UBT News

Dinamo Zagreb mposht Slaven Belupon, shkëlqen Arbër Hoxha

Dinamo Zagreb e mposhti Slaven Belupon me rezultatin 4-1 dje në kampionatin kroat, ku protagonist ishte Arbër Hoxha, i cili në minutat e fundit të pjesës së parë shënoi dhe më pas asistoi për t’i dhënë avantazhin e dyfishtë Dinamos së Zagrebit.

Tashmë asgjë nuk është rastësi për sulmuesin e Kombëtares, që në javën e kaluar shënoi ndaj Hajduk Splitdhe se trajneri aktual i klubit kroat, por edhe i mëparshmi, kanë folur për Arbër Hoxhën.

“Pas stërvitjeve të para në fazën përgatitore i thashë të ishte i duruar se do të luante, dhe më vjen mirë që kisha të drejtë për të. Ka shpërthim, di të shënojë, të dalë në kundërsulm”, u shpreh pas fitores trajneri i Dinamo Zagreb, Mario Kovaçeviç.

Ndërkohë ish-trajneri i klubit kroat, Sergej Jakiroviç, ishte ai që këmbënguli për ta transferuar sulmuesin shqiptar te Dinamo Zagreb.

“Çfarëdo që të them për Arbërin është si të harxhoj fjalët, sepse e njoh shumë mirë atë djalë dhe ishte iniciativa ime që erdhi te Dinamo Zagreb. Sa herë më kanë tallur kur e kam quajtur ‘raketë’, por unë e di mirë çfarë kam thënë dhe qëndroj pas çdo fjale. Dua të theksoj se ai vetë kishte dëshirë të madhe për të ardhur te Dinamo Zagreb, më tha se do të vinte për fazën përgatitore sidoqoftë dhe do të nënshkruante çfarëdo të ishte, vetëm që të bëhej pjesë e jona. Do të veçoja edhe faktin se një pjesë të madhe të punës e ka bërë Robert Markulin nga Slaven Belupo, të cilin e falenderoj edhe në këtë rast, sepse Dinamo Zagreb sot ka një lojtar me karakter dhe cilësi të shkëlqyera”, tha ai.

“Personalisht doja ta sillja Arbërin te Hull Siti këtë verë, por për shkak të bllokimit të merkatos nuk ishte e mundur. Kjo ju tregon mjaftueshëm se çfarë mendoj për të”, vazhdoi ai./S.K/KP/

 

Exit mobile version