UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 nëntor 1992-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

1 nëntor 1997

Norvegjia do t’i kthejë 300 azilkërkues shqiptarë

Ditëve të fundit, shtypin dhe median norvegjeze e ka vërshuar çështja e azilkërkuesve shqiptarë, për fatin e të cilëve, sipas shtypit dhe kanaleve televizive të këtushme, qeveria norvegjeze e ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë serbe të Beogradit, që parsheh kthimin e të gjithë refugjatëve shqiptarë nga Kosova.

Gazeta “Dagavisen” e datës 30 tetor, botoi një artikull prej tri faqesh me titull “Shqiptarët e Kosovës do të kthehen në vendlilindje”.

Kjo gazetë theksonte se në Norvegji gjinden diku rreth 200‑300 azilkërkues politikë nga Kosova, të cilët kanë marrë përgjigje negative nga Ministria e Drejtësisë dhe duhet të kthehen në Kosovë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë Terje Shjegestat nuk saktësoi se kur do të realizohet marrëveshja e nënshkruar, por ai është i kënaqur që deri diku janë pajtuar për këtë çështje dhe thekson se pala norvegjeze ka arritur atë që ka kërkuar, respektivisht ka arritur ta bindë Beogradin për pranimin e refugjatëve shqiptarë.

Politika norvegjeze, thotë Shjegestat, ka kohë që sinjalizuar një liberalizim të politikës ndaj të huajve, dhe kjo nuk do të thotë se nuk do t’i liberalizojmë marrëdhëniet edhe me Beogradin.

Ne, thotë ai, në çdo moment jemi në kontakt dhe e përcjellim për së afërmi gjendjen në Kosovë. Nëse ne e vertetojmë se dikush nga të kthyerit do të burgoset apo do të maltertohet nga policia serbe, ne nuk do ta depërtojmë në Kosovë.

Kryesorja është se ne e kemi marrëveshjen dhe nëse dëshirojmë ne mund t’i kthejmë azilkërkuesit nga Kosova. Problemi është se sa do të jetë shifra e personave që do të kthehen dhe kur do të fillojë kthimi i tyre nuk dihet, përfundon Shjegestat.

Nënshkrimi i marrëveshjesë në mes Qeverisë norvegjeze dhe asaj serbe e ka habitur Prof. Svein Moneslandin, ekspert për çështjen e Ballkanit. Monesland thot për gazetën “Dagavisen” se është i shqetësuar për kthimin e qindra shqiptarëve në Kosovë.

Kjo është me të vertetë për të shqetësuar, pasi dihet se në këtë territor në çdo kohë mund të ndezet lufta. Situata në Kosovë ka kohë që është tensionuar, sidomos pas protestave të studentëve shqiptarë. Gjithashtu, thotë Monesland, “dje mijëra studentë kanë protestuar për t’i liruar objektet shkollore dhe universitare. Policia serbe e armatosur deri në dhembë, e ka përdoruar dhunën mbi shqiptarët e pambrojtur.

Qeveria serbe është kërcënuar se nëse studentët shqiptarë do të shkaktojnë ndonjë problem, reagimet do të jenë të ashpra.

Grupet militante mendojnë që ta marrin situatën në dorë, dhe kthimi i qindra shqiptarëve do ta tensiononte edhe më tepër gjendjen në atë rajon”, thotë mes tjerash prof. Svein Monesland.

Me pas “Dagavisen” thekson se obsevatorët ndërkombëtarë janë të frikësuar se në rast të kthimit të një numri kaq të madh të refugjatëve shqiptarë konflikti në Kosovë do të jetë i paevitueshëm.

Ndërsa, Maki Shinohara, përfaqësuse e Komisariatit të Lartë për refugjatë pranë zyrës së OKB‑së i deklaroi kësaj gazete se në përgjithësi ne nuk i përkrahim vendet perëndimore të cilat kanë vendosur dhe kanë nënshkruar marrëveshje për kthimin e refugjatëve shqiptarë në Kosovë. Por, nëse ndodhë kjo, besoj se ato vende do ta sigurojnë kthimin e tyre normal, që nënkupton mosburgosjen dhe mosmaltretimet nga policia serbe, shton ajo.

Komesariti për refugjatë i OKB‑së nuk e njeh sa duhet situatën në Kosovë, sepse deri më tani e kemi vetëm një zyrë informative në Prishtinë që na njofton për gjendjen në atërajon, thotë Shinohara.

Gazeta citon edhe një organzatë humanitare zvicerane, e cila deri më tani ka grumbulluar një numër faktesh rreth keqtrajtimit që kanë pësuar refugjatët e kthyer shqiptarë nga Zvicra dhe Gjermania.

Marrëveshja e nënshkruar mes Oslos dhe Beogradit për kthimin e 300 azilkërkuese shqiptarë ka hasur në reagime të partive politike norvegjeze.

Lidhur me këtë çështje, siç njofton NRK‑1, të mërkurën do të debatojë Parlamenti norvegjez.

Erik Solheim, i Partisë së Majtë (SV), i shtron pyetje qeverisë se si do t’i kthejë shqiptarët, kur dihet se çfarë gjendje mbretëron në atë rajon.

Pytjet që do ti shtrohen qeverisë së Kjell Mange Bundevikut do të jenë një provim i rëndë, pasi ajo gjithnjë ka mbajtur një qëndrim human ndaj të huajve.

Partia e Djathtë Ekstreme (FRP) e ka përshëndetur këtë marrëveshje, ndërsa Partia Konserveative dhe partia Socialdemokrate ende nuk janë prononcuar.

Anita Apethul Sale (KRF) i ka deklaruar NRK‑së se ajo do t’i kërkoj qeverisë që të mos e realizoj në praktikëkëtë marrëveshje.

Sipas analistëve politikë, kjo marrëveshje është përgatituar nga ish‑partia në pushtet (SPD), e cila gjithnjë ka mbajtur qëndrim të heshtur ndaj të huajve.

Kjo marrëveshje do t’i dëmtojë edhe ata refugjatë, që tani e pesë vite kanë qëndruar nëpër kampe të refugjatëve, ndërsa disa prej tyre kanë kaluar edhe nga tri e më shumë vjet të strehuar në kishat norvegjeze.

 

1 nëntor 1998

Në Junik forcat serbe zhvarrosën 9 viktima shqiptare

Ditëve të fundit në Junik, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe zhvarrosën kufomat e 9 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Bëhet e ditur se forcat serbe në Junik kanë zhvarrosur kufomat e Bekim Shalës (48) nga Ferizaj, Bedri Shalës (50) nga Drenica, Përmet Vulës (20) nga Gjakova, Elton Zherkës (21) nga Gjakova, Bajram Ramës (70) nga Juniku, Zejnije Krasniqit (27) nga Juniku, si dhe të një vajze 12 vjeçare dhe të 2 fëmijëve po ashtu nga Juniku, emrat e të cilëve ende nuk dihen.

Dëshmitarët okularë kanë njoftuar se policia serbe kufomat e zhvarrosura i ka dërguar në drejtim të panjohur. Ekziston dyshimi se forcat serbe do të inskenojnë diç me të zhvarrosurit, siç ka ndodhur disa herë gjatë muajve të fundit në vatrat e luftës në Kosovë.

Foto: Anton Pashku

 

Exit mobile version