Sot është Dita Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin ndaj Minave. Në vitin 2022, Shërbimi i Veprimit ndaj Minave të Kombeve të Bashkuara shënon Ditën nën temën “Toka e sigurt, hapa të sigurt, shtëpi e sigurt”.
Fokusi i kremtimit është në arritjet mbresëlënëse të komunitetit global të veprimit ndaj minave, duke filluar me punën e Fushatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave Tokësore (ICBL) – e themeluar në vitin 1992.
OKB-ja vlerëson se deri në 20 mijë njerëz humbin jetën, ose gjymtohen çdo vit nga minat tokësore dhe thotë se të paktën një e pesta e viktimave janë fëmijë.
Kosova do të shënojë këtë ditë me një aktivitet në Parkun e Lirisë në Ferizaj, ku do të jenë të pranishëm ministri i Mbrojtës Armend Mehaj, përfaqësues nga komanda e FSK-së, përfaqësues të organizatave tjera të deminimit në Kosovë si dhe një ekip i EOD-së nga KFOR-i.
Më 8 dhjetor 2005, Asambleja e Përgjithshme deklaroi se 4 prilli i çdo viti do të respektohet si Dita Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin e Minave dhe Ndihmën në Veprimin ndaj Minave. Sipas OKB-së, vendet më të prekura nga minat janë Angola, Kamboxhia, Afganistani dhe Bosnjë-Hercegovina.