UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 11 korrik 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Më 11 korrik 1997, Serbia e dënoi në mungesë me 20 vjet burg: Adem Jashari

11 korrik 1994

Përfundoi gjykimi në Prishtinë, aktgjykimi shpallet të premten

Sot përfundoi gjykimi i 14 shqiptarëve në procesin e montuar politik në Prishtinë.

Gjatë seancës së sotme fjalën përfundimtare e dhanë një pjesë e mbrojtësve dhe të akuzuarit.

Të gjithë mbrojtësit dhe të akuzuarit thanë se nëse kjo gjykatë do të jetë e pavarur në rastin e marrjes së vendimit me dritën e fakteve dhe në bazë të ligjit, atëherë nuk mund të merr vendim tejtër, përpos vendim për lirimin e të akuzuarve.

Aktgjykimi komunikohet të premtën, më 15 korrik, në orën 11.

 

11 korrik 1995

Inspeksioni sanitar serb mbylli në Mitrovicë me rrethinë 43 objekte e 10 ordinanca shëndetësore

Inspeksioni sanitar serb i të ashtuquajturit “qark” të Mitrovicës gjatë këtij viti, për shkak të gjoja parregullësive, mbylli 43 objekte dhe bëri 407 padi për kundërvajtje, 11 padi penale dhe shqiptoi 17 dënime mandatore.

Siç shkruan gazeta “Jedinstvo”, inspkesioni sanitar serb ndaloi punën e 10 ordinancave shëndetësore. Në mesin e tyre dy ordinanca ishin pronë e shoqatës humanitare “Nëna Terezë”, të cilat u mbyllën për shkak se gjoja nuk qenkan regjistruar në gjykatën ekonomike, e as në kuvendin komunal të Mitrovicës. Gazeta serbe shoqatën “Nëna Terezë” e cilëson si të ashtuquajtur shoqatë humanitare, e cila na qenka në shërbim të “lëvizjes separatiste”!?

Dihet mirëfilli se kjo shoqatë humanitare i ka furnizuar me barna dhe pajisje shëndetësore edhe shumë klinika të administruara nga serbët dhe atëherë nuk është quajtur “shoqatë e ashtuquajtur”, përkundrazi vetë mjekët serbë i kanë shprehur mirënjohje madje edhe me shkrim.

 

11 korrik 1997

Për 15 shqiptarë – 264 vjet burg!

Sot, në gjykatën e instaluar serbe në Prishtinë u shpall aktgjykimi kundër të akuzuarve në procesin e montuar politik kundër 15 shqiptarëve, të akuzuar për “terrorizëm dhe për ndihmë dhënë terroristëve”.

I akuzuari i parë në këtë proces, Besim Rama u dënua me 20 vjet burg, Idriz Asllani me 15, ndërsa Avni Nura me 4 vjet burg.

Dymbëdhjetë të akuzuarve tjerë, gjyqi ndaj të cilëve u bë në mungesë, respektivisht me arsyetimin se ata “gjenden në arrati” iu shqiptuan dënime drakonike: Adem Jashari u dënua me 20 vjet burg, Jakup Nura – 20, Fadil Kadriu – 20, Nuredin Lushtaku – 20, Sabit Jashari – 20, Rafet Rama – 20, Sami Lushtaku – 20, Iljaz Kadriu – 20, Rexhep Selimi – 20, Hashim Thaçi – 10, Zenel Kadriu – 20 dhe Ali Jonuzi – 15.

Në një proces i cili u përcoll me parregullësi të mëdha dhe gjatë të cilit mbrojtësit e të akuzuarve zbuluan në tërësi falsitetin e aktakuzës, akuzuesi nuk hoqi dorë nga aktakuza e konstruktuar me të pavërteta dhe e mbështetur vetëm në deklaratat e nxjerra me dhunë nga tre të burgosurit, të cilat ata më vonë i mohuan para gjyqit.

Dënimet me byurg të shqiptuara kundër 15 të akuzuarve, që bëjnë gjithsej 264 vjet burg, janë ndër dënimet më drakonike, të shqiptuara në proceset githnjë më të shpeshta të montuara politike kundër shqiptarëve në Kosovë.

Ky është procesi i dytë i madh i montuar kundër shqiptarëve i bërë këtë vit nga serbët e instaluar në gjykatat në Kosovë.

