Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Cen Dugolli
17 gusht 1993
Forca të mëdha të policisë dhe ushtrisë serbe në Prishtinë
Që nga orët e hershme të mëngjesit, njësi të shumta të policisë serbe, po kontrollojnë të gjitha hyrje-daljet e Prishtinës. Grupe policësh kanë zënë pozicionet në pikat kryesore brenda në qytet.
Patrulla të policisë kanë zënë pozicione edhe në rrugët margjinale.
Nëpër qytet vërehen lëvizje të shtuara të policisë. Ndërsa, në udhëkryqin para ndërtesës së Komandës së ushtrisë serbe në Prishtinë, kanë dalë automjete përplot ushtarë. Lëvizje të ushtrisë gjatë ditës pati edhe në pjesë të tjera të qytetit.
Qytetarët e Prishtinës dhe njerëzit që ishin nisur për Prishtinë, pasi sot është ditë tregu, i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë të policisë. Për këtë arsye shumë fshatarë nuk mundën të hyjnë në qytet.
Nuk dihen shkaqet e pranisë kaq të madhe të policisë në Prishtinë. Rreth orës 10 policë të armatosur ndërhynë në mënyrë brutale në tregun e devizave dhe arrestuan disa qytetarë.
Policët serbë plaçkitën mallëra të ndryshme në tregun e Prishtinës.
Forca të shtuara të policisë, siç njoftojnë degët e LDK-së, vërehen sot edhe në Prizren e në Gjilan.
17 gusht 1995
Në Gjakovë u instaluan rreth 350 refugjatë serbë
Mbrëmë në Gjakovë, arritën 7 autobusë me rreth 350 refugjatë serbë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.
I ashtuquajturi “shtab i krizës”, 110 refugjatë i vendosi në konviktin e nxënësve dhe të studentëve “Sadik Stavileci”, të tjerët në hotelin “Pashtriku” dhe në lokalet e shkollës fillore “Hysni Zajmi” të qytetit.
Në njoftim bëhet me dije se refugjatët serbë, menjëherë pasi u vendosën në ndërtesën e konviktit thyen bustin e Sadik Stavilecit, i cili ishte i vendosur në kopshtin e konviktit.
17 gusht 1998
Gjakovë: Bastisje në Osek Hylë, mbi 10 mijë veta ende nën qiellin e hapur
Sot paradite, një ekspeditë policore serbe ka bllokuar hyrje-daljet në fshatin Osek-Hylë dhe ka ndërhyrë në disa familje me pretekst të kërkimit të armëve, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Edhe sot, në Gjakovë kanë vazhduar të vijnë banorë të ikur nga fshatrat e goditura në ofensivën e fundit të forcave serbe.
Njoftohet se një pjesë e popullatës, rreth 10 mijë veta, kryesisht gra, pleqë dhe fëmijë, vazhdojnë të qëndrojnë të pastrehuar, pa ushqim dhe pa kujdes mjekësor, në malet e anës së Dushkajës, Anësdrinit dhe në malet e Rekës së Keqe. Gjendja e tyre është mjaft e keqësuar dhe përveç urisë janë të kërcënuar nga sëmundjet e ndryshme. Ndërsa brenda në qytet dhe në paralegjet e qytetit janë rreth 50. 000 të ikur nga vatrat e tyre.
Edhe më tutje nuk dihet për fatin e shumë qytetarëve. Sot është bërë me dije se nuk dihet për Pjetër Tal Krasniqin dhe Zef Gjon Krasniqin nga fshati Meqë, që të dytë rreth moshës 62-63 vjeç, si dhe për Jusuf Ahmetin nga fshati Stubëll.
Prishtinë: Nga torturat në burg vdiq Cen Dugolli nga Ferizaji
Cen Dugolli, veprimtar i LDK-së nga Ferizaj, vdiq sot në klinikën e kirurgjisë në Prishtinë, ku u dërgua dje mha policia serbe.
Ai u arrestua më 21 qershor nga policia serbe, ndërsa dje u dërgua në spital, në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak të torturave të rënda në burg. Mësohet se në spital ai iu nënshtrua intervenimit kirurgjik, por për trupin e tij të dërmuar nga rrahjet gjithçka ishte vonë.
Të përkujtojmë se në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut policia serbe ndërmorri një fushatë të gjerë të arrestimit të veprimtarëve politikë e humanitarë të komunës së Ferizajt, të cilët më vonë u torturuan në mënyrën më mizore nga sigurimi serbe. Për shkak të torturave, më 22 korrik, pasi qëndroi disa ditë në gjendje kome në spital, vdiq veprimtari humanitar nga Ferizaj Rexhep Bislimi, i cili u arrestua nga policia më 6 korrik. Ndërsa, më 30 qershor, veprimtari i LDK-së Ylber Topalli, u plagos nga policia para gjykatës serbe në Prishtinë, kur tentoi të ikte derisa në gjendje të rëndë shëndetësore e i dërmuar nga të rrahurat po dërgohej për t’u marrë në pyetje.
Me rastin e Cen Dugolli lidhet edhe fati i avokatit të tij, Destan Rukiqi. Më 23 korrik ai shkoi për të marrë leje për ta vizituar në burg klientin e tij, por të njëjtën ditë u arrstua e u dërgua në burg, ku pas disa ditësh u keqtrajtua rëndë fizikisht dhe tash në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhet i shtrirë në spitalin e burgut të Beogradit.
