UBT News

​Dialogu Kosovë-Serbi nën hije: BE tregon se kur do të ketë takim të radhës

Njohësit e procesit të dialogut kanë thënë se mungesa e institucioneve legjitime në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, si dhe protestat e vazhdueshme në Serbi, e kanë lënë nën hije dialogun e Brukselit. Përkundër mesazheve të presidentit francez, Emmanuel Macron për rëndësinë e dialogut, pritjet për progres drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve thuhet se janë të vogla.

Në Bashkimin Evropian, thonë se po punojnë me palët drejt një normalizimi të plotë të raporteve Kosovë-Serbi, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura. Të njëjtit theksojnë se mundësia e takimeve të reja trilaterale në Bruksel varet nga gatishmëria e palëve.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar në vitin 2023 për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe më pas për aneksin e Ohrit, mirëpo kjo ujdi ende nuk ka gjetur zbatim.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka thënë se presin që të dyja vendet t’i përmbushin me shpejtësi angazhimet e tyre në kuadër të normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes tyre.

Sipas tij, rruga e dy vendeve drejt Bashkimit Evropian kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja:

“BE, si një lehtësues i Dialogut, është duke punuar me palët drejt një normalizimi të plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura. BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin me shpejtësi angazhimet e tyre në kuadër të Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre për anëtarësim në BE. Rruga drejt Bashkimit Evropian për të dyja palët kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë se dialogu gjatë vitit 2025 ka ngecur, mes tjerash, edhe për shkak të krizës politike në Kosovë. Sipas tij, asnjë qeveri në detyrë nuk mund të negociojë diçka pa pasur legjitimitet të plotë.

“Sa i përket palës kosovare, ka pasur një mangësi të madhe në atë se kush është përgjegjës. Qeveria kur i konvenon merr përgjegjësi, ndërsa kur nuk i konvenon thotë se është qeveri në detyrë. Mos të harrojmë se ne jemi pa parlament që nga fundi i dhjetorit dhe, normalisht, asnjë qeveri nuk mund të negociojë diçka pa e ditur se si do të zhvillohet gjithë procesi i legjitimitetit. Kjo është arsyeja kryesore pse Kosova është vonuar në shumë gjëra”, thekson Arifi.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur së fundmi për shkak të arrestimit në Kosovë të zyrtarit serb, Igor Popoviq, mbi akuzat për nxitje të urrejtjes dhe përçarjeve etnike. Ndërkohë, Serbia ka arrestuar ish-zyrtarin policor, Arbnor Spahiu, në muajin qershor, me pretendime që lidhen me sulmin terrorist serb në Banjskë, ku mbetën të vrarë edhe tre sulmues.

BE-ja më herët ka bërë thirrje që të shmangen veprimet e njëanshme që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe që shkojnë kundër frymës së normalizimit.

Në lidhje me mundësitë që të ketë takime bilaterale dhe trilaterale në nivel të kryenegociatorëve dhe në nivel teknik, në kryeqendrën evropiane thonë se janë të gatshëm të presin raundin e ardhshëm të bisedimeve, mirëpo kjo varet nga gatishmëria e palëve.

Serbia, në dhjetor të vitit 2023, ka dërguar një letër në Bruksel ku ka bërë të ditur se nuk do të zbatojë pika të caktuara të Marrëveshjes Bazë, në të cilat sipas institucioneve të Kosovës, është e përfshirë njohja de-facto e Kosovës nga Serbia.

Në shkurt të vitit 2025, është emëruar emisari i ri për dialogun, diplomati danez Peter Sorensen. Ai gjatë këtij viti ka mbajtur disa takime në kuadër të dialogut, mirëpo të njëjtat nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.

Exit mobile version