UBT News

Dion Kacuri merr ftesën e Kosovës, mesfushori i Zvicrës U21 zgjedh Dardanët

Mesfushori 22-vjeçar, Dion Kacuri, ka marrë ftesë nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, dhe pritet të jetë pjesë e “Dardanëve” në katër ndeshjet e radhës të Ligës së Kombeve.

Sipas burimeve të Telegrafit, Kacuri e ka pranuar pozitivisht ftesën e teknikut gjerman, duke bërë kështu hapin e madh drejt përfaqësimit të Kosovës në nivel senior.

Kacuri konsiderohet si një prej talenteve të futbollit zviceran. Ai ka qenë pjesë e përfaqësueseve të Zvicrës U18, U19, U20 dhe U21, ndërsa në total ka regjistruar 18 paraqitje dhe tri gola.

22-vjeçari aktualisht është pjesë e Lustenaut në Austri, ku luan si i huazuar nga Baseli. Në këtë sezon ai ka bërë gjashtë paraqitje dhe ka shënuar një gol, duke qenë një prej futbollistëve më të spikatur të skuadrës.

Paraqitjet e tij kanë tërhequr edhe vëmendjen e Franco Fodës. Përzgjedhësi i Kosovës ishte i pranishëm në tribunë gjatë ndeshjes ndaj Sturm Grazit, ku Kacuri u vlerësua me notën 7.3 nga “Sofascore”.

Ai aktivizohet kryesisht në pozitën e qendërmesfushorit, por mund të luajë edhe si numër 6 apo numër 10, duke i dhënë fleksibilitet në fazën ofensive dhe defensive.

Nga Zvicra e shihnin si pasues të Granit Xhakës

Kacuri ishte një futbollist shumë i vlerësuar në sistemin e Zvicrës, ku për një kohë ishte konsideruar edhe si një prej kandidatëve për të ndjekur gjurmët e Granit Xhakës në mesfushë.

Megjithatë, tashmë ai ka zgjedhur Kosovën dhe do të jetë një tjetër futbollist që kalon nga përfaqësueset zvicerane te “Dardanët”.

Kacuri ka luajtur më herët edhe me Leon Avdullahun te Baseli. Dy futbollistët kishin qenë bashkë në formacionin startues të klubit zviceran në vitin 2024, ndërsa tani mund të ribashkohen edhe me fanellën e Kosovës.

Lista e plotë e Kosovës pritet të publikohet në fund të kësaj jave.

“Dardanët” do t’i zhvillojnë katër ndeshje brenda 14 ditësh. Fillimisht, më 24 shtator, Kosova përballet me Irlandën në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa tri ditë më vonë udhëton në Austri.

Më 1 tetor, Kosova do të luajë ndaj Izraelit në Hungari, ndërsa cikli mbyllet më 4 tetor në Prishtinë, sërish ndaj Austrisë.

D.L

Exit mobile version