Komisioni për të Drejtat e Njeriut, sot ka reaguar pas një rasti të dhunës seksuale në Ferizaj.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka potencuar se rastet e tilla duhet të marrin dënimin e merituar ligjor dhe të pashtyeshëm.
“Jemi jashtëzakonisht të brengosur si Komision parlamentar për të drejtat e njeriut dhe lidhur me këtë çështje, në vazhdimësi kemi ngritur zërin dhe muajve të fundit kemi ftuar në Komision edhe përfaqësues të institucioneve përkatëse, për të pasur informacione të dorës së parë dhe për t’u informuar lidhur me veprimet ligjore që ato institucione kanë ndërmarrë. Mendojmë se është koha e fundit që luftimit të rasteve të tilla t’u jepet përgjigje dhe dënime të merituara e të bazuara në sistemin juridik të shtetit të Kosovës”, ka bërë të ditur Komisioni për të Drejtat e Njeriut.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj, sot ka informuar se është caktuar një muaj paraburgim kundër të pandehurit D.S. shtetas i Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri me datë 20 nëntor 2022, në kohë të pacaktuar, në një fshat në Komunën e Ferizajt, përkatësisht në shtëpinë e tij, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – e mitur, e cila është nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare, me ç`rast ka kryer akt seksual me të dëmtuarën”, është bërë e ditur në komunikatë.