UBT News

“Die Fledermaus” rikthehet në skenën e TKOBAP-së më 25, 26 dhe 27 shtator

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të sjellë në skenë operetën e njohur “Die Fledermaus” të kompozitorit Johann Strauss II, më 25, 26 dhe 27 shtator.

E cilësuar si një nga veprat më të dashura të repertorit të operetës, “Die Fledermaus” sjell një histori plot keqkuptime, identitete të rreme, flirt, sekrete dhe situata komike.

Ngjarjet zhvillohen rreth një feste me maska, ku një hakmarrje shndërrohet në një seri episodesh të papritura, të shoqëruara nga ritmet karakteristike të valsit vjenez.

Me humor, elegancë dhe atmosferë festive, shfaqja premton muzikë dhe argëtim, ndërsa maskat bien njëra pas tjetrës dhe sekretet dalin në dritë.

Biletat mund të blihen pranë biletarisë së TKOBAP-së, nga e hëna deri të dielën, në oraret 10:00–14:00 dhe 16:00–20:00. Në ditët e shfaqjeve, biletaria do të jetë e hapur nga ora 10:00 deri në 14:00 dhe nga 16:00 deri në 19:30.

“Die Fledermaus” fton publikun të përjetojë një festë ku asgjë nuk është ashtu siç duket dhe ku, deri në fund, askujt nuk mund t’i besohet plotësisht./A.K/

Exit mobile version