Në procesin kundër 20 shqiptarëve, të akuzuar si anëtarë të Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar të Kosovës (LKÇK), më 30 maj u shqiptuan gjithsej 107 vjet burg.

 

11 korrik 1998

Sulm masiv i forcave serbe kundër Loxhës, popullsia largohget edhe nga dy lagje të Pejës

Forcat serbe filluan sot në orën 7:30 një sulm masiv kundër fshatit Loxhë afër Pejës. Aktivistët e LDK-së i thanë QIK-ut se fshati po granatohet me armë të ndryshme nga pozicionet e forcave serbe në Zagërmë, në Raushiq, në Gorazhdec dhe në Çerhane.

Tym e flakë shihet të dalë nga disa shtëpi në Loxhë, ndërsa popullsia e fshatit dhe e dy lagjeve të Pejës: “Dardania 1” dhe “Dardania 2” që gjenden afër Loxhës, ka filluar të largohet nga qyteti në drejtim të Malit të Zi.

Në Pejë mbretëron panik i madh. Qyteti është mbajtur në gjendje shtetrrethimi për disa javë rresht. Granatimet e përditshme të fshatrave, terrori fizik e psiqik brenda në qytet i policëve, i ushtarëve dhe i paramilitarëve serbë dhe sulmet e rrefushme nëpër fshatrat e kësaj komune kanë krijuar ambientin e frikës së madhe.

Dega e LDK-së në Pejë e vlerëson gjendjen në qytet alarmante. Këtu ishin strehuar përkohësisht rreth 30 000 banorë të ikur prej fshatrave rreth Pejës e Deçanit që janë sulmuar më herët nga forcat serbe.

Udhëheqja e Degës së LDK-së në Pejë kërkon ndërhyrje urgjente të faktorëve ndërkombëtarë për të ndërprerë sulmet dhe shtetrrethimin e forcave serbe.

I bëhet thirrje misionit të vëzhguesve të huaj që të vizitojë urgjentisht Pejën për të parë përmasat e sulmeve serbe dhe për të ndikuar në ndërprerjen e menjëhershme të tyre.

 

Në kufirin Kosovë-Shqipëri forcat e ushtrisë serbe vranë dy shqiptarë

Dje, derisa po kalonin kufirin Kosovë-Shqipëri, forcat e ushtrisë serbe në rrethana të pasqaruara vranë të rinjtë Ylber Zenel Fanaj dhe Albrim Zaim Fanaj nga fshati Vërmicë, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Zhur.

I njëjti burim saktëson se identifikimin e kufomave e kanë bërë vetë forcat e ushtrisë serbe.

Po ashtu dje rreth orës 15:00, katër automjete të blinduara të ushtrisë serbe ndërhynë në fshatin Vërmicë dhe arrestuan dr. Naim Fanajn, Beqir e Bekim Fanajn dhe Haxhi Kurtajn.

I arrestuari i parë dr. Naim Fanaj është dërguar me dhunë në ambulancën e fshatit ku punon, ndërsa ushtria serbe plaçkiti të gjitha barnat që gjendeshin në ambulancë.

Të arrestuarit janë liruar mbrëmë në orët e vona të natës.

Gjithashtu mbrëmë, nga Vërmica ka patur zhvendosje të popullatës shqiptare, e cila është vendosur në Zhur.

 

Forcat serbe sulmuan në mbrëmje Strellcin e Epërm

Në Strellc të Epërm, në orën 17:50 kanë nisur sulme të rrepta në mes forcave serbe, duke përfshirë edhe forcat ushtarake.

Ky fshat po granatohet me armë të ndryshme. Nga disa shtëpi vërehet tym e flakë, i tha në 18:30 QIK-ut një dëshmitar që gjendej vetëm 200 metra nga vendi i ngjarjes.

U granatuan disa fshatra të Shalës së Bajgorës

Prej orës 12:30 janë granatuar fshatrat Kutllovc, Bare, Mazhiq, Vidishiq dhe Stantërg në Shalën e Bajgorës. Granatimet janë bërë nga kodra e fshatit Koshtovë, ku gjendet një bazë ushtarake jugosllave. Nuk ka njoftime për të vrarët e të plagosurit eventualë.

Granatimet e sotme si edhe sulmet e mëparshme në fshatrat Pantinë, Okrashticë e Çabër dëshmojnë se forcat serbe po e zgjerojnë konfliktin edhe në këtë pjesë të Kosovës.

 

 

 

Exit mobile version