Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
13 tetor 1993
“Amnesty International” proteston rreth pengimit të hyrjes së delegacionit të saj në Kosovë
Agjensia “Rojter” bënë të ditur se më 13 tetor të këtij viti, autoritetet serbe nuk i lejuan hyrjen në Kosovë një delegacioni të organizatës për të drejtat e njeriut “Amnesty international”. Lidhur me këtë incident “Amnesti International” lëshoi një kumtesë ne të cilën thuhet se ky veprim i autoriteteve serbe është mjaft shqetësues. “Druajmë shumë se autoritetet serbe e benë një hap të ketillë për të fshehur shkeljen e të drëjtave të njerit të cilat janë dukuri e përditëshme në Kosovë, në vend që të ndërmirret diç për të penguar një gjë të tillë.
Ne jemi të vetëdishëm se në mungesë të monitorëve në këtë rajon, shkelja e të drejtave të njeriut bëhet pandërprerë. Policia serbe ushtron një represion të madh kundër shqiptarëve të Kosovës. Shkelja e të drejtave të njeriut bëhet pothuajse e papenguar. Policët serbë janë të lirë t’i sulmojnë qytetarët në stacionet policore, në rrugë apo kudoqoftë tjetër dhe fare pak frigohen nga reagimet zyrtarëve.”
“Tensioni gjithnjë është duke u ngritur në Kosovë”, thuhet më poshtë në komunikatën e “Amnesty Internationa-it”, duke shtuar se “tensionet ndëretnike, hidhërimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut me vite të tëra, të cilave tani u shtohet edhe gjendja e mjerueshme ekononike, i kërcënohen Kosovës me një shpërthim. Autoritetet jugosllave dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrin diç menjëherë për ta penguar konfliktin e hapur”, thuhet në komunikatën e “Amnesty International-it”.
13 tetor 1994
Vozitësi i pandërgjegjshëm lëndoi dy arsimtare të shkollës “Asim Vokshi”
Sot, rreth orës 10,15, në rrugën “Jabllanica” të lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë, ndodhi një fatkeqësi komunikacioni, me ç’rast një person i paidentifikuar, me automjetin e tij “Fiat 101” me regjistrim të Prishtinës, shkeli dy arsimtare të shkollës fillore “Asim Vokshi” të kësaj lagjeje.
Derisa ishin duke ecur trotuarit, automjeti me targë të Prishtinës shkeli Sevdie Krasniqin, arsimtare e artit dhe Safete Shalën, arsimtare e matematikës, të cilat menjëherë u dërguan në spitalin e përgjithshëm të Prishtinës. Meqenëse pësoi plagë të rënda Sevdija gjendet në shok-dhomë, ndërsa Safetja është jashtë rrezikut.
Supozohet se shkaktare e kësaj fatkeqësie ishte shpejtësia e madhe e automobilit.
13 tetor 1995
Kriminelët e luftës edhe para drejtësisë zvicerane
Gjykimit të kriminelëve të luftës, në masmediat zvicerane i është krijuar hapësirë që nga koha kur Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi që të sendërtojë dy gjykata internacionale të cilat do të merren me gjykimin e kriminelëve të luftës nga ish-Jugosllavia dhe Ruanda. Në ndërmarrjen e hapave konkretë në këtë drejtim nuk ka ngelur prapa as Zvicra, e cila, sipas të përditshmes “Le noueveau quotidien”, që bazohet në deklaratën e Jurg van Winjkoop, i ngakur për zhvillim të hetimeve për këso rastesh, ka filluar ndjekjen kundër gjashtë personave të pandehur për të cilët dyshohet se kanë kryer akte të këtilla, e identiteti i të cilave tani për tani nuk ipet publikisht për shkaqe të sigurisë në rrjedhën e hetimeve të cilat mund të japin fillin edhe për të implikuar të tjerë në këto akte.
