Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Në komunën e Istogut u vendosën deri tash 227 refugjatë serbë
15 gusht 1994
Represioni në Kosovë
Prishtinë: – Pardje (13 gusht) policia bastisi shtëpinë e Nijazi Gashit në Kodër të Diellit me pretekst se ai ka një telefon mobil. Pasi i urdhëroi çmontimin e antenës për telefon, policia bastisi shtëpinë dhe gjeti një sasi librash për shkollat fillore të Republikës së Kosovës. Gjoja për t’i kontrolluar këto, policia thirri në ndihmë agjentë serbë, të cilët shkuan në shtëpinë e Nijaziut dhe kontrolluan deri në detaje shtëpinë. Ata e kërcënuan në fund kryezotin se nuk bën të mungojë asnjë libër.
Më 14 gusht një patrullë e policisë serbe, e prirë nga polici i njohur për të keq, me ofiqin Rambo trokiti në disa shtëpi në lagjen “Velania” në Prishtinë. Policët u kërkonin njerëzve letërnjoftimet, me pretekst se gjoja po kërkonin të rinj për t’i dërguar në ushtri, apo personat e dënuar për vjedhje.
Kjo patrullë hyri edhe në shtëpinë e Ismajl Sopit, kryetar i Komisionit për Informim i Degës III të LDK-së në Prishtinë.
Pejë: – Në bazë të thirrjes së policisë, në qendrën e policisë serbe në Pejë më 11 gusht u paraqit Qazim Metë Kastrati nga fshati Dobërdol. Në stacion i thanë atij se duhet të dorëzojë një armë.
Në shtëpinë e tij në fshatin Jabllanicë e Vogël, më 11 gusht, u mor nga policia Zymer Rexhaj, i punësuar i përkohshëm në botën e jashtme. Në stacionin e policisë në Pejë atë e mbajtën tri orë dhe e liruan me kusht që të paraqitet sërish të nesërmen në polici, prandaj ia morën peng pasaportën. Policia i tha atij se duhet të dorëzonte një armë. Të nesërmen kur shkoi në polici, përgjegjësit serbë i dhanë urdhër që të largohet nga Kosova me gruan dhe fëmijët e tij deri të nesërmen në orën 6 të mëngjesit. Nga frika se do ta pësojë keq, Zymer Rexhaj u largua me të shpejtë nga Kosova.
Avni Berisha (21) nga fshati Kliçinë u rrah nga polici i stacionit të policisë në këtë fshat, i quajtur Dejan. Avniu u rrah pa kurrfarë shkasi derisa po bartte zhavor nga Bistrica në fshatin e tij.
Më 12 gusht policia serbe rrahu Avdyl Nimon Gashin (1933) nga fshati Broliq, i cili kur u sulmua nga policia, po ruante lopët e tij. Nga goditjet ai ka marrë plagë të rënda dhe ka kërkuar ndihmën mjekësore në spital në Pejë.
Mitrovicë: – Më 12 gusht, në orën 11,30, tre policë serbë rrahën në fshatin Shipol të Mitrovicës pa kurrfarë shkasi Hasan Alidemajn (27), Bedri Osmanin dhe Vesel Habibin. Policia kërkoi nga këta që ta tregojnë shtëpinë e Skënder Çitakut. Në përgjigjen se këta nuk dinin ku është shtëpia e z.Çitakut, policia i goditi me grushta e me shqelma. Pasi doli në derë të shtëpisë së vet, policia rrahu edhe Bedri Osmanin. Në këtë rrëmujë nga shtëpia e tij doli një fëmijë tetëvjeçar dhe prej frikës ai iku në oborrin e Vesel Habibit. Policia e ndoqi atë fëmijë pas. Policia pasi hyri në oborrin e Veselit e rrahu edhe atë.
Malishevë: – Musë Toplana me të birin Dalipin, kusheririn Halilin dhe Ramiz Gashin nga Kieva, me pretekst të kërkimit të armëve, u ftuan dhe u keqtrajtuan në stacionin e policisë serbe në Kievë nga e mërkura e kaluar deri më sot.
