UBT News

DioGuardi, Cloyes DioGuardi dhe Steven Powles vizitojnë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerina Rogova Gaxha, ka pritur në takim ish-kongresmenin amerikan dhe themeluesin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), Joseph J. DioGuardi, këshilltaren për çështjet e Ballkanit në këtë organizatë, Shirley Cloyes DioGuardi, si dhe juristin britanik Steven Powles KC, specialist i së drejtës penale ndërkombëtare, krimeve të luftës dhe të drejtave të njeriut.

Sipas Bibliotekës Kombëtare, takimi ishte një mundësi për të shprehur mirënjohje për kontributin shumëvjeçar të tyre në mbështetje të Kosovës dhe të drejtës së popullit të saj për liri, demokraci dhe pavarësi.

Joseph dhe Shirley DioGuardi, që nga themelimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në vitin 1989, kanë luajtur rol në sensibilizimin e institucioneve amerikane dhe opinionit publik për çështjen e shqiptarëve të Kosovës.

Ndërkaq, Steven Powles KC kishte punuar në Kosovë në vitin 1999 me International Crisis Group, në kuadër të angazhimeve për hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit.

Përmes angazhimit të tyre me Kongresin e Shteteve të Bashkuara, institucione të ndryshme dhe figura politike, ata kanë kontribuar në forcimin e vëmendjes ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një moment kujtese, nderimi dhe mirënjohjeje për personalitetet që, sipas saj, i kanë qëndruar pranë Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë./A.K/

Exit mobile version