UBT News

Dilema e Vedat Muriqi para Real Madrid

Mediumi spanjoll Última Hora ka raportuar për situatën e Vedat Muriqi përpara përballjes së RCD Mallorca ndaj Real Madrid, duke theksuar dilemat e mëdha që ekzistojnë në kampin e ekipit.

Sipas “Última Hora”, rikthimi i Muriqit nga angazhimet me Kosovën ka qenë i vështirë si fizikisht ashtu edhe emocionalisht:
“Sulmuesi kosovar kthehet në ishull pas dy ndeshjeve që kanë peshuar shumë në aspektin fizik dhe emocional, pikërisht në prag të një faze vendimtare për Mallorcën në garën për mbijetesë”.

Mediumi shton se sulmuesi “nuk ka pushuar aspak gjatë dritares së FIFA-s, përkundrazi, ka luajtur çdo minutë”, duke e bërë situatën edhe më delikate për stafin teknik.

Po ashtu, theksohet zhgënjimi i tij pas dështimit për t’u kualifikuar në Botëror:
“Pas humbjes ndaj Turqisë, Muriqi u pa i dëshpëruar, duke mos arritur të realizojë një ëndërr që ai vetë e përshkroi si një ‘pavarësi e dytë’ për Kosovën”.

Në këtë kontekst, sipas raportimit, trajneri Martín Demichelis përballet me një vendim të vështirë:
“Duke marrë parasysh të gjitha këto, si gjendjen emocionale ashtu edhe lodhjen fizike pas 180 minutash loje dhe duke parë kalendarin e ngjeshur që e pret Mallorca-n, lind një dilemë për trajnerin: a duhet të aktivizojë sulmuesin kryesor nga minuta e parë ndaj Real Madridit, apo të zgjedhë alternativa të tjera, si për shembull Mateo Joseph, dhe ta ruajë Muriqin për ndeshjet e ardhshme në shtëpi ndaj Rayo Vallecano dhe Valencia CF, ku Mallorca ka më shumë shanse për pikë”.

“Última Hora” nënvizon gjithashtu se jo vetëm Muriqi, por edhe disa lojtarë të tjerë janë të ngarkuar fizikisht dhe në rrezik pezullimi, duke e bërë edhe më kompleks planifikimin për këtë ndeshje.

Në përfundim, mediumi spanjoll vlerëson se:
“Ka shumë në lojë dhe ka ardhur momenti kur nuk lejohet gabimi”, duke e cilësuar këtë periudhë si vendimtare për mbijetesën e Mallorcës në elitën e futbollit spanjoll.

Exit mobile version