Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
10 tetor 1994
Represioni në Kosovë
Mitrovicë: – Më 7 tetor rreth orës 18:00 në Mitrovicë, dy inspektorë të sigurimit serb ndalën dhe legjitimuan 12 kalimtarë, të cilëve ua drejtuan revolet dhe i detyruan të mbështeten për muri. Më pas inspektorët serbë kërkuan ndihmënga stacionin i policisë në Mitrovicë, me ç’rast erdhën edhe rreth 20 policë të cilët filluan t’i keqtrajtojnë fizikisht qytetarët shqiptarë. Në mesin e të keqtrajtuarve ishin Asllan Bajraktari, Mujan Beqiri dhe Shaqir Asllani, ndërsa emrat e qytetarëve të tjerë shqiptarë nuk arritëm t’i mësojmë.
Vlen të theksohet se raste të këtilla në Mitrovicë ndodhin shpesh, veçanërisht në orët e natës.
Skënderaj: – Pardje në Mitrovicë, një patrullë e policisë serbe ndali dhe legjitimoi Agron Hasanin nga Skënderaji, të cilit ia plaçkitën 300 marka gjermane. Agron Hasani pasi ua kërkoi një vërtetim për marrjen e devizave, policia atë e mori dhe e dërgoi në stacionin e policisë në Mitrovicë, të cilin e keqtrajtuan fizikisht. Agron Hasani u lirua me kusht që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Mitrovicë.
Nga e hëna e kaluar, policia e postkomandës së Runikut, nën pretekst të dorëzimit të armëve po e thërret vazhdimisht që të paraqitet në polici, Ahmet Fazliun profesor dhe përgjegjës i punktit të shkollës së mesme në Turiqevc. Njoftohet se vëllait të tij Ismet Fazliut, policia ia mori një veturë të paregjistruar.
Gjilan: – Më 4 tetor, inspektorët serbë morën në pyetje, Shemsedin Mustafën rreth aktivitetit të tij në Lidhjen e Sporteve dhe të FR të LDK-së në Gjilan.
Po këtë ditë, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Ramush Behlulit (28) nga fshati Malishevë i Gjilanit. Bëhet me dije se Ramush Behluli ende po mbahet në polici.
Më 6 tetor, rreth 15 policë serbë, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisën shtëpinë e Tefik Malokut në Gjilan, me ç’rast arrestuan djalin e tij, Agim Malokun aktivist në Degën e FR të LDK-së.
Prishtinë: – më 7 tetor, policia, nën pretekst të kërkimit të armëve mori në polici më 1,2,3,4,5 dhe sot Ragip Krasniqin nga Prishtina. Gjatë marrjes në pyetje, bëhet me dije se ndaj Ragip Krasniqit është ushtruar dhuna fizike.
Më 1 tetor, polycia mori edhe Faik e Latif Krasniqin nga Prishtina. Njoftohet se policia nga Latif Krasniqi plaçkiti 1.000 DM.
Komisioni për Informim i Degës II të LDK-së në Prishtinë njofton se ditëve të fundit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi disa shtëpi në fshatin Sofali të Prishtinës.
Të gjitha këto bastisje të njëpasnjëshme të policisë serbe, ndodhën për shkak të bashkëpunimit të Hamdi Pirevës me policinë serbe, nga i cili ditë më parë përmes të së përditshmes “Bujku” u distancuan edhe vëllezërit e tij.
Të shtunën, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia serbe bastisi shtëpinë e Hajrush Abdullahut, në rr.”Robert Gajdiku” në Prishtinë. Rreth 20 policë, në orën 5:15, me pajisje të llojllojshme teknike bastisën shtëpinë, por nuk gjetën asgjë. Një polic kërkoi të dinte se kush prej anëtarëve të kësaj familjeje e ka vozitur Ibrahim Rugovën. Hajrushi tregoi se ai e kishte vozitur kryetarin e Republikës së Kosovës. Një polic i tha atij se gjoja Hajrushi ka mbajtur armë prej asaj kohe. Policët gropuan edhe në oborrin e shtëpisë së tij.
