UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 14 korrik 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Ibrahim Rugova u rizgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

14 korrik 1993

Për tetë ditë në Deçan u bastisën 247 familje

Gjatë ditës së djeshme, nga ora 10, polica serbe në fshatrat Gramoçel, Drenoc, Kodrali dhe Llukë e Poshtme të Deçanit, bastisi 35 familje shqiptare, kryesisht familje të ish-punëtorëve të sigurimit dhe të veprimtarëve politikë.

Që nga 4 korriku deri më 9 korrik, në fshatrat e komunës së Deçanit u bastisën 212 familje, ndërsa me bastisjet e djeshme, numri i tyre arriti në 247 familje të bastisura në këtë komunë.

 

 

14 korrik 1994

Ibrahim Rugova u rizgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Delegatët e kuvendit të dytë zgjedhor të LDK-së zgjodhën sonte (në orën 19 e 30) minuta Dr.Rugovën me aklamacion kryetar të LDK-së. Në fjalën e rastit kryetari Rugova i falënderoi delegatët për besmin që ia dhanë.

Zgjedhja për kryetar të LDK-së është edhe një përgjegjësi për të realizuar synimet tona programore dhe deklarimin e vullnetit të Kosovës për një Kosovë të pavarur e neutrale, theksoi Rugova.

Zgjedhja është edhe një përgjegjësi për të realizuar edhe më mirë jetën dhe institucionet. Duhet të jemi poashtu në kontakt me botën tha dr. Rugova.

Në këtë situatë të vështirë duhet ta ruajmë mirëkuptimin, mirëbesimin te njëri tjetri dhe lirinë që e kemi krijuar ndërmjet veti. Ndoshta këto duken si përsëritje, por në këto punë përsëritjet janë përforcim dhe mësim, tha kryetari Rugova.

Dëshiroj t’i falënderoj anëtarët e Këshillit qëndror dhe Kryesinë e LDK-së që kanë punuar deri tash. Bashk me ju kemi punuar dhe jemi në një rrugë, në një front të rezistencës. Ju falënderoj ta ruajm vetëbesimin dhe unititin tonë, tha kryetari Rugova duke iu falënderuar delegatëve të kuvendit të dytë zgjedhor.

Sipas statutit të ri mandati i kryetarit të LDK-së zgjatë katër vjet.

 

 

14 korrik 1997

Gjendje më e mirë e të plagosurve në spitalet e Shkupit

Në klinikën e Spitalit Shtetëror të Shkupit dhe në Qendrën për Intervenime Urgjente, siç i deklaroi “Bujkut” prof. dr. Jordan Savevski, janë të shtrirë për shërim dhe janë operuar Muharrem Ibrahimi, Qazim Gjakovica, Beqir Aqimi, Driton Hyseni, Feta Kadriu dhe Fazli Ismaili, të cilët, siç tha ai, tashmë po ndihen më mirë dhe kanë filluar të këndellen. Në klinikat e këtij spitali dhe në Qendrën për Intervenime Urgjente ndihmë kanë kërkuar edhe Shemsedin Osmani, fotoreporter i “Flakës”, i cili është lëshuar për shërim në shtëpi nga lëndimet e pësuara si dhe pesë persona të tjerë, të cilët, menjëherë pas ofrimit të ndihmës së parë urgjente, gjithashtu janë lëshuar për shërim nëpër shtëpitë e tyre. Asnjëri nga pacientët e lartpërmendur, të cilët edhe më tutje janë të shtrirë në klinikat e Spitalit Shtetëror të Shkupit, nuk e ka jetën në rrezik.

Pacientët civilë, që janë duke u shëruar në Spitalin Ushtarak të Shkupit, janë Ismail Ibrahimi, Arben Sylejmani dhe Burhan Menga. Edhe në këtë spital ndihmë mjekësore kanë kërkuar më shumë pacientë që e pësuan në Gostivar, por pas marrjes së ndihmës adekuate mjekësore ata janë lëshuar për shërim nëpër shtëpitë e veta, njofton “Bujku”.

 

14 korrik 1998

Katër të plagosur nga granatimet serbe në fshatrat e Shalës së Bajgorës

Gjatë luftimeve të ditëve të fundit mes forcave ushtarako-policore serbe dhe pjesëtarëve të UÇK-së, që u zhvilluan në rajonin e Shalës së Bajgorës, u plagosën 4 pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa humbjet në anën e forcave serbe janë të konsiderueshme.

KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton se jeta e të plagosurve nuk është në rrezik.

Nga granatimet në fshatin Bare janë dëmtuar shtëpitë e Nezir, Idriz dhe Jonuz Feratit, ndërsa granatime ka pasur edhe në Stantërg, Vidishiq, Mazhiq, Rashan dhe Pasomë.

 

Në Mal të Zi kanë shkuar mbi 17. 000 të ikur nga Kosova

Vlerësohet se në Mal të Zi numri i të ardhurve nga Kosova të jetë rritur në mbi 17. 000 vetë, njoftoi sot “Zëri i Amerikës”.

I njëjti burim theksonte se sulmet e fundit të policisë serbe mbi fshatin Loxhë dhe qytete të tjera të Pejës i shtyri me mijëra banorë të braktisin vatrat e tyre dhe të vendosen në Mal të Zi.

Tri ditët e fundit në komunën e Plavës, e cila gjendet vetëm 20 km. larg Kosovës, sipas anëtarit të Këshillit të Emergjencës në Plavë z. Fadil Alidemaj, vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit nga Kosova janë vendosur mbi 1000 vetë.

Të ardhurit e fundit në Plavë janë kryesisht nga Peja me rrethinë.

 

 Në sulmit e mbrëmshëm në Isniq u vra Isuf Hysen Imeraj

Mbrëmë pas orës 18:00 përgjatë gjithë vijës së frontit në komunën e Deçanit ka pasur shkëmbime zjarri ndërmjet forcave ushtarako-policore serbe dhe forcave të vetëmbrojtjes shqiptare, të cilat kanë zgjatur rreth tri orë. Në shënjestër të armëve artilerike të forcave serbe, siç bëhet e ditur, ishte fshati Carrabreg i Poshtëm, ndërsa forcat shqiptare, të ndihmuara nga njësitë e UÇK-së ndërmorrën një kundërsulm që i detyroi forcat serbe të tërhiqen nga pozicionet e tyre. Në anën e shqiptarëve nuk pati as të vrarë e as të plagosur, kurse forcat serbe, në shenjë hakmarrjeje, dogjën në Deçan dhe në Carrabreg disa shtëpi të shqiptarëve.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan njofton se në të njëjtën kohë forcat serbe sulmuan fshatrat Isniq, Llukë e Epërme, Strellc i Epërm dhe Strellc i Poshtëm.

Gjatë sulmit në fshatin Isniq është vrarë veterani i arsimit Isuf Hysen Imeraj (67). Varrimi i të ndjerit u bë sot në Isniq, me nderimet më të larta, në praninë e një numri të madh pjesëmarrësish. Në fjalën e përmortshme që e mbajti Maxhun Tishuku, Kryetar i Këshillit Komunal të Arsimit në Deçan, u theksua se shembëlltyra e mësuesit Isuf, i cili dha kontribut të madh në fushën e arsimit në këtë komunë, do të përkujtohet përgjithëmonë.

 

 

Exit mobile version