Për herë të parë kjo ditë u shënua në vitin 1949, si nevojë e angazhimit gjithëpërfshirës në vendosjen e politikave, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e kualitetit të jetës në përgjithësi.
Kjo ngjarje u iniciua nga Carlos Maria della Paolera, profesor në Universitetin e Buenos Aires, me qëllim të avancimit të interesit publik dhe profesional në fushën e planifikimit.
Aktualisht, në mesin e telasheve dhe sfidave që përballemi si shoqëri, padyshim se bëjnë pjesë edhe telashet e zhvillimit urban dhe ndërtimit. Në këtë aspekt, përpos pakënaqësisë kolektive për situatën, opinioni i përgjithshëm është se nuk është punuar sa duhet dhe si duhet.
Në çdo bisedë apo debat për zhvillimin e qyteteve tona, gati është e paevitueshme shprehja “kaos urban” dhe përpjekja për të gjetur fajtorët.
Në të shumtën e rasteve faji i mëveshët autoriteteve përgjegjëse komunale. Faji bartet shpesh edhe te rregullat dhe ligjet në fuqi. Jo rrallë herë, fajtor të situatës definohen profesionistët dhe ndërtuesit, pa e përjashtuar edhe ndikimin e politikes, si njëri nga fajtorët kryesor.
Në një situatë të tillë, është i rëndësishëm dhe shumë i nevojshëm vullneti për të ndryshuar sjelljen ndaj këtij problemi, me ndikim të madh në jetën tonë dhe kualitetin e saj në përgjithësi.