Sot është Dita Ndërkombëtare e Kërcimit. Kjo datë u vendos që në vitin 1982 nga Komiteti i Vallëzimit i ITI (International Theatre Institute), në ditëlindjen e Jean-Georges Noverre, krijuesi i baletit modern.
Synimi i kësaj feste është të kremtojë kërcimin, të kënaqet me universalitetin e kësaj forme arti, të kalojë të gjitha barrierat politike, kulturore dhe etnike dhe t’i bashkojë njerëzit me një gjuhë të përbashkët – kërcimin.
Çdo vit një mesazh nga një koreograf apo balerin i shquar qarkullon në të gjithë botën. Për 2025-ën, mesazhin e dha balerini dhe koreografi Mikhail Baryshnikov, nga më të vlerësuarit botërisht, i konsideruar si një nga kërcimtarët më të mëdhenj të kohës sonë.
“Vallëzimi mund të zgjojë ndjeshmëri, të frymëzojë mirësi dhe të ndezë një dëshirë për të shëruar dhe jo për të dëmtuar. Sidomos tani, ndërsa qindra-mijëra durojnë luftën, drejtojnë trazirat politike dhe ngrihen në protestë kundër padrejtësisë, reflektimi i ndershëm është jetësor. Megjithatë, arti është ende mënyra më e mirë për t’i dhënë formë të pathënës, dhe ne mund të fillojmë duke pyetur veten: Ku është e vërteta ime? Si e nderoj veten dhe komunitetin tim? Kujt t’i përgjigjem?”, shkruan Baryshnikov në mesazhin drejtuar artdashësve.
Në një karrierë që përfshin më shumë se 50 vjet në kërcim, teatër, televizion dhe film, Baryshnikov ka punuar me koreografë dhe regjisorë të shquar. Pas një fillimi spektakolar me Baletin “Kirov” në Leningrad, ai erdhi në Perëndim në 1974 dhe ishte balerin kryesor me Teatrin e Baletit Amerikan (ABT). Në vitin 1980 ai ishte drejtor artistik i ABT ku, për dekadën e ardhshme, ai prezantoi një brez të ri kërcimtarësh dhe koreografësh. Në vitin 2005, ai lançoi Baryshnikov Arts në qytetin e Nju-Jorkut, një hapësirë krijuese që mbështet artistë multidisiplinarë nga e gjithë bota./ATSH/