Disa platforma kineze të transmetimit po akuzohen për censurimin e disa pjesëve të sitcom-it amerikan, “Friends”.
Ky shou u rilansua në Kinë këtë javë, në platformat Tencent, Bilibili, Sohu, iQiyi dhe Youku. Por fansat u ankuan për fshirjen e disa skenave, përfshirë edhe ato që i referohen një personazhi lesbike dhe një tjetër ku shihen duke u puthur personat e të njëjtës gjini. Nuk dihet se kur u fshinë skenat, por asnjë nga këto platforma nuk iu përgjigjën publikisht akuzave.
Shfaqja, e cila u zhvillua nga 1994-2004, është e bazuar në qytetin e Nju Jorkut dhe përqendrohet rreth një grupi miqsh, role të luajtura nga Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt Le Blanc, Matthew Perry dhe David Schwimmer.

Seriali “Friends” ndiqet masivisht në Kinë. Transmetimi i tij në Kinë nisi në platformat Sohu dhe iQiyi, në vitin 2012, pa kurrfarë censure, deri në vitin 2013 kur dhe përfundoi marrëveshja e transmetimit. Pas suksesit që pati specialja “Friends: The Reunion”, ku gjashtë aktorët u bënë sërish bashkë për të kujtuar të veçantat nga xhirimet, platformat kineze blenë sërish të drejtat e transmetimit të këtij seriali.
Vitet e fundit, Kina ka mbyllur dhjetëra mijëra faqe interneti dhe llogari të mediave sociale që përmbajnë përmbajtje “vulgare” dhe pornografike, dhe materiale të tjera të konsideruara të paligjshme ose antikineze./UBTNews