Zyrtarët në disa rajone ruse kanë raportuar për sulme masive ukrainase me dronë gjatë natës që kanë pasur për shënjestër infrastrukturën e energjisë, përfshirë një central bërthamor. Ndërkaq, presidentët e Ukrainës dhe Rusisë kanë këmbyer akuza lidhur me mundësinë e negociatave të paqes.
Zyrtarët qeveritarë në rajonet e Rusisë të Smolenskut, Nizhni Novgorodit, Tverit, Kurskut, Leningradit dhe Brianskut thanë se zonat e tyre janë goditur nga dronët e Ukrainës më 28-29 janar, ndërkaq aeroportet në Kazan dhe Shën Petersburg kanë ndaluar përkohësisht operimin për shkaqe sigurie.
“Në disa zona në rajonin e Smolenskut, objektet civile ishin subjekt i një sulmi masiv” me dronë, shkroi në Telegram guvernatori, Vasily Anokhin.
“Sistemet e mbrojtjes ajrore dhe ato të luftës elektronike të Ministrisë ruse të Mbrojtjes janë duke i shkatërruar dronët… Një nga dronët u rrëzua gjatë përpjekjes për të sulmuar një ndërtesë me energji bërthamore. Nuk ka viktima apo dëme”, shtoi Anokhin.
Informacione të tjera nuk u dhanë, por centrali bërthamor në Smolensk është një ndërtesë e madhe për prodhimin e energjisë që gjendet rreth 100 kilometra nga qyteti i Smolenskut.
Ndërkaq, guvernatori i rajonit rus, Nizhni Novgorod, Gleb Nikitin, tha se një dron ra në territorin e një kompleksi të karburanteve dhe energjisë në zonën industriale të Kstovskit, por nuk raportoi për viktima apo dëme të mëdha.
“Shërbimet speciale po punojnë në vendngjarje dhe po përdoren të gjitha mjetet e nevojshme për të lokalizuar zjarrin në një nga njësitë e rafinerisë së naftës”, tha Nikitin.
Guvernatorët rajonalë në rajonin Briansk, në kufi me Ukrainën, dhe Tver, në afërsi të Moskës, po ashtu raportuan për sulme me dronë. Në këto dy rajone, zyrtarët nuk raportuan për viktima apo dëme.
Autoritetet në aeroportin e Kazanit – kryeqytetit të Republikës ruse të Tatarstanit – thanë se të gjitha fluturimet janë ndërprerë për shkaqe sigurie, ndonëse nuk njoftuan nëse aeroporti ishte cak i ndonjë sulmi.
Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, po ashtu ka raportuar se fluturimet në aeroportin Pulkovo në Shën Petersburg janë ndërprerë për shkaqe sigurie, por nuk u dhanë më shumë detaje.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka rrëzuar 104 dronë ukrainas në disa rajone gjatë natës. Ky pretendim i Rusisë nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Të dyja palët e përfshira në luftë kanë intensifikuar përdorimin e dronëve muajve të fundit, fluturake që shpesh kanë pasur për cak infrastrukturën e energjisë të të dyja shteteve.
Rusia ka shkaktuar dëme të mëdha në objektet civile ukrainase përmes sulmeve të kryera me dronë, raketa, artileri dhe lloje të ndryshme të bombave. Kremlini mohon se shënjestron zonat civile, pavarësisht provave se kryen sulme të tilla.
Brenda Ukrainës, guvernatori rajonal Vitaliy Kim, tha se dy gra janë vrarë gjatë një sulmi me raketa të kryer nga Rusia në qytetin e Mikolajivit.
Përveç sulmeve në fushëbetejë, krerët e dy shteteve kanë këmbyer akuza. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka “frikë” që të hyjë në negociata për përfundimin e luftës, pasi udhëheqësi i Kremlinit refuzoi mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me homologun e tij ukrainas.
“Sot, Putini edhe një herë e konfirmoi se ai ka frikë nga negociatat, frikë nga udhëheqësit e fuqishëm dhe bën gjithçka që mundet për ta prolonguar luftën”, shkroi Zelensky në X.
“Çdo lëvizje që ai bën dhe të gjitha marifetet e tij cinike synojnë që kjo luftë të jetë e pafund”, shtoi ai.
Më herët, Putin i tha televizionit shtetëror rus se bisedimet me Ukrainën janë të mundura, por jo me Zelenskyn, të cilin ai e cilësoi si “jolegjitim”, për shkak se mandati i tij presidencial i ka mbaruar, teksa shteti ende është në gjendje lufte.
“Por, në esencë, nëse ata duan të vazhdojnë përpara ka rrugë ligjore për ta bërë këtë. Lejoni kryetarin [e Parlamentit ukrainas] ta udhëheqë këtë gjë, në bazë të Kushtetutës”, tha Putin.
“Megjithatë, deri më tani ne thjesht nuk shohim se ka një dëshirë të tillë”, shtoi ai.
Ndërkaq, Axios ka raportuar se ushtria amerikane gjatë kësaj jave ka transferuar në Ukrainë rreth 90 sisteme kundërajrore Patriot, që janë marrë nga depot në Izrael dhe Poloni.
Axios, duke cituar tri burime që kanë njohuri për këtë çështje, tha se sistemet Patriot i ishin dhënë Izraelit mbi 30 vjet më parë gjatë Luftës së parë të Gjirit./REL/