Më 11 gusht me pretekst të kërkimit të armëve u bastis edhe familja e Fejzë Lacajt në fshatin Lladroviq. Prej tij kërkohej një revole, me të cilën, thoshin policët, Fejza ka shtënë në ajër një ditë më parë. Policia rrahu djalin e Fejzës, Shaban Lacajn (23). Policia e mori atë në shtëpi dhe e dërgoi në pyll larg fshatit ku e rrahu dhe e maltretoi gjatë. Pas një kohe atë e kthyen në shtëpi dhe e kërkuan vëllanë e tij Bajramin. Për shkak se kryezoti i familjes nuk gjendej në shtëpi, policët bashkë me Shabanin shkuan në Malishevë dhe pasi e takuan Fejzën në afërsi të Bellanicës, e morën atë dhe e rrahën rëndë në stacionin e policisë në Suharekë.
Njoftohet se kësaj familjeje policia ua mori në oborr traktorin dhe ca gjësende të tjera dhe ua mbylli furrën e gëlçeres së djegur, pasi Fejza e ushtron këtë zeje.
Të shtunën, policia serbe e Kievës kërkoi Halit Hotin në shtëpinë e tij në Carrallukë. Njoftohet se policia e kërkoi atë për shkak të një telefoni mobil që e ka Halili qe disa vite me leje përkatëse. Antena dhe aparati telefonik u morën dhe u dërguan nga policët në stacionin e policisë.
Vushtrri: – Më 7 gusht një patrullë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, shkoi në familjen e Rexhep Bajramit dhe Aziz Imerit në fshatin Liçej. Policia rrahu Rexhepin (74), djalin e tij Eminin dhe Azizin e djalin e tij Sabriun.
Më 11 gusht policia serbe arrestoi Sylë Sylën në fshatin Beçuk, me pretekst se gjoja ai ka bërë falsifikimin e regjistrimit të makinës.
Njoftohet se Sylë Syla punon në Zvicër qe 20 vjet.
15 gusht 1995
Në komunën e Istogut u vendosën deri tash 227 refugjatë serbë
Sot, në qendrën për rehabilitim në Banjë të Pejës të komunës së Istogut u vendosën edhe 50 refugjatë serbë të ardhur nga Knini, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Istog.
Vlen të theksohet se 55 refugjatët serbë nuk janë vendosur dje në lokalet e hotelit “Gërmeç”, por në SHNK në Gjurakoc.
Njoftohet se deri tash në komunën e Istogut janë vendosur gjithsej 227 refugjatë serbë të ardhur nga Kroacia.
15 gusht 1997
Ushtria serbe maltretoi rëndë 12 shqiptarë
“Bujku” i sotëm, duke iu referuar Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Shtërpcë, njofton se më 11 gusht, rreth orës 15, derisa ktheheshin pas mbledhjes së boronicave në bjeshkët e Sharrit, në afërsi të fshatit Blutinë e Epërme e Prizrenit, nga ushtarët serbë u ndaluan dhe u maltretuan rëndë Ahmet Bajrami, Myftar Syla, Sefer Muharremi, Rasim Selmani, Florim Selmani, Basri Muharremi, Njazi Muharremi, Besim Tahiri, Avni Muharremi, Bujar Muharremi të gjithë këta nga fshati Viçaj dhe Nexhat Arifi e Razim Arifi nga fshati Firajë.
Këta të rinj u ndaluan në afërsi të Blutinës, që është shumë larg nga karakolla e ushtrisë dhe sapo u nxorrën nga fshati ku u maltretuan rreth dy orë.
Më pas, këta të rinj u dërguan në Karakoll ku kundër tyre vazhduan maltretimet e rënda fizike e psikike.
Ushtarët kishin lënë në tavolina revole, automatikë e litarë dhe duke iu kërcënuar me cinizëm u thoshin: “zgjidhni armët me të cilat do ta vrani veten”.
Megjithatë, momentet më të rënda e më shqetësuese për ta ishin kur u shkaktohej maltretimi me rrymë, malterim ky që zgjaste edhe mbi një gjysëm ore.
