UBT News

Dita kur gjykata vendosi në favor të Muhammad Ali pasi ish-kampioni refuzoi shërbimin ushtarak

Gjykata e Lartë amerikane më 28 qershor 1971, shfuqizoi dënimin ndaj ish-kampionit të boksit për peshat e rënda, Muhammad Ali, i cili kishte refuzuar të rekrutohej në ushtri.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë thuhej se Muhammad Ali, i njohur me emrin Kasius Klei, ishte rekrutuar pa të drejtë. Dhe kjo sepse agjencia që merrej me rekrutimet kishte kundërshtuar pa asnjë shpjegim kërkesën e tij.

Muhammad Ali ishte dënuar me 5 vjet burgim, por ishte liruar me kusht gjatë procesit të apeleve. Atij ia hoqën titullin e kamponit dhe licenca për t’u ndeshur në boks iu anulua nga një numër shtetesh. Por zyrtarët e boksit e kishin lejuar t’i kthehej sportit dhe kështu ai filloi të korrte sukses në tetor 1970, tetë muaj para se gjykata e lartë të merrte vendimin.

Me gjithë ndërprerjen e karrierës, Muhammad Ali përsëri ia arriti të dilte në krye. Më 1974, në moshën 32-vjeç, Muhammad Ali fitoi përsëri titullin kampion në peshat e rënda duke mposhtur George Foremanin.

Më 28 prill 1967, kur lufta e Vietnamit ishte në kulmin e saj, kampioni i peshës së rëndë të boksit, Muhammad Ali kërkoi përjashtimin e tij nga radhët e ushtrisë për arsye fetare, por zyrtarët e hodhën poshtë pretendimin e tij se ai ishte klerik i fesë islame.

Muhammad Ali, i lindur në një familje krishtere me emrin Cassius Clay, e bëri të njohur konvertimin e tij në fenë islamike pasi fitoi titullin e kampionit të boksit për peshat e rënda në shkurt 1964. Ai tha se nuk pranonte të mbante emrin, sipas fjalëve të tij “prej skllavi” dhe se do ta ndërronte në Muhammad Ali.

Gjatë luftës së Vietnamit, Muhammad Ali u shpreh se, sipas fjalëve të tij, “nuk ushqente armiqësi për Vietkongun”. Ai u akuzua për këto komente se po përpiqej t’i shmangej shërbimit në ushtri dhe u dënua me burgim. Por ai nuk u fut në burg gjatë kohës që avokatët e tij e kishin apeluar çështjen.

Exit mobile version