Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
16 tetor 1993
Ende po mbahen në burgje disa arsimtarë shqiptarë
Eset Sahiti, profesor në shkollën e mesme të Lipjanit, Fazli Maloku, arsimtar në shkollën fillore “Zenel Hajdini” të Prishtinës, Çerkin Peci, profesor në shkollën e mesme të Mitrovicës, Mazllum Kumnova, anëtar i Kryesisë së LASH “Naim Frashëri” të Kosovës dhe Salih Çitaku, këshilltar i Entit Pedagogjik të Kosovës, po mbahen në burg, njoftoi Munish Hyseni, nënkryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”. Për Salih Çitakun, që u arrestua para katër ditësh, nuk dihet asgjë.
Kohëve të fundit shqetëson fakti se regjimi serb në Kosovë, është duke penguar mbarëvajtjen e procesit mësimor edhe në punktet private e kjo po ngjet veçanërisht në shkollat fillore dhe të mesme të Mitrovicës, tha z. Hyseni dhe shtoi se pardje, rreth orës 14, policia serbe ndërpreu mësimin në punktin e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.
Ndërsa dje, gjatë rrugës për në shkollë, policia serbe në Mitrovicë, e dërgoi në stacionin e policisë Ibrahim Balën, drejtor i shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, të cilin më vonë e liroi.
16 tetor 1995
Në Prishtinë filluan “Ditët e Gjeçovit”
Në kuadër të manifestimit tradicional kulturor-shkencor e letrar “Takimet e Gjeçovit ’95” (që mbahen në Zym të Hasit më 21 tetor), pardje në Prishtinë filluan “Ditët e Gjeçovit”.
Në kuadër të këtij manifestimi u mbajt tribuna kushtuar veprës së Atë Shtjefën Gjeçovit dhe u promovua vepra postume “Shpërblesi i botës ase jeta e Jezu Krishtit”, njofton “Bujku”.
Manifestimi i sivjetshëm ka filluar me pjesën e parë – ditët e Gjeçovit, që kanë filluar në Prishtinë me këtë manifestim, pastaj në Zllakuqan, në Janjevë, në Pejë, kurse ditëve të tjera manifestime të ngjashme do të mbahen edhe në Gjakovë, Prizren, Zym, Bishtazhin e qendra të tjera të Kosovës.
Në vazhdim të këtij manifestimi u bë promovimi i veprës postume të Atë Shtjefën Gjeçovit, që e botoi redaksia e botimeve “Drita” e Ipeshkvisë së Kosovës në vitin 1993. Për këtë vepër foli dr. Don Lush Gjergji, famullitar i Binçës. Ai në mes tjerash tha se veprën e përmendur të Gjeçovit e gjeti Imzot Nikë Prela në famullinë e Pejës.
Në vazhdim dr. Dom Lush Gjergji shtoi se kjo vepër, që është një lloj historie e shëlbimit, gërshetohet në mënyrë të qëlluar me Besëlidhjen e Vjetër dhe Besëlidhjen e Re, me përqendrim në jetën e Jezu Krishtit si fytyrë qendrore – Zotit – Njeri, i cili na ka shëlbuar me dashuri. Të them edhe këtë, tha Don Lushi, kjo vepër ka edhe qëllim gjuhësor, përkatësisht të pastrimit të gjuhës sonë nga ndikimet e huaja. Në këtë vepër gjejmë mjaft fjalë, shprehje, tentim të krijimit të fjalëve të reja me bazë shqipe në mënyrë që të zëvendësohen shprehjet e huazuara. Vepra e Gjeçovit “Shpërblesi…” mbeti e papërfunduar për arsye të vrasjes mizore të françeskanit zelltar dhe të guximshëm – Atë Shtjefën Gjeçovit. Në Prishtinë, manifestimi “Ditët e Gjeçovit” vazhdon edhe me një orë letrare, që mbahet ditën e enjte, më 19 tetor, në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës.
Kjo orë letrare dhe i tërë manifestimi (Ditët e Gjeçovit dhe Takimet e Gjeçovit ’95) organizohen nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” i Zymit të Hasit dhe Ordinariati i Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prizren, thuhet mes tjerash në njoftimin e “Bujkut”.
16 tetor 1997
Aksion i forcave në pesë fshatra të Pejës
Forcat serbe organizuan sot një aksion të gjerë represiv kundër popullsisë shqiptare në fshatrat Zahaq, Llabian, Gllaviçicë, Leshan dhe Kliçinë të rrethinës së Pejës. Në Kliçinë gjendet një stacion i policisë serbe. Në bazë të deklaratave të personave të keqtrajtuar nga policia mirret vesh se aksioni u ndërmor pas një incidenti të pasqaruar në stacionin e policisë në Kliçinë. Nuk dihet asgjë për rethanat dhe epilogun e incidentit. Deri në orën 9,30 rruga Pejë-Prishtinë, në vendin Kliçinë mbahej e bllokuar nga forcat të mëdha serbe të shoqëruara edhe me autoblinda.
