UBT News

​Distria Krasniqi në mesin e Top 10 në “Balkan Athlete of the Year 2025”

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi është përfshirë në Top 10 e sondazhit prestigjioz “Balkan Athlete of the Year” 2025, të organizuar nga Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Krasniqi u rendit mes sportistëve më të spikatur të rajonit falë suksesit të saj si kampione e Evropës dhe nënkampione e botës në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Në edicionin e 52-të të këtij sondazhi tradicional morën pjesë agjencitë kombëtare të lajmeve nga e gjithë rajoni i Ballkanit, përfshirë edhe KosovaPress.

Sipas BTA-së, një total prej 47 sportistësh u nominuan këtë vit, ndërsa fituesi përfundimtar dhe renditja e plotë do të shpallen më 16 shkurt në Sofje, në datën kur në vitin 1898 BTA publikoi buletinin e saj të parë të lajmeve.

Përveç Distria Krasniqit, në Top 10 të vitit 2025 u përfshinë emra të mëdhenj të sportit botëror si Nikola Jokic, Giannis Antetokounmpo, David Popovici dhe Alperen Şengün. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 16 shkurt 2026 në Sofje, ku BTA ka ftuar përfaqësuesit e agjencive pjesëmarrëse për të festuar sportistët më të mirë të Ballkanit./S.K/KP/

Exit mobile version