Kanë diplomuar 448 policë të gjeneratës së 60-të, të Policisë së Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se polica po shton dhe forcon radhët e saj duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit.
Kurti potencoi se Policia e Kosovës këtë vit shënon 25 vjetorin e themelimit të saj, duke promovuar vlerat më të mira të shoqërisë tonë.
“Policia jonë po shton e forcon radhët e saj, duke qenë kështu në nivelin më të lartë të detyrës në zbatim të misionit të saj për mbrojtjen e qytetarëve, sundimin e rendit dhe të ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës sonë. Këtë vit Policia e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit të saj, sikurse vendi ynë që shënon 25 vjetorin e çlirimit. Një çerek shekulli liri, një çerek shekulli shërbim me përkushtim për të gjithë dhe pa dallim. Ajo ka promovuar vlerat e mira të shoqërisë sonë dhe i ka thyer barrierat e padrejta që përkojnë me detyrën dhe shërbimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Jam shumë i lumtur që edhe në këtë gjeneratë nga 448 kadetë që diplomojnë sot çdo e pesta është grua dhe nga sot e tutje ato do të marrin titullin e zyrtareve policore”,, ka thënë Kurti
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se policia e vendit tonë me profesionalizmin e tyre kanë arritur ta ngrisin këtë institucion si më të besueshmin për qytetarët e Kosovës.
Ai theksoi se shërbimi ndaj vendit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm kur kujtojmë sakrificën e vazhdueshme të popullit tonë për liri.
“Policia jonë me ritme të shpejta po plotëson dhe forcon radhët e saj duke u hapur dyert qindra djemve dhe vajzave nga secili komunitet që kanë ëndërruar e punuar për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës….Shërbimi ndaj vendit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm kur kujtojmë rezistencën dhe sakrificën e vazhdueshme të popullit tonë për liri dhe për shtet ndërtim. Profesionalizimi dhe shërbimi me përkushtim i policëve tonë të cilëve ju bashkoheni nga sot edhe ju kadet ka arritur të ngrisë Policinë e Kosovës në institucionin me besimin më të madh qytetar e konfirmuar kjo edhe nga raportet matëse të institucioneve vendore e ndërkombëtare. Si Qeveri dhe Ministri e Punëve të Brendshme po punojmë maksimalisht që Policia jonë të ruajë dhe promovojë vlerat e saj më të mirat të cilat krijojnë lidhjen e pashkëputshme me qytetarët tonë”, ka potencuar Sveçla.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se diplomimi i kësaj gjenerate tregon përkushtimin e tyre për të tejkaluar të gjitha sfidat për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
Hoxha tha se puna policore është një mision i shenjtë dhe fisnik, ku duhet përkushtuar shërbimit ndaj qytetarit, shtetit dhe shërbimit ndaj organizatës policore.
“Sot ndërsa për herë të parë mbani uniformen policore dhe bëni betimin për t’i shërbyer shtetit të Kosovës duke i zbatuar ligjet e vendit dhe duke mbrojtur ligjshmërinë, rendin dhe sigurinë publike kërkoj nga ju që të zbatoni me nder dhe krenari përgjegjësitë dhe obligimet që vijnë në profesionin dhe detyrat tuaja si polic i Republikës së Kosovës….Ju duhet të jeni të vetëdijshëm që puna policore është më shumë se një profesion i zakonshëm, është një mision i shenjtë dhe fisnik, ku ju duhet t’i përkushtoheni në maksimum tri çështjeve madhore. Shërbimit ndaj qytetarit, shërbimit ndaj shtetit dhe shërbimit ndaj organizatës policore”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq, zëdhënësi i gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, Florian Shala u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përpjekjeve për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.
Ai u zotua se do të punojnë me përkushtim për të ruajtur besimi që e kanë qytetarët në Policinë e Kosovës.
“Është një krenari dhe ndjenjë e fortë përgjegjësie derisa përfaqësoi gjeneratën e 60-të jubilare të Policisë së Kosovës. Ky moment është një dëshmi e përkushtimit dhe ë përpjekjeve tona për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat dhe përgjegjësitë që na presin”, u shpreh Shala./UBTNews/