Një anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Pejë i tha QIK-ut me telefon se nga fshatrat ku kanë ndërhyrë forcat serbe po arrinin njoftime të vazhdueshme për numrin e madh të njerëzve e familjeve të keqtrajtuara dhe të personave të arrestuar.
Në orën 3 pas mesnate policia bastisi në Llabian shtëpinë e Zenel H. Kelmendit, në të cilën nuk ndodhej askush, pasi kjo familje jeton në Prishtinë. Policia shkoi pastaj në shtëpitë e afërme të Shaban (Cenë) Kelmendit e Ahmet (Deli) Kelmendit dhe i rrahu rënd kryefamiljarët. Ahmeti ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në spital. Janë rrahur edhe nëna e Shabanit, Hata (90) dhe bashkëshortja Ganimetja.
Në Zahaq policia bastisi shtëpinë e Ramiz Zeqirit, sekretar i shkollës fillore “N. Veqilharxhi” dhe e rrahu atë.
Në Gllaviçicë u bastisën shtëpitë e vëllezërve Gjon e Marash M. Vataj. Të dy vëllezërit u keqtrajtuan fizikisht para anëtarëve të familjes dhe pastaj u morën në polici bashk me djemtë Leonin e Viktorin. Pas disa orëve këta u liruan.
Në Kliçinë u bastis shtëpia e Hasan Berishës, drejtor i shkollës fillore “N. Veqilharxhi” dhe kryetar i nëndegës së LDK-së.
Hasan Berisha u keqtrajtua para anëtarëve të familjes. U keqtrajtuan edhe vëllezërit e tij Zeneli e Aliu e djemtë e tij Samiu (22), Shkumbini (16) dhe Dardani (14) dhe Naimi(20), i cili u mor në arrest. Në polici është marrë edhe Zekë (M. ) Berisha. Pas pesë orë mbajtjeje e rrahjeje janë liruar Zeka, Aliu dhe Naimi.
Po sot policia ka ndaluar punën e ndërrimit të paradites në shkollën e Kliçinës.
Në rrugën afër stacionit të policisë në Kliçinë, rreth orës 6 të mëngjesit, pasi u ndaluan dhe u nxorën nga vetura e tyre, u rrahën në rrugë Njazi Goga (37) dhe Ramiz Nikçi nga Peja.
Në Leshan u bastisën dhe u rrahën Skender (Lush) Berisha, Maxhun (L. ) Berisha, Xhevdet (M. ) Berisha (20), si dhe Milaim Seniku (18) nga Jabllanica, që ndodhej mysafir. Skenderi, Maxhuni e Milaimi u morën në arrest.
Në Kliçinë u ndaluan nga policia serbe anëtarët e familjes Bruqi (Shala) nga Isniqi i Deçanit, me ç’rast u rrahën brutalisht dhe u fyen në baza nacionale. Me këtë rast u rrahën Hajrullah Bruqi (Shala) – plak, Samir Bruqi (33) dhe Nisret Bruqi (Shala) – 30-vjeçar, të gjithë nga Isniqi i komunës së Deçanit.
Ata u rrahën në prani të fëmijës pesëvjeçar të tyre, të cilin ishin nisur për ta dërguar në spitalin e Shkupit për shërim.
Përkujtojmë se një aksion të ngjajshëm forcat serbe ndërmorën pardje në fshatrat Bardhaniq dhe Zhabel të Gjakovës, me pretekst të gjurmimit të gjoja sulmuesve në stacionin e policisë serbe në Qollopek.
16 tetor 1998
Skënderaj: Pardje, forcat serbe vranë një e plagosën një shqiptar
Forcat serbe të stacionuara në postbllokun policor në Makërmal vranë të enjten Zymer Goxhulin (33) dhe plagosën Isuf Goxhulin (28), për fatin e të cilit nuk dihet, pasi nuk ka mundësi të depërtohet në vendin e ngjarjes. Dyshohet se atë e ka marrë policia.
Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njofton ata u qëlluan në momentin kur po mblidhnin bagëtinë e shpërndarë fushave.
Vushtrri: U gjet turpi i pajetë i Selim Aliut nga Pantina
Sot u gjet trupi i Selim Aliut (58) nga Pantina, i vrarë para disa ditësh nga forcat serbe.
Në njoftim thuhet se trupin e tij forcat serbe i kanë hedhur në lumin Sitnica, ndërsa uji e ka bartur deri afër Mitrovicës.
Foto: Shtjefën Gjeçovi
