Dinamo ka siguruar fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, duke mundur Skënderbeun me rezultatin 2-1 në një ndeshje të luftuar dhe dramatike të luajtur në “Elbasan Arena”.
Dinamo e filloi ndeshjen me një ritëm të lartë dhe gjeti shpejt rrjetën falë një goli të shënuar nga Zabërgja. Pas këtij goli, blutë ulën ritmin e lojës dhe u munduan të shfrytëzonin dobësitë e prapavijës së Skënderbeut, e cila ishte e papërgatitur në disa momente.
Në pjesën e dytë, Skënderbeu arriti të barazonte rezultatin përmes një penalltie, duke i dhënë një shtysë të re ndeshjes. Të dy ekipet krijuan raste për të kaluar në avantazh, por asnjëra nuk ishte e saktë në përfundim të mundësive të tyre. Megjithatë, në minutën e 90, Mandela, i cili kishte qenë në hije gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, shfrytëzoi një gabim në prapavijën e Skënderbeut dhe shënoi një gol të pakapshëm për portierin Alia, duke i siguruar Dinamos fitoren 2-1.
Pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, foli për mediat dhe e vlerësoi këtë fitore si një hap të rëndësishëm për ekipin e tij. “Unë e thashë edhe në derbin me Partizanin që koha e pakët do na ndikonte në manovër. Kjo plotësohet me mentalitetin që kanë çunat që nuk dorëzohen. Pas barazimit me Partizanin, kjo fitore u shkon çunave. Dëshira dhe mentaliteti bëjnë që edhe problemet të sfumohen. Na duhej ky 3 pikësh për qetësi. E përsëris për herë të dytë që fitorja i shkon lojtarëve të mi,” tha Daja.
Ai vazhdoi të flasë për performancën e Zabërgjës dhe ndikimin e tij në ekip. “Besoj që Zabërgja është një djalë që unë e kam pasur dëshirë ta merrja te Ballkani para 2 vitesh pasi ka potencial shumë të mirë. Ka aftësi individuale, por punon shumë edhe për ekipin. Besoj që rënia në fund na ndodhi dhe me Partizanin dhe sot me Skënderbeun. Është e natyrshme kur bën tranzicione të shpeshta dhe prishen ekuilibrat në lojë.”
Daja përfundoi duke theksuar përpjekjet e ekipit dhe synimet e ardhshme: “Deri më tani djemtë më kanë ndjekur për aq sa kemi pasur kohë të punojmë. Kur të konsolidojmë formacionin me 11-shen më të mirë, jo Dinamo e Ilir Dajës, por është e dinamovitëve, por do të themi që kemi filluar një bashkëpunim stafi bashkë me lojtarët.”/UBTNews/