kurse shkaku i këtyre të shtënave tash për tash nuk dihet.

Gjithashtu njoftohet se deri më tani nga ky fshat lidhur me këtë rast nuk pati arrestime.

 17 nëntor 1997

 Ushtria serbe u rivendos në qendër të Gjakovës

Këto ditë ushtria serbe përsëri u vendos në qendër të Gjakovës dhe se kjo u bë në mënyrë “solemne”, madje me vetë praninë e një të dërguari special të shtatmadhorisë së ushtrisë serbe. Gazeta serbe “Jedinstvo” shkruan se me ndihmën e pushtetit të instaluar serb në Gjakovë është rindërtuar kazerma ushtarake në qendër të qytetit.

Në një fjalim që mbajti dje në Gjakovë gjeneralkoloneli Dushan Samarxhiq theksoi se “është krijuar një klime e re për prosperitet të shpejtë të qytetarëve që ‘Jugosllavinë’ e konsiderojnë atdhe të vetin” dhe se ushtria e ka e ruajtur gatishmërinë luftarke e cila pengon çdo “shkëputje dhe mbrojtje të çdo pjese të vendit”.

Ndërkaq kryetari i instaluar serb i komunës së Gjakovës Momçillo Stanojeviq tha se kazerma ushtarake në vitin 1976 u zhvendos nga qendra e qytetit, siç u shpreh ai, “me vendimin e forcave separatiste dhe secesioniste të ish-RSFJ” dhe se kjo gjoja shumë serbë e malazezë i paska detyruar të largohen nga Gjakova.

I dërguar i shtatmadhorisë së ushtrisë serbe prof. dr. Dinisha Borojoveiq në fjalën e tij tha se “marrëdhëniet gjithnjë e më të mira ndërshtetërore mes ‘Jugosllavisë’ e Shqipërisë dhe përpjekjet e të dy vendeve po japin impulse të reja për një jetë të qetë e të lumtur në hapësirën ballkanike”. Ai iu kërcënua të gjithë atyre që në Ballkan kanë interesa më mirë që “RFJ” dhe shtrinë e saj ta kenë si miq sesa si armiq potencial. Ky “kërcënim” nuk precizohet se kujt i drejtohet konkretisht, por mbase ndonjë fuqie të madhe!

Ndonëse dihet fare mirë se asnjë kazermë ushtarake nuk gjendet në qendër të qytetit dhe se ajo para njëzet vjetëve është zhvendosur për shkaqe fare praktike, rivendosja e ushtrisë serbe në qendër të qytetit të Gjakovës është një demonstrim i forcës policore ushtarake të regjimit serb dhe ka për qëllim frikësimin e shqiptarëve.

 

 

17 nëntor 1998

KMDLNJ: Që nga 14 janari forcat serbe kanë vrarë 1795 shqiptarë

Që nga 14 janari e deri më 17 nëntor të këtij viti, forcat serbe kanë vrarë 1795 shqiptarë moshash të ndryshme, njofton Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së.

I njëjti burim konfirmon se përveç vrasjes së 1795 shqiptarëve, nga forcat serbe janë zhdukur mbi 900 shqiptarë, ndërsa janë arrestuar edhe 1.200 të tjerë.

 

 

Exit mobile version