UBT News

Dita Botërore e Sportit Italian

Në kuadër të edicionit të dytë të Ditës Botërore të Sportit Italian, në Festivalin e Filmit Sportiv Prishtina 2025 u shfaq filmi “Rinascere” (Rilindja). 

Ky film është një prodhim i regjisorit italian Umberto Marino, i cili sjell historinë frymëzuese të notarët të ri italian, Manuel Bortuzzo.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, tha se ndihet i nderuar që ky film u prezantua në Prishtinë dhe theksoi fuqinë e diplomacisë së sportit.

Antonini tha se ky film që po shfaqet, është një dëshmi e fuqishme për ata që përballë vështirësive, arrijnë të shohin mundësinë për të ecur përpara.

Tutje, ai shtoi se sporti është një protagonist i vërtetë në shoqëri, ku bashkohen atletët, industria dhe publiku.

“Jemi veçanërisht të nderuar që po mbajmë këtë event në kuadër të festivalit të filmit në Prishtinë, jemi shumë falenderues komitetit olimpik të Kosovës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm. Ky film i prodhuar nga italiani Umberto Marino, tregon historinë e Manuel Bortuzzo-s, një notari të ri italian që pas një ngjarjeje tragjike arriti të rindërtojë jetën e tij”, tha Antonini.

Tutje, Antonini shtoi se ky film synon të përcjellë një mesazh bashkimi mes Italisë dhe Kosovës.

“Duke e prezantuar këtë film në Prishtinë, dëshirojmë të përcjellim një ndjenjë pozitive dhe një mesazh bashkimi, pavarësisht prejardhjes, besimit apo dallimeve. Në kohën tonë, sporti është një gjuhë universale që i bashkon Italinë dhe Kosovën, duke na sjellë të gjithëve më afër, së bashku”, u shpreh ai.

I pranishëm ishte edhe Shefi i EULEXIT në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano./S.K/KP/

Exit mobile version