Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje. Rastet e raportuara janë në Fushë-Kosovë, Gjakovë, Malishevë dhe në Viti.
Në rastin e parë në Fushë-Kosovë, një person është në kërkim nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht viktimën grua e më pas i ka dëmtuar edhe makinën viktimës. Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari po vazhdon të kërkohet nga organet e rendit.
Ndërkaq, në Viti janë arrestuar dy burra, pasi dyshohet se janë përleshur ndërmjet vete. Gjatë incidentit, njëri prej tyre po ashtu ka sulmuar edhe viktimën tjetër burrë. Në konsultim me prokurorin, të dyshuarit pas inicimit të rastit janë dërguar në mbajtje.
Edhe në Gjakovë raportohet se është arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar dy viktima, një grua dhe një burrë. Viktima burrë ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar dërgohet në ndalim për 48 orë.
Në një rast tjetër, po ashtu në Gjakovë, është raportuar se viktima grua është sulmuar nga e dyshuara grua, e cila është arrestuar dhe pas inicimit të rastit, në konsultim me prokurorin, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, rasti i fundit ka ndodhur në Malishevë, ku edhe në këtë rast kemi një burrë të arrestuar nën dyshimin se kishte sulmuar viktimën grua. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
