Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) nga sot do t’i bashkohen 100 kadetë të rinj, të cilët kanë përmbyllur me sukses përgatitjen e tyre profesionale në kuadër të gjeneratës së 46-të.
Gjatë ceremonisë solemne të diplomimit, u vendos theksi te rëndësia e këtij brezi të ri për fuqizimin e sigurisë, rendit dhe proceseve të rehabilitimit brenda institucioneve korrektuese në të gjithë vendin.
Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, u bëri thirrje zyrtarëve të rinj që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, integritet dhe respekt për dinjitetin njerëzor, duke e cilësuar këtë ditë si marrjen e një përgjegjësie të madhe shtetërore.
“Të jesh zyrtar korrektues nuk do të thotë të veshësh thjesht një uniformë. Do të thotë të mbash mbi vete besimin që institucionet e Republikës së Kosovës vendosin mbi ju. Ne duhet të garantojmë sigurinë, por njëkohësisht të krijojmë mundësi për rehabilitim dhe riintegrim,” deklaroi Dibrani gjatë adresimit të tij.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili vlerësoi përkushtimin e kadetëve të rinj dhe theksoi se kjo detyrë kërkon disiplinë dhe lartësim të figurës së shtetit.
“Të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe e cila kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria. Republika e Kosovës ka nevojë për ju dhe pret shumë prej jush,” u shpreh Kurti.
Me përmbylljen e kësaj përgatitjeje, 100 pjesëtarët e rinj pritet të marrin menjëherë detyrat zyrtare nëpër qendrat e ndryshme korrektuese dhe të paraburgimit në Kosovë. /Ekonomia Online/
