Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Mitrovica
14 gusht 1993
Dyshohet se forcat serbe plagosën e vranë shqiptarë në Mitrovicë
Sot, në Ditën e Tregut, duke filluar nga ora 12,30, rreth 600 policë e ushtarë serbë, bllokuan qytetin e Mitrovicës.
Njoftohet për një ndërhyrje brutale dhe të përgjakshme të forcave serbe mbi qytetarët shqiptarë. Janë bllokuar kuartet ku bëhet tregtia, si Tregu I dhe II, Tregu i Bagëtive, Stacioni i Autobusëve, Stacioni i Trenit, si dhe ka ndërhyrje nëpër lokalet private të shqiptarëve.
Informatat e para bëjnë me dije se forcat serbe, kanë shtënë me revole dhe pushkë automatike në qytetarë.
Njoftohet për shumë persona të plagosur. Dyshohet se ka edhe të vrarë.
Policia po rrah këdo që po zë rrugëve të Mitrovicës.
Dega e LDK-së në Mitrovicë, nuk mundi të japë asnjë supozim se me çfarë preteksti e ndërmorën këtë ekspeditë forcat ushtarake e policore serbe.
Situata në Mitrovicë është tepër e tensionuar.
Në këtë qytet, policia serbe edhe mbrëmë ndërhyri në mënyrë barbare kundër më se 60 pjesëmarrësve të një manifestimi kulturor.
14 gusht 1995
Refugjatët vendosen me dhunë në banesat e shqiptarëve
Në banesën e Mustafë Morinës nga Vitia, ish-punëtor i “Vineksit”, pasi ajo u thye nga persona të panjohur, u vendos me dhunë një familje refugjate nga Kraina, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Viti.
Në njoftim thuhet se Mustafë Morina, në këtë banesë jeton që nga viti 1979, ndërsa në momentin e vendosjes së familjes refugjate nuk ndodhej në banesën e tij.
Tash atij në banesë i kanë mbetur të gjitha orenditë, ndërsa “banuesit e rinj” në derë kanë vendosur kyçje të re.
Duke iu referuar një shkrimi të gazetës “Jedinstvo” të ditës së shtunë për vendosjen në komunën e Vitisë të 300 refugjatëve serbe, KI i Degës së LDK-së në këtë komunë njofton se si lokacione ku do të vendosen refugjatët më së shumti përmenden “Agromorava”, “Gornja Morava”, “Banja e Kllokotit”, por edhe objekti i Qendrës shkollore, nga e cila në vititn 1991 u dëbuan nxënësit shqiptarë.
14 gusht 1997
Vazhdon largimi i shqiptarëve nga vendet e tyre të punës
Katër shqiptare, punëtore të Entit të sigurimit social të komunës së Prishtinës, u pushuan nga puna më 11 gushti, me justifikim se për punën e tyre më “nuk ka nevojë”.
Zejnepe Ismajli, Fexhrije Rexhepi, Jeta Neziri e Lida Visoka, që kanë stazh pune prej 12-18 vjet, u ankuan në vendimet për largim nga puna, por morën përgjigje negative.
Këto punëtore u larguan vetëm pse janë shqiptare. Thuhet se në vendet e tyre të punës u pranuan punëtorë serbë.
14 gusht 1998
Gjatë dy ditëve në komunën e Deçanit forcat serbe kanë vrarë 12 dhe kanë plagosur mbi 50 shqiptarë
Më 11 e 12 gusht të këtij viti, forcat e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbe në komunën e Deçanit kanë vrarë 12 dhe kanë plagosur mbi 50 shqiptarë, njofton Osman Cacaj, kryetar i KI të Degës së LDK-së në Deçan.
Bëhet e ditur se gjatë këtyre dy ditëve janë vrarë, Nexhat Humaj nga Baballoçi, Enver H. Halilaj nga Gllogjani, Orhan L. Halilaj nga Gllogjani, Naim M. Nimanaj nga Gllogjani, Xheladin Mushkolaj nga Gramaçeli, Gëzim Dërvishaj nga Irzniqi, Maxhun Malë Çekaj nga Irzniqi, Naser Idrizaj nga Kodralia, Artan I. Hasani nga Dubrava, Arben Lan Ahmetaj nga Gllogjani, Malë Avdyl Zenaj nga Irzniqi dhe një shqiptar edne i paidentifikuar në fshatin Shaptej.
I njëjti burim njofton se gjatë këtyre dy ditëve, forcat serbe kanë plagosur edhe mbi 50 shqiptarë.