Pas bastisjes që zgjati rreth një orë, policët e urdhëruan Hajrushin që të paraqitet sot në stacionin e policisë në Prishtinë. Ai sot u mor në pyetje nga përgjegjësit e policisë serbe. E pyetën se a ka bartur ai dhe të tjerët armë, gjatë vozitjes dhe udhëtimeve.
10 tetor 1995
Policia plaçkiti tregun e Pejës
Të shtunën e kaluar, një numër i madh i policëve dhe inspektorëve serbë bllokuan tregun e Pejës dhe nga tregtarët e qytetarët shqiptarë plaçkitën sasi të madhe të mallit dhe të parave, njofton KI i Degës së LDK-së në Pejë.
Gjatë këtij aksioni u plaçkitën edhe një numër i madh i pronarëve të dyqaneve e firmave private, si dhe u plaçkitën e u maltretuan disa qytetarë.
Pronarëve të dyqaneve të cilët provuan të shpëtojnë nga ky aksion duke i mbyllur ato, inspektorët ua vunë dryrët dhe ata përsëri nuk do të shpëtojnë nga dënimet dhe plaçkitja.
10 tetor 1997
Në protestat e studentëve në Pejë policia serbe keqtrajtoi edhe 37 shqiptarë
Në protestat paqësore të studentëve shqiptarë në Pejë më 1 tetor të këtij viti, policia serbe ka keqtrajtuar edhe 37 nxënës, studentë e qytetarë shqiptarë të komunës së Pejës, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Pejë.
Policia serbe ka keqtrajtuar edhe Demë Selimajn, Ardian Mustafën, Besnik Gjokajn, Genc Bërdynajn, Sinan Sokolajn, Egzon, Faruk e Rexhë Berishën, Mujë e Bejtullah Zogajn, Gani Abazin, Haki S. Mulliqin, Fisnik Haxhihasanin, Sokol Muriqin, Muhamet Mujajn, Skënder Komonin, Enver, Rifat e Elvis Kelmendin, Musa Sadriajn, Mirza Gashin, Rifat Tafilajn, Alban Shalën, Visar Elshanin, Zymber Sefajn, Butrint e Avni Gashin, Abdyl Krasniqin, Ismail e Islam Berishën, Maxhun Gashin, Ismail Haxhiajn, Shefqet Ramajn, Valdet Islamajn, Ardian Mustafajn, Rifat Tafilajn dhe Malë Muçajn.
10 tetor 1998
“Mjekët pa kufi”: Praktika për eliminimin e mjekëve shqiptarë në Kosovë
Prishtinë, 10 tetor (QIK) – Trupat serbe që po luftojnë në Kosovë e kanë vënë në shënjestër edhe mjekët shqiptarë. Një zëdhënës i agjencisë “Mjekët pa kufi” u tha zyrtarëve në Bruksel se kjo
organizatë ka vënë re një praktikë për eliminimin e mjekëve shqiptarë në Kosovë që po e aplikon agresori serb. Ai citoi një rast që ndodhi muajin e kaluar në fshatin Gradicë në perëndim të Prishtinës, kur forcat serbe me të hyrë në fshat arrestuan dhe më pas vranë mjekun vendor. Ai tha se mjeku kishte punuar me organizatat ndërkombëtare humanitare për të ndihmuar qindra mijëra shqiptarë që po jetojnë nën qiellin e hapur, pasi trupat serbe ua kishin djegur shtëpitë.
Një tjetër zyrtar tha se e vetmja zgjidhje do të ishte prania e shumtë e trupave ndërkombëtare në Kosovë për të mbrojtur si refugjatët ashtu edhe mjekët shqiptarë në Kosovë nga agresorët serbë, njofton “Bujku”.
Foto:
