15 marsi njihet si Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit që për qëllim ka mbrojtjen e konsumatorëve.
Mbrojtja ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe me mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive e tregtarëve.
Më 15 mars 1962, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John F. Kennedy miratoi “Ligjin për të drejtat e konsumatorëve”. Ndërsa, me Rezolutën 39/248, me 9 prill 1985, Kombet e Bashkuara kanë miratuar Udhëzimin për kujdesin apo mbrojtjen e konsumatorit dhe që nga ajo kohë, 15 marsi është Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve.
Në vitin 1985, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara njohu universalitetin e të drejtave të konsumatorëve, kohë kur ajo miratoi direktivat për mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe katër të drejta të tjera: të drejtën e përmbushjes së nevojave bazë, të drejtën e zhdëmtimit, të drejtat për edukimin e konsumatorëve dhe të drejtën për një mjedis të shëndetshëm.
Kosova ka ligjin e saj për mbrojtjen e konsumatorët, të miratuar në qershor 2004. Ligji përfshin të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar.
Kjo ditë shënohet edhe në vendin tonë nga INDEP, i cili sot do të organizojë konferencën vjetore për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë 2021 “Mbrojtja e konsumatorit në pandemi”.