Lidhur me këtë, Parlamenti i ardhshëm i Zvicrës shumë shpejt do të aprovojë një urdhëresë urgjente për judikaturën zvicerane, sipas të cilës do t’i qesë para drejtësisë ndërkombëtare – në Gjyqin e Hagës, të gjithë ata të cilët do të kapen në territorin e këtij shteti dhe për të cilët ka të dhëna se kanë bërë krime lufte në ish-Jugosllavi dhe Ruandë.
Tashmë dihet se Gjykata Penale Internacionale e ngakuar për gjykimin e krimeve të luftës të kryera gjatë tri vjetëve të fundit në Bosnjë, dje mbajti seancën e parë publike në të cilën dëshminë e vet e paraqiti boshnjaku Munib Ahmetoviq.
Siç bëhet e ditur, Gjykata u thellua në mënyrë të veçantë në rastin e Dragan Nikoliqit, serb nga Bosnja dhe ish-komandant i një kampi të përqëndrimit afër Vlasonicës, i cili fajësohet për krime të rënda kundër njerëzimit.
13 tetor 1997
Në Vushtrri një inkasant i KKF-së u thirr për herë të tetë në gjykatën serbe
Më 9 tetor të këtij viti, Halim Morina, inkasant i KKF-së në Vushtrri mori sërish thirrje për t’u paraqitur në gjykatën e instaluar serbe për kundërvajtje në Vushtrri, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.
Siç dihet, gjykata e instaluar serbe në Vushtrri e akuzon z. Morina për shkak se më 17 shkurt të këtij viti, policia serbe e ka arrestuar atë, derisa po ua shpërndante vendimet e KKF-së disa firmave private në Vushtrri.
Të përkujtojmë se Halim Morina u urdhërua që të paraqitet në këtë gjykatë për herë të tetë.
13 tetor 1998
Në Carrabreg të Deçanit u gjetën 4 të vrarë
Në Carrabreg të Deçanit u gjetën trupat e katër shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë sulmit në këtë fshat.
KI i Degës së LDK-së në Gjakovë, duke u mbështetur në burime nga Carrabregu, njofton se u gjetën të vrarë Cufë Balaj (78), Mone Balaj (75), Ajmane Dautaj (70) dhe një i ri i moshës rreth 18 vjeç, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.
Ndërsa i riu Arben Tahir Hajdari (22) nga fshati Shaptej, vdiq të dielën në mungesë të ndihmës mjekësore për shërimin e plagëve të marra kohë më parë gjatë sulmit serb.
Njoftimet nga komuna e Deçanit bëjnë me dije se forcat serbe nuk janë tërhequr dhe ato vazhdojnë të jenë të pozicionuara në Sukë të Biteshit, në Baballoq dhe në regjionin e fshatit Voksh. Këto fshatra vazhdojnë të mbahen në rrethim të hekurt dhe popullata nuk lejohet të lëvizë.
Edhe në komunën e Gjakovës ushtria dhe policia serbe po i maskojnë pozicionet e veta. Kështu jo vetëm që nuk ka tërheqje, por pothuaj në çdo objekt industrial po hapen llogore për maskimin e mjeteve të blinduara dhe në objekte po vendoset ushtria. Përgjatë rrugës që të shpie në anën e brezit kufitar Kosovë-Shqipëri, vazhdimisht po shkojnë mjete të motorizuara të mbushura me ushtarë dhe armatim.
Ndërkohë, banorëve të Dujakës së Gjakovës ushtria dhe policia serbe u kanë dhënë një ultimatum të ri për dorëzim të armëve, edhe pse ky fshat para ca kohe dorëzoi sasi të konsiderueshme të armatimit.
Rahovec: Në Bellacerkë u gjetën dy të vrarë
Të dielën, në Bellacërkë të Rahovecit, në vendin ku që nga fillimi i ofensivës ishte vendosur piostblloku policor, u gjet trupi i karbonizuar i Agim Kelmendit (22) dhe i një të vrari tjetër të paidentifikuar.
KMDLNJ njofton se Agimi është vrarë më 18 korrik, ndërsa trupi tij dhe i të vrarit të paidentifikuar kanë mundur të tërhiqen dhe të varrosen vetëm pas largimit të policisë nga postblloku në Bellacerkë.
Foto: “Amnesty International”
