UBT News

Dialogu i Brukselit dhe jostabiliteti politik konsiderohet të jenë pengesë për investime strategjike në Kosovë

Në raportin vjetor që u publikua javën e kaluar Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 3.2 për qind këtë vit dhe prej 3.5 për qind në vitin 2025 në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe Kosova është një prej vendeve të rajonit që pritet të ketë rritjen më të madhe ekonomike në vitin 2024-2025, me 3.7 për qind.

Profesori universitar, Ermal Lubishtani shpjegon se cila mund të jetë arsyeja që Kosova të ketë rritjen më të lartë ekonomike krahasuar me vendet e rajonit edhe përkundër investimeve të ulëta strategjike.

“Domethënë ne investimet e huaja direkte i kemi shumë të ulëta. Në fakt ajo përbëhet vetëm prej investimeve të diasporës. Kur kemi parasysh investimet e diasporës nuk janë mirë të kanalizuara, shumica prej tyre janë të orientuara në asete që nuk rigjenerohen, jane asete të patundshmërisë. Ato mbesin aty si investime, mire që ndodhin pasiqë vetëm në vitin e kaluar kemi pasur nivelin e financave 1.2 miliard, pra nivel shumë i lartë. Kjo mund të jetë arsyeja qe ne jemi vendi në rajon që pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në vitin 2024–2025”, deklaroi Lubishtani.

Mungesën e investimeve strategjike Lubishtani ia atribuon fokusit të madh të Qeverisë në dialogun me Serbinë. Por thotë se komunat kanë performuar mirë në këtë drejtim.

“Jo vetëm investime strategjike, por mund të themi investimet publike në përgjithësi kanë munguar viteve të fundit, ndërsa më të theksuarat janë investimet strategjike. Kjo mund të jetë për shumë arsye, për shkak të fokusit të madh të qeverisë në dialogun me Serbinë, pra një pjesë e madhe e energjisë ka shkuar atje. Komunat viteve të fundit kanë performuar mirë pra në kuptimin e investimeve publike”, deklaroi ai.

Ndërkohë njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë se Kosovës i duhet rritje substanciale e bazuar në disa parametra ekonomik.

“Mirëpo duhet të kuptohet e vërteta se Kosova ka nevojë për një rritje substanciale dhe kur flitet për këtë rritje duhet të kuptohet rëndësia e rritjes ekonomikie në disa indikatorë apo parametra ekonomik. Shumë më e rrugës do të ishte që Kosova të ketë rritje ekonomike 2 përqind, por kjo rritje të jetë e ndërtuar me investime të huaja me projekte strategjike, në rritje të investimeve kapitale, në rritje të eksporteve, në krijimin e vendeve të reja të punës”, deklaroi Gërxhaliu.

Një nga faktorët që pengon investimet në Kosovë sipas ekonomistit Gërxhaliu është jostabiliteti politik në Kosovë.

“Definitivisht duhet të kuptohet e vërteta e hidhur që Kosovës po i mungon stabiliteti politik dhe një shtet që nuk ka stabilitet politik është utopike që të ketë investime ekonomike dhe investorë të huaj dhe prandaj duhet të kuptohet rëndësia e normalizimit të mardhanieve me Serbinë, sa është e rëndësishme avancimi i partneritetit me shtetet evropiane në veçanti me SHBA dhe definitivisht në këtë drejtim Kosova është duke ngecur dhe kam ndrojë që në mungesë të stabilitetit poltik Kosova po promovon investime dhe investorë të huaj në vendet e rajonit”, deklaroi ai.

Në raportin e saj vjetor për Kosovën, Shqipërinë, Bonjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, Banka Botërore e ngriti parashikimin e rritjes për vitin 2024 për 0.2 për qind krahasuar me raportet paraprake, duke u bazuar në optimizmin se rajoni i ka tejkaluar krizat prej pandemisë së COVID-19./UBTNews/

Realizoi: Fjolla Gashi

Exit mobile version