Në një seri takimesh të titulluara “Diplomacia dhe kultura” në COD, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Álvaro Renedo Zalba, u ftua për të diskutuar mbi temën: “Culture for Diplomacy and Diplomacy for Culture”, përballë përfaqësuesve nga institucionet publike dhe private, si dhe studentëve dhe nxënësve.
Si përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Spanjës, Zalba paraqiti thellësisht kulturën spanjolle në botë dhe diskutoi për marrëdhëniet e ngushta midis Spanjës dhe Shqipërisë që nga hapja e ambasadës së Spanjës në Tiranë në vitin 2006. Ai theksoi përpjekjet e fundit për të nxitur bashkëpunimin në fusha të interesit të ndërsjellë, si ekonomia, arsimi dhe iniciativat e tjera, shkruan ATA.
Pjesëmarrësit treguan interes të lartë për marrëdhëniet dypalëshe dhe për rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe për ndikimin e kulturës në këtë proces.
Ambasadori Zalba theksoi se kultura është thelbi i njohjes së një vendi dhe ndërton lidhje mes shteteve dhe njerëzve. Ai gjithashtu foli për rritjen e turizmit kulturor dhe projektet e rëndësishme që ambasada spanjolle ka ndërmarrë në Shqipëri, si hapja e universitetit UNED në Gjirokastër dhe kampi veror i Realit të Madridit në Tiranë.
Ambasadori Zalba theksoi angazhimin e tij për të ndihmuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian./UBTNews/