UBT News

Distria e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos

Pas fitores historike të Ballkanit në Ligën e Konferencës nuk kanë të ndalur sukseset në sportin kosovar, ku xhudo sot i ka sjellë Kosovës një tjetër medalje, kësaj radhe nga Kampionati Botëror.

Bëhet fjalë për xhudisten Distria Krasniqi, e cila ka fituar medaljen e bronztë në Botërorin e xhudos. Në garën për të fituar të bronztë, Krasniqi e mposhti në finale të repesazhit xhudisten nga Izraeli, Gefen Primo.

Ndërkaq në rrugëtimin e saj deri te kjo medalje, Distria raundin e parë e kaloi pa luftë, në të dytin e mposhti xhudisten nga Tajpei, Lin Hsuan HSU, kurse në raundin e tretë mposhti italianen, Odette Giuffrida.

E arta olimpike vazhdoi me fitore edhe në çerekfinale të këtij turneu, ku e mposhti xhudisten nga Mongolia, Khorloodoi Bishrelt, ndërsa në gjysmëfinale u mposht nga britanezja, Chelsie Giles.

Pas humbjes nga Giles, Krasniqi vazhdoi në repesazh ku edhe e mposhti xhudisten izraelite, Gefen Primo, për ta fituar medaljen e bronztë në Botërorin e xhudos.

Exit mobile version