UBT News

Dion Kaçuri mund të largohet përfundimisht nga Baseli, Austria Lustenau synon ta mbajë

Dion Kaçuri mund të mos rikthehet te Baseli pas përfundimit të huazimit, pasi Austria Lustenau ka mundësinë ta blejë përfundimisht mesfushorin kosovar gjatë verës së ardhshme.

22-vjeçari po kalon një periudhë të mirë te skuadra austriake, ku është shndërruar në një futbollist të rëndësishëm në repartin e mesfushës, duke luajtur në rolin e mesfushorit defensiv.

Madje, Kaçuri ka fituar edhe besimin për të mbajtur shiritin e kapitenit në një prej ndeshjeve të skuadrës.

Për paraqitjet e tij ka shkruar edhe mediumi zviceran “4-4-2”, i cili thekson rëndësinë që mesfushori ka fituar te Austria Lustenau, duke përmendur edhe ftesën e tij të parë në tetor nga përzgjedhësi Franco Foda për Përfaqësuesen e Kosovës.

Në fanellën e skuadrës austriake, Kaçuri ka regjistruar deri më tani dy gola dhe një asistim.

Ndërkohë, me Baselin ai ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, por aktivizimi i mundësisë së blerjes nga Austria Lustenau mund të bëjë që aventura e tij në Zvicër të përfundojë përfundimisht.

Në nivel ndërkombëtar, mesfushori tashmë ka tri paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës.

D.L

Exit mobile version