Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime në disa raste të dhunës në familje të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në qytete të ndryshme të vendit, ku disa persona janë dërguar në mbajtje e një tjetër ndodhet në arrati.
Në Gjilan, policia ka arrestuar një burrë i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij.
Ndërkaq, në Pejë është hapur një rast hetimor pasi një grua ka raportuar se është kanosur nga ish-burri i saj, i cili hëpërhë ndodhet në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit.
Situatë e ngjashme është regjistruar edhe në Gjakovë, ku janë identifikuar dy raste të ndara. Në njrin prej tyre, një burrë është arrestuar pasi ka kërcënuar dhe sulmuar fizikisht gruan me të cilën bashkëjetonte e cila ka refuzuar ndihmën mjekësore, ndërsa i dyshuari është liruar më pas në procedurë të rregullt.
Kurse në rastin tjetër në këtë qytet, një burrë është dërguar në mbajtje pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, me ç’rast viktimës i është ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor.
Po ashtu, lidhur me një rast të mëparshëm të dhunës në familje të ndodhur në Rahovec, policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar po ashtu në mbajtje. /E.A/
