UBT News

DITARI: 17 mars 1999 – “Tre vëllezër të vrarë afër Istogut”

17 marsi i vitit 1999 ishte edhe një ditë e re lufte në Kosovë. Lajme për tmerre nga të gjitha anët. Të vrarë, të plagosur, të keqtrajtuar, të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Të gjithë shqiptarë. Aty-këtu edhe ndonjë aktivitet politik, në përpjekje për të ndryshuar diçka.

Lajmi më i rëndë i kësaj dite kishte të bënte me vrasjen e tre vëllezërve shqiptarë nga komuna e Istogut.

 

Ky është lajmi i plotë:

Në fshatin Tomoc të Istogut u gjetën të vrarë tre vëllezër: Brahim, Esat dhe Enver (Imer) Dervishaj

Sot në orët e mëngjesit, në rrugën Gjurakoc-Istog, në breg të rrugës afër varrezave të Shatrajve të fshatit Tomoc të Istogut, u gjetën të vrarë tre vëllezër: Brahim (30), Esat (20) dhe Enver Imer Dervishaj (16), nga fshati Zabllaq i komunës së Istogut.

Në vendin e ngjarjes doli policia serbe, e cila bllokoi rrugën për afër tri orë, si dhe vëzhguesit e Misionit Verifikues të OSBE-së me seli në Istog dhe në Pejë.

Bëhet e ditur se rreth orës 10:30 policia serbe i ka marrë trupat e tyre dhe i ka dërguar në spitalin e Prishtinës për obduksion.

Njoftohet gjithashtu se njëri nga viktimat ishte i prerë në fyt, kurse një tjetër ishte me duar të lidhura prapa me pranga.

 

Ndër lajmet e tjera nga terreni të kësaj dite ishin edhe:

Vushtrri: Forcat serbe edhe sot kanë filluar ofensivën kundër fshatit Beçuk;

Podujevë: Forca të reja serbe erdhën nga Serbia në Kosovë;

Fushë Kosovë: Forca serbe shkuan në drejtim të fshatrave Bellaqevc i Madh e Grabovc;

Mitrovicë: Brahim Zekaj nga Abria e Poshtme u dënua me 15 muaj burg;

Mitrovicë: Civilët e armatosur serb provokojnë banorët shqiptarë;

Forcat serbe kanë bllokuar dje spitalin e Mitrovicës;

Forcat serbe gjatë tërë natës kanë sulmuar tri fshatra të Mitrovicës;

Është rrëmbyer Sherafedin Ajeti, “koordinator kryesor” i ashtuquajturit “sigurim lokal” në Mitrovicë.

Ndërhyrje serbe në Bobaj të Bokës të Gjakovës – një i vrarë e 30 të plagosur;

Gjakovë: Të shtëna në fshatrat e brezit kufitar dhe arrestime të shumta;

Ardhje të reja të forcave serbe në Kosovë;

Prizren: Forcat serbe kanë rrethuar fshatin Kabash;

Varrosen nëntë luftëtarët e vrarë më 12 mars në luftimet në fshatrat e Vërrinit;

Kaçanik: Mbrëmë forcat e ushtrisë serbe rrethuan fshatin Laç;

Forcat serbe kanë demoluar objektin e SHF në Kërbliq të Kaçanikut;

Katër shqiptarë u dënuan nga gjykata serbe në Pejë;

Ardhje të reja të forcave serbe në Kosovë;

Prizren: Katër shqiptarë u dënuan me 22 vjet e 6 muaj burg;

Në Korishë vazhdojnë të shtëna sporadike dhe zhvendosje të popullatës shqiptare;

Istog: Tre civilë serbë tentuan ta kidnapojnë një të ri shqiptar;

Prizren: Policia serbe ia ofroi një nxënësi 5.000 DM për të vënë eksploziv në shkollën e tij;

Prizren: Procesi mësimor u ndërpre deri më 21 mars

“Cap Anamur”: Ushtria serbe ka bërë shrumb e hi fshatin Jeshkovë;

Suharekë: Forcat serbe po e granatojnë fshatin Grejkoc;

Katër viktimat e familjes Tafaj u varrosën nën breshërinë e granatave serbe;

Vushtrri: Ushtarët dhe policët serbë po djegin fshatrat: Beçuk, Pantinë e Oshlan.

 

Nga politika, lajmet kryesore kishin të bënin me përmbylljen e Konferencës së Rambujesë.

 Lajmet në këtë temë ishin:

Paris: Delegacioni i Kosovës vazhdon takimet me përfaqësues të OSBE-së – pasdite konferencë shtypi e negociatorëve;

“Tajms”: Delegacioni serb ka në disponim 48-72 orë që të pranojë marrëveshjen për Kosovën

Beatris Lakost më nuk është zëdhënëse e OSBE-së;

Drashkoviqi është i bindur se Beogradi do ta mbrojë Kosovën në Paris “pranë tavolinës së gjelbër”;

Konferenca për Kosovën në Paris i afrohet fundit;

  1. Thaçi: “Qeveria e re do t’u përgjigjet të gjitha situatave që do të krijohen edhe pas 15 marsit në Kosovë”;

Solana: “Vetëm forcat e NATO-s mund të garantojnë që në Kosovë mos të përsëritet BH-ja”;

Vedrin: “Çasti i të vërtetës nuk është larg”;

Ishinger: Beogradi ka afat deri në fund të javës;

Paris: Negociatat për Kosovën mund të përfundojnë shpejt;

Paris: Megjithatë, negociatat për Kosovën mund zgjasin deri të premten;

Exit mobile version