E gjithë jo zgjati deri në orën 22, kur 12 shqiptarët filloi t’i marrë në pyetje një rreshter i klasës së parë, i cili, sipas dëshmitarëve, ishte i përkatësisë myslimane. Edhe sjelljet e hetimet e tij ishin të njëjta e të rënda. Rreth orës 22,45 minuta në karakoll paraqitet Sami Selmani, babai i Rasimit e Florimit, i cili më parë duke i kërkuar bijtë e të rinjtë e tjerë, rastin e kishte paraqitur në stacionin e milicisë në Sreckë të Shtërpcës dhe pastaj në mungesë të informatave ishte nisur për në karakoll. Pas bisedës së tij me rreshterin, 12 të rinjtë u liruan, por atyre ushtria serbe ua ndali letërnjoftimet dhe i urdhëroi që sërish të nesërmen të paraqiten në të njëjtin vend.
Por, as të nesërmen atyre nuk iu kthyen letërnjoftimet. Më vonë
Sami Selmani rastin e paraqiti në kazermën e ushtrisë serbe në Prizren, ku nga komandanti i kazermës së ushtrisë serbe mori përgjigje se ky rast nuk është lajmëruar. Ky komandant pastaj me disa ushtarakë të tjerë shkoi në karakoll dhe këtyre personave ua ktheu letërnjoftimet, thuhet në njoftim.
15 gusht 1998
Sulm masiv serb mbi fshatrat bri rrugës Pejë – Deçan
Janë sulmuar fshatrat e Deçanit: Isniq, Lëbushë, Strellc, Prapaçan, Dubovik e Krushec si edhe fshatrat Loxhë e Raushiq afër Pejës. – Deri më tash pesë civilë të vrarë. – Mbi 50. 000 shqiptarë, shumica prej tyre refugjatë, po mbahen në rrethim në fshatrat e sulmuara
Në orët e hershme të mëngjesit forcat serbe kanë filluar sot një sulm masiv kundër fshatrave bri rrugës Deçan – Pejë. Në këtë sulm po marrin pjesë 46 tankse, katër aeroplanë, tetë helikopterë, 20 kamionë e forca të tjera.
Bashkëpunëtori i QIK-ut nga rrethinat e Deçanit, burime të KMDLNJ-së në Pejë dhe dëshmitarë të ndryshëm të fshatrave të Deçanit i thanë sot QIK-ut se pas sistemimit të forcave mëdha serbe gjatë natës, sot në orën 6:00 ka filluar sulm masiv kundër fshatrave Loxhë e Raushiq, të komunës së Pejës, dhe mbi fshatrat e Deçanit: Isniq, Lëbushë, Strellc, Prapaçan, Dubovik, Krushec e tjerë.
KMDLNJ nga Peja njoftoi se sulmi mbi fshatin Loxhë filloi në orën 6:00 me hedhjen e nga një bombe nga katër aroplanë të tipit “Orao”. Pastaj ka vazhduar granatimi nga bazat ushtarake në Zagërmë dhe nga baza e instaluar në fshatin Gorazhdec. Prej orës 6:00 deri në 8:15 kanë rënë së paku 200 granata në fshat. Nga fshati po del tym e flakë, ndërsa deri tash nuk dihet për viktima, pasi fshati është i bllokuar. Nga baza ushtarake në Zagërmë po granatohet edhe fshati Strellc, në një largësi rreth katër kilometra.
Osman Cacaj, kryetar i Komisionit për Informin në Degën e LDK-së në Deçan, i tha QIK-ut se sot në orën 6:00 nga helikopterët e autoblindat ka filluar një sul masiv mbi fshatrat e Deçanit. Deri në orën 9:00, kur po vazhdonte sulmi, dihej për pesë civilë të vrarë.
- Cacaj tha se se në këto fshatra gjenden rreth 60. 000 banorë të komunave të Deçanit, Pejës, Malishevës, Gjakovës.
Në emër të fëmijëve, grave e pleqve ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë urgjentisiht për të shpëtuar popullin e sulmuar të Deçanit e Pejës.
- Cacaj tha se helikopteri po fluturon vazhdimisht mbi këtë zonë, ndërsa popullsia nuk ka t’ia mbajë. Prej uikendit të javës së kaluar, kur filloi një ofensivë e fuqishme serbe në komunën e Deçanit, kjo popullsi është mbajtur në rrethim të plotë të forcave serbe.
Një dëshmitar tjetër i tha QIK-ut se po granatohen edhe fshatrat Lugut të Baranit.
